Për mijëra vjet, në mbarë botën, gratë lindnin zakonisht pa u shtrirë, qoftë në gjunjë si Kleopatra, duke përdorur stola apo karrige lindjeje, apo duke u ulur (squat). Në fakt, ky lloj pozicioni mund të zgjerojë diametrin e legenit me të paktën 2.5 cm, ndërsa përdorimi i gravitetit e bën lindjen shumë më të lehtë.
Pra, pse sot kaq shumë gra lindin shtrirë me shpinë?
“Ekziston një mungesë e përgjithshme njohurish si tek profesionistët ashtu edhe tek gratë shtatzëna mbi fiziologjinë e lindjes,” thotë Janet Balaskas, themeluese e Active Birth Centre në Mbretërinë e Bashkuar dhe autore e disa librave mbi mënyrën si nënat mund të marrin kontrollin e përvojës së lindjes. Në vitin 1982, Balaskas publikoi një “manifest të lindjes aktive”, që u bë themeli i organizatës së saj.
“Në të gjithë botën dhe për mijëra vjet, gratë kanë lindur spontanisht në pozicione vertikale, pavarësisht racës apo kulturës”, thotë ajo duke shpjeguar se lindja në pozicionin shtrirë siç ndodh me shumë gra në vende të industrializuara, e bën procesin më të ndërlikuar duke e kthyer gruan në paciente pasive.
Edhe ekspertë të tjerë bien dakord. Në fakt, lindja shtrirë është një “fenomen relativisht modern.”
Shtatzënia si ‘sëmundje’
Vetëm në 300–400 vitet e fundit gratë kanë filluar të lindin kryesisht shtrirë në shpinë. Kjo lidhet me një francez, François Mauriceau, i cili pretendonte se ky pozicion ishte më i rehatshëm për gruan dhe më i përshtatshëm për mjekun që asistonte lindjen (në atë kohë po zëvendësoheshin mamitë me mjekë të gjinisë së kundërt).
Mauriceau e konsideronte shtatzëninë si një sëmundje. Në librin e tij të vitit 1668, ai këshillonte që gratë të lindnin në shtrat për të shmangur “bezditë dhe mundimet”.
Megjithatë, disa studiues mendojnë se ndryshimi i pozicionit mund të lidhet me një tjetër francez të së njëjtës periudhë, mbretin Luigji XIV. Thuhet se ai pëlqente të shikonte lindjet dhe nuk i pëlqente që pamja të pengohej nga stolat e lindjes, prandaj kërkonte që gratë të lindnin shtrirë.
E thotë shkenca
Arsyeja kryesore pse gratë kanë lindur në këmbë për mijëra vjet është e thjeshtë: forca e rëndesës. Foshnja duhet të lëvizë poshtë, drejt kanalit të lindjes dhe graviteti e ndihmon këtë proces. Është vërtetuar se, kur lihen të lira, gratë instinktivisht përkulen përpara gjatë lindjes, duke u ulur, mbështetetur në duar dhe gjunjë ose në orendi.
Një analizë e vitit 2013 e 25 studimeve me më shumë se 5,200 gra tregoi se lindja në pozicione , krahasuar me shtrirjen, lidhej me:
-rrezik më të ulët për lindje me prerje cezariane
-përdorim më të pakët të epiduralit
-më pak gjasa që foshnjat të shtroheshin në repartin neonatal.
Megjithatë, nevojiten më shumë studime për gratë me rrezik të lartë, pasi disa raste tregojnë rritje të humbjes së gjakut në pozicionet vertikale.
Pozicionet vertikale gjithashtu mund të shkurtojnë kohëzgjatjen e lindjes.
Sot, në vendet perëndimore ka më shumë ndërgjegjësim për konceptin e “lindjes aktive”, që inkurajon gratë të lëvizin lirshëm dhe të ndjekin instinktet e tyre gjatë lindjes, në vend që të qëndrojnë të shtrira të lidhura pas aparaturave. Megjithatë, normat e lindjeve me prerje cezariane vazhdojnë të rriten në mënyrë shqetësuese.
Dija është fuqi: sa më të informuara të jenë gratë për opsionet e tyre, aq më të sigurta dhe më komode do të jenë në zgjedhjen e asaj që është më e përshtatshme për to.
Komente








