TIRANË- Teknologjia dita-ditës po zë më shumë hapësirë në jetët tona, por, diku në periferi të Tiranës në një atelie brenda oborrit të një shtëpie private arti i krijimit me dorë, gjergjefi dhe qëndisjet marrin jetë çdo ditë.
Anxhela Allerdervishi është vetëm 21-vjeçe dhe ka zgjedhur të jetë shembull për të gjithë ata, që duan që traditën e qëndisjes me dorë ta shndërrojnë në një biznes të suksesshëm. Por, se si tradita artizane me modernen e ditëve të sotme ndërthuren bukur, kamera e Report TV sjell artin e qëndisjes, që gratë dhe vajzat para viteve ’90 e përdornin në mënyrë masive, sidomos për pajat e nusërisë.
"Duke qenë se unë jam rritur në një familje ku mamaja ime ushtron profesionin si rrobaqepëse, ajo me çonte shpesh , vazhdimisht duke më porositur për materialet e saj dhe kështu unë zbulova gjergjefin. Gjergjefi është një mjet pune, i cili më mundëson të mbaj copën drejt dhe të qëndis më lehtë. Së pari zgjedh copën, në të cilën dua të qëndis, më pas bëj skicën dhe filloj qëndisjen me mbushje sipas teknikave. Dua të theksoj se më parë punimet me gjergjef, zakonisht vajzat i vinin në pajën e tyre", tha Anxhela.
Pas gjimnazit, gjatë vitit të parë të studimeve të larta në “Fitofarmaci”, Anxhela kuptoi se duhet të përforconte pasionin për këtë art, të cilin sot e ka përqafuar me shumë dashuri në çdo kënd të shtëpisë.
"Fillova të eksperimentoj me skica të ndryshme pasi një pasion i vjetër i imi ishte është piktura. Dhe pas skicave unë fillova të mbushja çdo skicë me penj të ndryshëm dhe mendova sa e lehtë qenka njësoj si piktura", u shpreh ajo.
Por, asgjë nuk është e panjohur për vajzën, e cila është rritur mes penjve me ngjyra, copave lino dhe gjergjefit. Që fëmijë, ajo ka qëndruar pranë nënës së saj rrobaqepëse.
"Sigurisht, që ajo ka qenë në mbështetje e madhe për mua . Siç edhe e thashë më përpara unë jam rritur mes copave dhe penjve dhe unë tani jam duke punuar me mamin, ndërkohë që shkëmbejmë ide, shumë punime i bëjmë bashkë, shumë projekte", tregon Anxhela.
Kërkesat e klientëve ajo i sjell në mënyrë që bashkëkohorja të ndërthuret me tradicionalen, hera-herës edhe me dedikime të personalizuara.
"Modelet më të kërkuara janë portretet me qëndisje, siç kemi këtë këtu. Është një portret i papërfunduar. Këtu kemi edhe disa detaje që mungojnë për të marrë trajtën përfundimtare. Siç kemi parë që portretet zakonisht realizohen me laps dhe letër, këtu unë i realizoj mbi copë dhe me pe. Klientët përveç punimeve në gjergjef, kërkojnë qëndisje në bluza dhe çanta për ti dhënë një pamje më të personalizuar. Në kërkesat e tyre është e gërshetuar tradicionalja dhe modernia", përfundoi 21-vjeçara.
21 –vjeçarja na rrëfen se nuk do ta braktisë asnjëherë artin e qëndisjes, por do ta zhvillojë atë si biznes artistik.