Sipas ministrisë së Mirëqënies Sociale, është ngritur një grup pune ndërministror për t'u përgatitur për transferimin e kompetencave dhe reformën në këtë sektor. Ky grup ka për detyrë të përcaktojë prioritetet kryesore strategjike për politikat e Punësimit dhe Aftësive dhe për të identifikuar mangësitë dhe sfidat kryesore për të mbështetur procesin e hartimit të dokumentit të ri strategjik.
PELESHI: QEVERIA STRATEGJI PUNËSIMI PËR TË RINJTË
Duke folur në këtë takim, zv/kryeministri Niko Peleshi, tha se ky takim mbahet në kohën e duhur, menjëherë pas rekomandimeve të Komisionit Europian. “Ky takim mbahet në një moment kur KE ka theksuar se Shqipëria ka plotësuar kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat. Tani duhen plotësuar detyrat e lëna, ku një vend të rëndësishëm zë edhe shkollimi profesional”, tha Peleshi.
Sipas zv/kryeministrit, “ky model ekonomik kërkon një zhvillim të ri, në lidhje me politikat e punësimit. Të mëkëmbim financat publike dhe të sigurojmë një rritje ekonomike të qëndrueshme. Së dyti, krijimi i Këshillit Ekonomik Kombëtar, që të nxisë rritjen e investimeve të huaja dhe nxitjen e punësimit, në bashkëpunim edhe me biznesin”.
Niko Peleshi ka folur edhe për përparësitë e qeverisë dhe përgatitjen e një drafti për strategjinë e punësimit deri në vitin 2020. “Drafti për prioritetet tona është duke kaluar në një fazë diskutimesh dhe kjo strategji është në një linjë me atë të BE për deri në 2020. Qeverisja e mëparshme ka përgatitur shumë strategji që vlen për tu theksuar, por ata nuk janë zbatuar”, tha Peleshi.
Sipas zv/kryeministrit, “qeveria e re, do të përgatisë strategji për tu orientuar nga rezultatet dhe në këtë mënyrë përmirësohen edhe politikat publike, duke pasur një korrnizë të qartë planifikimi për buxhetin”. “Objektivi madhor i integrimit të vendit në BE na detyron që të përmbushim projektet tona. Nëse shqiptarët janë të kualifikuar dhe të arsimuar kjo është një çështje ekonomike. Ne duhet të ndryshojmë qasje, nga një edukim për të gjithë, në edukim sipas sektorëve. Sot jemi në një situatë që papunësia është më e larta në rajon dhe nga ana tjetër e kemi të vështirë të mbushim vendet bosh të punës. Të rinjtë që mbarojnë shkollën e gjejnë të papërgatitur veten. E kështu është edhe për bizneset që nuk gjejnë profesionistë në punë”, tha gjatë fjalës së tij, Peleshi.
Gjatë fjalës së tij, ai theksoi se, do të zhvillohet shkollimi profesional. “Përthitja e fondeve të donatorëve, si mbështetje për buxhetin do të jetë i një rëndësie parësore. Kjo qasje nënkupton një strategji të mirëpunuar. Donatorët kanë mbështetur këto sektorë në vlerë prej më shumë se 50 milionë euro.
Qeveria është e angazhuar plotësisht që bashkë me partnerët të përballemi me sfidat që na presin përpara, që të rrisim punësimin e të rinjve dhe të rrisim aftësinë konkurruese të ekonomisë shqiptare”, tha në fund të fjalës së tij, zv/kryeministri Niko Peleshi, në takimin për arsimin profesional.
SEQUI: QEVERIA SHQIPTARE KA PROJEKTE AMBICIOZE
Duke folur në këtë takim, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, tha se, “arsimi, punësimi janë çështje të rëndësishme për Shqipërinë”. Sipas tij, “e ardhmja varet nga aftësitë e njerëzve dhe duhet dhënë mundësia për të zbatuar këto mundësi dhe kjo është një çështje themelore. Duhet të përballemi me disa sfida”.
Sequi deklaroi se, Bashkimi Europian ka pikësynim të tij që në vitin 2020 të sigurojë që 70 % e popullsisë të jetë e punësuar. “Duhen bërë disa ndryshime në arsimin profesional. Pjesë e strategjisë për vitin 2020 është edhe zhvillimi i arsimit profesional dhe i çështjeve që u përmendën më parë. Kjo strategji bëhet për të ndihmuar vendet që i përkasin vendeve të Europës Juglindore. Dhe pjesë e kësaj strategjia janë edhe rekomandimet e dhëna”, deklaroi ambasadori i BE-së.
“Qeveria shqiptare ka treguar se ka disa projekte ambicioze. Ne e dimë që problemet ekonomike e vështirësojnë situatën dhe prandaj është i nevojshëm investimi afatgjatë. I nevojshëm është edhe kontributi i punëdhënësve dhe qendrave trajnuese. Ne e dimë që e ardhmja do të sjellë mundësi më të mira në Shqipëri”, përfundoi fjalën e tij, ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.
VELIAJ:TE MBLIDHET URGJENTISHT KESHILLI KOMBETAR I PUNESIMIT
Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj tha se para zgjedhjeve numri i papunësisë tek të rinjtë u rrit me 8%. Ai kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit kombëtar të punës. ”Sot zyrtarisht në Shqipëri janë 60 % e të rinjve të papunë. Këto janë shifrat e INSAT. Ndërsa 41 % janë të angazhuar në një punë të ndershme. Prandaj duhet të mbledhim urgjentisht Këshillin kombëtar të punës. Kemi detyrim të kohës që jetojmë të koordinojmë punën me këshillin dhe shoqatën e biznesit”
AHMETAJ: TANI NUK KA MË VEND PËR SHOW
Ministri për zhvillimin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes foli për objektivat afatgjatë që ka qeveria dhe fokusi “arsimi profesional”. ”Situata ekonomike në Shqipërië është më keq se çka treguar në dy vjet ish opozita në qeveri sot. Shqipëria është treg i vogël dhe i varfër që konkuron me tregje shumë më atraktive.”
Për Ahmetaj, “edukimi që është kthyer në prodhim diplomash duhet të kthehet në prodhim profesionesh.”
“22 vjet nuk ka më vend për show. Këtë herë ose bëhen gjërat tamam ose ngelet. Arsimi profesional është një instrument i vërtetë punësimi. Objektivi i qeverisë është prodhimi i vendeve të punës. Ne e dimë ku është e keqja, nuk janë 40 universitetet apo shumë studentët që janë ulur në bankat e shkollës. E keqja është se duhet të drejtojmë dijen aty ku tregu ka nevojë nëse e bëjmë në dy vitet e ardhshme Shqipëria ka për të njohur rritjet ekonomike jo vetëm për 300 mijë vende pune por dhe të ketë më shumë”, tha gjatë fjalës së tij, ministri Arben Ahmetaj.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)