Misioni Artemis II po hyn në histori. Astronautët e NASA janë në prag të thyerjes së rekordit të vendosur nga Apollo 13 për distancën më të madhe nga Toka.

https://imageio.forbes.com/specials-images/imageserve/69d13bb3e6ae59df2f90eeb4/NASA-astronaut-and-Artemis-II-Commander-Reid-Wiseman-took-this-picture-of-Earth-from/960x0.jpg?fit=bounds&height=473&width=711

Misioni, i nisur javën e kaluar, është udhëtimi i parë i njerëzimit drejt Hënës që nga viti 1972 dhe po shënon një epokë të re eksplorimi hapësinor.

Katër astronautë – tre amerikanë dhe një kanadez – do të kalojnë pranë Hënës pa u ulur, përpara se të kthehen në Tokë.

Sipas të dhënave, ata pritet të kalojnë mbi 6,600 kilometra më larg se rekordi i Apollo 13, duke u bërë kështu njerëzit më të largët nga planeti ynë ndonjëherë.

Misioni ndjek një trajektore të ngjashme me atë të Apollo 13, që në vitin 1970 arriti rreth 400 mijë kilometra larg Tokës përpara se të kthehej pas një problemi serioz në bord. Kjo rrugë, e njohur si “free-return trajectory”, përdor gravitetin e Tokës dhe Hënës për kthim të sigurt.

Gjatë kalimit pranë Hënës, astronautët do të ndahen në grupe dhe do të fotografojnë sipërfaqen, përfshirë pjesë të anës së errët që nuk janë parë kurrë më parë nga njerëzit. Ata do të afrohen deri në rreth 6,500 kilometra nga Hëna.

Një tjetër moment unik i misionit do të jetë një eklips total diellor, i dukshëm vetëm nga kapsula Orion. Astronautët do të kenë mundësi të shohin koronën e Diellit – shtresën e jashtme që rrallëherë është e dukshme.

Ndërkohë, për rreth 40 minuta gjatë kalimit pas Hënës, kapsula do të humbasë kontaktin me Tokën – një moment gjithmonë kritik në misione të tilla, por i parashikuar nga shkencëtarët.

Pas fluturimit pranë Hënës, Artemis II do të nisë kthimin drejt Tokës, me ulje të planifikuar në Oqeanin Paqësor më 10 prill, pas një misioni në total prej 9 ditësh.

Ky mision konsiderohet një hap kyç drejt objektivit të madh të NASA-s: ndërtimi i një baze të përhershme në Hënë me mjete si dronë dhe habitate për astronautët.