Protestat e ditëve të fundit sollën një risi të këndshme në jetën publike shqiptare. Më në fund, qytetari shqiptar doli nga kafeneja, la telefonin për disa orë dhe vendosi të protestojë për diçka që nuk ishte as posti i punës së mikut të mikut, as tenderi i “investitorit strategjjik”, as vendi i parkimit para pallatit. Këtë herë ishte natyra. Flamingot, lumenjtë, pyjet dhe bregdeti u kthyen papritur në protagonistë të debatit kombëtar. Një lajm i mirë. Por ndërsa dëgjoja disa nga parullat, m'u duk sikur mes flamingove rozë po shfaqeshin edhe disa egërsira ideologjike të mbijetuar nga shekulli i kaluar.  

Duhet të mbrojmë natyrën, degjohet ne proteste. Duhet të mbrojmë lumenjtë! Patjeter te gjithe jemi dakort. Duhet të kemi transparencë për projektet! Deri ketu gjithcka e bukur dhe perendimore. Me tej degjojme: Poshtë investitorët amerikanë! Po prit pak... si kaluam nga flamingot te Lufta e Ftohtë? Këtu fillon tragjikomedia shqiptare. Shqiptari modern është ndoshta krijesa më paradoksale në Ballkan. Ai jeton në Amerikë, por mallkon Amerikën. Punon në Europë, por shan Europën. Merr para nga Perëndimi, përdor teknologjinë e Perëndimit, sheh filmat e Perëndimit, dërgon fëmijët në universitetet e Perëndimit dhe më pas deklaron me krenari revolucionare: "Po na shkatërron Perëndimi!" Në ato çaste të duket sikur neomarksistet kane bere aleance me islamiket dhe kane hapur një llogari në mediat sociale dhe po komentjone një propagande ideologjike. Problemi nuk është protesta.

Përkundrazi. Shoqëritë demokratike kanë nevojë për protesta. Problemi është se shpesh protestuesi shqiptar nuk proteston vetëm kundër një projekti konkret, ai proteston edhe kundër disa fantazmave historike që i mbart ende në nënndërgjegje. Nën flamurin e flamingove, papritur dalin në sipërfaqe reflekse të vjetra si dyshimi ndaj tregut, frika nga kapitali dhe mosbesimi ndaj investimeve të huaja. Dhe kjo thuhet me bindje se diku ekziston një komplot gjigant ndërkombëtar që zgjohet çdo mëngjes me një qëllim të vetëm si të mërzisë shqiptarët. Kjo është trashëgimia e çuditshme e historisë sonë. Pesë shekuj nën Perandorinë Osmane na mësuan të dyshojmë ndaj botës jashtë fshatit. Pesëdhjetë vjet komunizëm na mësuan të dyshojmë ndaj botës jashtë kufirit.

Sot kufijtë janë hapur, por dyshimi ka mbetur. Prandaj ndodh që një pjesë e njerëzve të duan standardet europiane, por jo Europën. Duan pagat amerikane, por jo Amerikën. Duan turistët e huaj, por jo investitorët e huaj. Duan modernizimin, por jo modernitetin. Në këtë kuptim, revolucioni i flamingove përballet me një sfidë më të madhe sesa mbrojtja e një lagune apo e një lumi. Ai duhet të çlirojë shoqërinë shqiptare nga zakoni i vjetër për ta parë Perëndimin njëkohësisht si shpëtimtar dhe si armik. Sepse flamingot nuk po luftojnë kundër Amerikës, Europës apo qytetërimit modern. Përkundrazi. Nëse shkon në Aruba, në Florida apo në Holandë, do të shohësh se flamingot jetojnë më mirë pikërisht aty ku institucionet janë më të forta, ekonomia është më e zhvilluar dhe ligji funksionon. Flamingot nuk kanë frikë nga Perëndimi. Duket se këtë frikë e kemi vetëm ne. Dhe ndoshta revolucioni më i rëndësishëm nuk është ai për të shpëtuar flamingot, por ai për të shpëtuar shqiptarët nga fantazmat ideologjike që ende ulen në tavolinat tona, pinë kafe me ne dhe na pëshpërisin në vesh se armiku gjendet gjithmonë jashtë, kurrë brenda vetes.

Gjatë disa pushimeve dimërore në Meksikë apo në Aruba, njeriu kupton se ekziston edhe një model tjetër zhvillimi, përveç atij që ne e quajmë me krenari "betonizim strategjik". Atje, në mes të resorteve turistike, flamingot shëtisin të qeta pranë vizitorëve, zogjtë ndërtojnë foletë mes palmave, ndërsa kafshë të ndryshme bashkëjetojnë me njerëzit pa pasur nevojë për komisione parlamentare, leje ndërtimi apo vendime të Këshillit të Ministrave. Si për çudi këto rizorte turistike janë ndërtuar nga kompanitë më prestigjioze ndërkombëtare, si ajo që kërkon të investojë në Shqipëri.

Pamja është pothuajse e pabesueshme për një shqiptar të mësuar me kaosin urban. Ndërtesa të ulëta të fshehura mes gjelbërimit, makina elektrike që lëvizin pa zhurmë, shtigje të pastra, plazhe të mirëmbajtura dhe natyrë që nuk trajtohet si armik i zhvillimit, por si partneri i tij kryesor. Ironia më e madhe është se në shumë raste çmimet janë më të ulëta se në rivierën shqiptare, e cila prej vitesh po shitet si "Maldivet e Ballkanit", ndonëse nganjëherë ngjan më shumë me një kantier ndërtimi që ka harruar të mbarojë punën. Ndërkohë, në Dhërmi, Himarë, Sarandë apo Ksamil, po të mos ishte deti blu që natyra ua ka falur bujarisht, vizitori mund të mendonte se kishte zbritur në ndonjë periferi të lodhur të botës së tretë. Këtu njeriu duket se ka arritur një harmoni të rrallë ekologjike me plehrat buzë rrugës, me qentë endacakë dhe me një pyll çadrash e shezlonesh që nuk të ofrojnë aq hije sa të shkaktojnë goditje financiare.

Në Aruba flamingot fotografohen si simbol i parajsës turistike. Në rivierën shqiptare, simboli i sezonit rrezikon të bëhet fatura e shezlonit, që është i krahasueshëm me çmimin e hotelit. Atje kafshët e egra janë atraksion, ndërsa  këtu atraksioni është të gjesh një vend parkimi pa hyrë në konflikt diplomatik me “administratorët” privatë të rrugës. Paradoksi është i dhimbshëm. Shqipëria zotëron një nga vijat bregdetare më të bukura të Mesdheut, por shpesh sillet sikur bukuria natyrore është vetëm një pengesë e përkohshme për ndërtimin e hotelit të radhës. Ndërsa vendet e zhvilluara përpiqen të fusin natyrën brenda qytetërimit modern, ne ende përpiqemi të fusim qytetërimin modern brenda një mikseri betoni. Dhe kështu, në brigjet e Karaibeve, flamingot, turistët dhe natyra bashkëjetojnë në paqe. Në brigjet e Jonit, bashkëjetesa më e dukshme mbetet ajo midis betonit, mbeturinave dhe ambicies sonë të pashtershme për ta quajtur çdo gjë "investim strategjik".

Dhe ndoshta revolucioni më i rëndësishëm nuk është ai për të shpëtuar flamingot. Flamingot, në fund të fundit, dinë të mbijetojnë. Ato fluturojnë kur kërcënohen, ndërrojnë habitat kur u prishet ekuilibri dhe nuk harxhojnë kohë duke debatuar në rrjetet sociale se kush ua ka fajin. Problemi është se ne vazhdojmë të sillemi si një shoqëri që kërkon të bëhet europiane, por pa kaluar kurrë nga Europa, që kërkon të jetë proamerikane, por pa amerikanët, që kërkon investime, por pa investitorët, që kërkon zhvillim, por pa ndryshim. Në sheshet tona dëgjon shpesh një melodi të njohur. Është një përzierje e çuditshme midis nostalgjisë së vjetër antikapitaliste, teorive konspirative moderne dhe zakonit tonë shekullor për ta kërkuar fajtorin gjithmonë diku larg. Dikur ishte Sulltani, më pas imperializmi, më vonë revizionizmi, pastaj globalizmi. Armiku ka ndryshuar emër, por zakoni ka mbetur i njëjtë.

Dhe ndoshta ky është revolucioni që na mungon më shumë, jo revolucioni kundër flamingove, kundër investitorëve, kundër Europës apo Amerikës, por revolucioni kundër zakonit tonë të vjetër për të fajësuar gjithmonë të tjerët. Në fund të fundit, armiku më i rrezikshëm nuk është ai që vjen nga jashtë. Ai është ai që banon prej kohësh brenda nesh, ulur rehat në kolltukun e mendësive të vjetra, duke na bindur se çdo problem e ka fajin dikush tjetër. Dhe për sa kohë ai armik të vazhdojë të qeverisë ndërgjegjen tonë, flamingot do të jenë shumë më europiane se.../ TemA