Artan Fuga dialog në distancë me Bashkinë - Shkodër dhe kryetarin e saj zotin Benet Beci

Artan Fuga dialog në distancë me Bashkinë - Shkodër dhe kryetarin e saj zotin Benet Beci

Karnavalet ne Shkoder, 25 shkurt 2024

Përpara dy a tri ditësh kam postuar një status ku në thelb kam ngritur tre çështje për organizimin e festimeve të Karnavaleve në Shkodër.

E para : A kemi të bëjmë me një traditë që shpreh në mënyrë të përqendruar dhe prioritare identitetin lokal shkodran? Sepse Shkodra sikurse qytete të tjera të vendit ka një traditë shumë të pasur me përvoja kulturore. Por, puna është të dallohet tradita kulturore që është thelbësore nga kujtesa historike në përgjithësi që edhe ajo ka rolin e vet sado anësore të kenë qenë shfaqjet kulturore të saj në histori.

E dyta, kush duhet të vihet kolektivisht në qendër të përkujtimit të një tradita kulturore, shoqëria apo pushteti, politikanët, partiakët qendrorë apo lokalë?

E treta, a është prioritare në gjallërimin e kulturës dhe jetës sociale, festimi i Karnaleve apo Shkodra ka nevojë përtej lojës me maska të investohet fort në radhë të parë në cilësinë e jetës sociale, arsimore, kulturore, sikurse shkodranët e meritojnë?

-------------------------

Sot në linjën e komenteve më është drejtuar edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, zoti Benet Beci, i cili më shkruan :

"Profesor ne grupin e organizimit te karnavaleve te Shkodres kane qene: Zef Coba qe ka ba dhe hymnin e karnavaleve, Gjovalin Stefa qe i ka organizuar vitet e fundit me shume perkushtim, Edmond Angoni, organizator i kahershem dhe pronar i fabrikes se maskave, Gjon Hila pronari i Tradites, Franc Nika pronar i Legjendes, qe kane organizu cdo vit karnavalet , si dhe nje kompani e specializuar per evente dhe une si bashki. Nuk ka pasur qellime te tjera organizimi vec se me i promovu ma fort keto tradita te kahershme te Shkodres me dashuri dhe pozitivitet. Fakti qe kane ardhur deri ne veshin tuaj karnavalet e shkodres per ne konsiderohet nje sukses. ????Jeni i ftuari yne heren tjeter. Ju pershendes!"

--------------------

Përgjigja ime është si më poshtë:

"I nderuar Kryetar i Bashkisë së Shkodrës, zoti Benet Beci!

Faleminderit për komentin tuaj që dëshmon se ju i ndiqni nga shumë afër dhe me shumë vëmendje të gjithë debatin dhe trajtimin e problemeve të qytetit që keni marrë mandat të menaxhoni. Duke mos kursyer t'ju them se kam një përjetim përgjithësisht pozitiv nga dëshirat që ju shprehni për ta modernizuar dhe rritur cilësisht Shkodrën, çka sigurisht do të verifikohet në vitet në vazhdim, vlerësoj gjithashtu faktin e ndjeshmërisë suaj për komunikimin publik.

Padyshim që festimet e karnavaleve në Shkodër tërhoqën edhe vëmendjen time, jo thjesht dhe vetëm se kam ndonjë interes të veçantë për to, por edhe sepse nëpërmjet një fushate marrëdhëniesh publike, që e gjykoj shumë intensive, të sforcuar, madje të tepruar, për ndofta një javë rresht mediat kombëtare e vunë në axhendën kryesore të tyre duke e bombarduar me një fije teprie aspak të këndshme atë festë, që në thjeshtësinë e saj do të kishte qenë shumë herë më e bukur.

Ndofta edhe unë e teprova me pyetjet e mia, por gjithsesi debati publik ka ligjësitë e veta dhe ndonjëherë duhen toleruar dhe kuptuar drejt teknikat e komunikimit. Për mua është sukses gjithashtu që statusi im ka pasur rreth 39 mijë lexime në dy ditë, jehonë në më shumë se 150 mijë vetë, mijëra like dhe qindra komente, ku nuk mungojnë edhe kritika ndaj tij, madje edhe ofendime dhe sharje nga individë të veçantë ndaj personit tim, por ka edhe shumë qendrime kritike edhe ndaj punës suaj dhe mënyrës si e keni konceptuar festën në fjalë.

Është sukses që jehona e këtij është ngjitur deri te ju. Objektiv i qëlluar në shenjë!

Përtej emrave që ju jepni, çka nuk më interesojnë aq shumë sado i lexoj me respekt, unë uroj që sikurse kam bërë edhe unë, të lexoni kritikat që ju bëhen dhe sugjerimet që vijnë nga qytetarët e Shkodrës, sepse kjo është vlera e rëndësishme e komunikimit publik. Jam i bindur se me inteligjencën tuaj ju do të dini t'a lexoni opinionin publik të Shkodrës sikurse ai shfaqet lirisht në këtë faqe Facebook-u.

Përsa i përket traditës së Karnavaleve nuk mund të bëj tjetër veçse të shpreh admirimin tim për të që sikurse e trajtuan komentuesit më ndihmuan të kuptoj fort gjëra që nuk i kam ditur më parë. Kultura shkodrane rezatoi edhe një herë emancipim, energji dialogu, mirëkuptim.

Por më lejon i t'ju them diçka: Përsa i përket marrëdhënieve midis kulturës - politikës - marketingut politik - medias unë jo vetëm nuk ndaj të njëjtin qendrim sikurse e ka Bashkia Shkodër, apo edhe bashki të tjera, por kam qendrim kritik të hapur përsa më sipër.

Dhe sinqerisht, nëse për traditën jo të të gjithë ata mijëra vetë që morën pjesë në debat ishin dakord me mua, për problemet e marrëdhënieve kulturë - politikë - marketing mediatik, të prioriteve kulturore të pushtetit lokal, me përjashtim të ndonjërit në konflikt interesi, të gjitha komentet ishin mbështetëse të kritikave të mia.

Unë ju lutem që këtë anë nëse mundeni ta lexoni me kujdes dhe mos gaboheni në vlerësimet dhe në analizën tuaj.

Unë lexova në komente një etje qytetare për ta depolitizuar qytetin, kulturën, përkujtimin e traditave!

Kultura që qoftë edhe pa dashje nuk mban një raport profesional me politikën, bie në grackën e propagandës, të marketingut, dhe prej këtej, sikurse ka argumentuar studjuesja e njohur Hannah Arendt, hyn në krizë, që quhet "kriza e kulturës".

Për ta përmbyllur, ju falenderoj pa masë për ftesën që më bëni për karnavalet e vitit tjetër, shumë fisnike nga ana juaj. Ndërkaq unë e ndjej veten shkodran qoftë edhe për faktin se kam në Shkodër miq të nderuar, intelektualë, pedagogë, kërkues shkencorë, që i dua me shpirt, sikurse jam gjithmonë i prekur fort nga arti dhe kultura shkodrane, nga teatri, futbolli i madh shkodran, nga muzetë, pse edhe jo edhe nga kultura letrare patriotike, nga mendimi i traditës fetare dhe humaniste shkodrane, nga gjuhëtarët e mëdhenj shkodranë, për të cilët jam krenar, dhe që i kalojnë nga vlerat kufijtë e Shqipërisë duke rrezatuar Evropë. Edhe sepse aty ka jetuar dhe punuar, ndonëse në persekucioni, daja im Muhamet Hoxha, mësuesi i matematikës në qytet, i cili ka qenë rrethuar me dashuri dhe mirënjohje shkodrane, apo edhe për shkak të lidhjeve të mia familjare atje.

Ndjekësit e kësaj faqeje në Shkodër janë të gjithë miqtë e mi prej vitesh!

Kështu që duke ju falenderuar për ftesën, ju siguroj se përtej saj, vij pa trokitur në Shkodër sepse mirëpritem me fisnikëri.

Ndërkaq mbetem i hapur, nëse keni nevojë, që për festën tjetër të ndaj me ju krejt vullnetarisht atë përvojë modeste teorike dhe praktike që kam si profesor i komunikimit publik.

Uroj gjithë të mirat për Shkodrën, suksese në punë tuaj për të mirën e saj ku që nga Rozafa e deri në muzetë e qytetit pritet një politikë dhe kujdes krejt tjetër nga sa deri më tani!

Me të mira,

Artan Fuga

Antar i Akademisë së Shkencave në RSH

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • vlonjati: 28/02/2024 23:06

    profesor me duket se jeni ziliqar.mos harroni qe invidia eshte mekat kapital qe denohet me .....larg qoft

    Përgjigju
  • Besi: 28/02/2024 11:50

    si i thone edhe ne Shkoder si kudo ne secilin qytet te Shqiperise Artan Fuga shkodran i vjeter

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Dodaj dhe Massafra mesazhe shprese për shqiptarët: Të ndërtojmë një qytetërim dashurie

Krishtlindjet/ Dodaj dhe Massafra mesazhe shprese për shqiptarët: Të ndërtojmë një qytetërim dashurie