Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka një drejtuese të re.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur të martën se në krye të këtij institucioni është emëruar Arta Marku.

Marku vjen në këtë detyrë me një përvojë të gjatë në gazetari dhe në fushën e librit. Ajo e ka nisur karrierën në vitin 1993 në gazetën “Koha Jonë”, për të vijuar më pas në media si “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” dhe “Panorama”, gjithmonë e fokusuar te letërsia dhe kritika letrare.

Prej vitesh ka qenë pjesë aktive e jetës kulturore në vend, duke drejtuar revista të njohura dhe duke sjellë për publikun emisione si “Bibliotekë” në RTSH dhe “Palimpsest” në Radio Tirana.

Përmes nismave letrare dhe takimeve me të rinjtë, ajo ka kontribuar në promovimin e leximit dhe afrimin e librit me publikun.

Marku është gjithashtu autore dhe përkthyese, ndërsa në këtë detyrë pritet të sjellë një vizion të ri për zhvillimin e librit dhe leximit në vend.

Në postimin e tij, ministri Gonxhja ka falënderuar edhe ish-drejtoreshën Esmeralda Bardhyli për kontributin e saj ndër vite në këtë institucion.

"Gazetare dhe kritike letrare me një rrugëtim të gjatë dhe të konsoliduar në kulturë, Arta Marku e nisi karrierën në vitin 1993 me gazetën “Koha Jonë”, për të vijuar më pas në media të rëndësishme si “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” dhe “Panorama”, gjithmonë me fokus te libri dhe letërsia. Ka drejtuar si kryeredaktore disa prej revistave më të njohura kulturore në vend, ndërsa prej vitit 2014 ka sjellë për publikun emisionin “Bibliotekë” në RTSH dhe “Palimpsest” në Radio Tirana.

Përmes nismave si “AGORA”, ajo ka afruar letërsinë me publikun në hapësira të hapura dhe interaktive. E angazhuar vazhdimisht në promovimin e leximit, ajo ka zhvilluar takime të shumta me nxënës në gjimnazet e Tiranës, si dhe ka qenë pjesë e jurive në çmime dhe konkurse të rëndësishme letrare. Autore dhe përkthyese e disa veprave të rëndësishme, Arta Marku sjell në këtë detyrë një përvojë të pasur dhe një vizion të qartë për zhvillimin e librit dhe leximit në Shqipëri. Një falënderim i veçantë shkon për ish drejtoreshën Esmeralda Bardhyli për punën dhe kontributin e saj të vyer ndër vite në këtë institucion" shkruan Gonxhja