Arsimi profesional, Klosi: Të rinjtë 
 certifikata trajnimi nga gjermanët

Arsimi profesional, Klosi: Të rinjtë <br /> certifikata trajnimi nga gjermanët
Sistemi dual gjerman i formimit dhe arsimit profesional nis të zbatohet zyrtarisht në shkollat profesionale të vendit tonë.

Kompania gjermane DEKRA, Agjencia Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional dhe “Biznes Albania”, me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, kanë nisur  zbatimin e eksperiencës gjermane në degët e hotelerisë dhe bar-restoranteve, çka do t’iu japë mundësi atyre që do të mbarojnë këto trajnime të marrin një certifikatë të vlefshme edhe për tregun europian të punës.

Në një takim me përfaqësuesit e kompanisë DEKRA, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi e konsideroi këtë moment si një hap të rëndësishëm për gjithë sistemin e arsimit profesional në vendin tonë, por sidomos për ata nxënës dhe kursantë që do përfitojnë nga mundësia që u ofrohet në këtë rast.
 
“Të gjithë ata nxënës që do marrin pjesë në këto trajnime do të marrin një certifikatë nga DEKRA, që do të jetë një certifikatë europiane, çka do t’i bëjë ata të gatshëm për të qenë konkurrentë të denjë për tregun shqiptar dhe atë europian të punës”, - tha Klosi.

Më tej ministri bëri të ditur se trajnimet nga DEKRA do të kryhen në shkollën profesionale “Hysen Çela” në Durrës, ku dhe do të kalohet 50 për qind e kohës në pjesën teorike të trajnimit, ndërsa 50 për qind e kohës tjetër do të kalohet pranë bizneseve durrsake, ku dhe do bëhet pjesa e praktikës.

“Kompania DEKRA, një nga kompanitë më të mëdha në fushën europiane të trajnimit profesional dhe me një mbështetje të qeverisë gjermane që nga sot do të jetë në Shqipëri, do të bëjë këto trajnime pranë ambienteve shqiptare të shkollës së Hoteleri-Turizmit, pranë biznesit shqiptar. Pra trajnimi do të bëhet në Shqipëri dhe ata që do të përfitojnë certifikatat e DEKRA-s do të jenë të akredituar nga momenti i diplomimit për të qenë pjesë e tregut europian të punës”, - tha Klosi.
 
Ai ka theksuar se me nisjen e zbatimit të kësaj marrëveshjeje hidhet një hap i madh përpara në realizimin e një prej qëllimeve të MMSR-së, për kualifikimin e krahut të punës në Shqipëri sipas eksperiencës gjermane.

“Po përfitojmë nga mbarësia e kësaj dite për t’i dhënë mbarësi një politike dhe një ere krejt të re në fushën e arsimit profesional. Ka kërkesa shumë të mëdha dhe emri i DEKRA-s na jep garancinë që çdo gjë do të bëhet në perfeksion për sa i përket cilësisë”, - tha ministri Klosi.
 
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i “DEKRA Akademi”, Dietmar Metzger dha garanci për transparencë në procesin e rekrutimit dhe të trajnimit të kursantëve. “Ekzistojnë kritere transparente për çdo person ose çdo student që do të marrë pjesë në këto kurse, paraprakisht duke aplikuar dhe më pas duke u përzgjedhur për të marrë pjesë në këto kurse”, - tha Dietmar Metzger.

Ndërsa kreu i “Biznes Albania”-s, Luan Bregasi ka bërë të ditur se fillimisht do të trajnohen trajnerët, të cilët do të zhvillojnë më pas gjithë procesin. “Ajo që është më e rëndësishme në këtë gjë, është se sot ka filluar të zbatohet sistemi dual në Shqipëri, çka është një prioritet i qeverisë shqiptare. Ky është një përfitim shumë i madh për sipërmarrjen shqiptare dhe në kuadrin e një viti nga nënshkrimi i marrëveshjes, ne sot po fillojmë kursin e parë të trajnimit në fushën e turizmit dhe hotelerisë”, - tha Bregasi.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja,com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?



×

Lajmi i fundit

Humbi vëllanë, Gjykata e Hagës nuk i jep leje Jakup Krasniqit për ceremoninë e varrimit! U përcoll sot në Drenas

Humbi vëllanë, Gjykata e Hagës nuk i jep leje Jakup Krasniqit për ceremoninë e varrimit! U përcoll sot në Drenas