Shuhet mbretëresha e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, artistët: Sot është përjetësuar një figurë e madhe për kombin shqiptar!

Ikona e muzikës shqiptare, legjenda e papërsëritshme që ka shkëlqyer në të gjithë zhanret e artit, Nexhmije Pagarusha (1933-2020) është shuar, në moshën 86-vjeçare, në shtëpinë e saj në Prishtinë.

Nexhmije Pagarusha me zërin e saj ka kapërcyer kufijtë shqiptarë, është konsideruar, si “Baresha” e këngës shqipe, me këngën që mban të njëjtin titull, kompozuar nga bashkëshorti i saj, Rexhep Mulliqi, duke i dhënë jetë melodisë edhe tingujve, por edhe duke sfiduar edhe vitet. Aq sa, sipas kompozitorit Gerti Druga, duke e përjetësuar edhe vet artisten, deri në pavdekësi.

“Është një ditë e trishtë, ditë zie për artin edhe kulturën shqiptare, por jam i bindur, se zëri edhe interpretimi i saj është sot në memorien e çdo shqiptari edhe jo vetëm. Kur jetojmë në memorien e njerëzve të tjerë arti ynë bëhet i pavdekshëm. Sot arti i saj është i pavdekshëm, sepse ka marrë pjesë në të gjithë zhanret artit. Përtej dhimbjes, sot është përjetësuar një figurë e madhe për të gjithë kombin shqiptar”, shprehet kompozitori Gerti Druga.

Bylbyli i këngës shqipe, e vlerësuar për magjinë unike  edhe nga kritika është vlerësuar me nota pozitive, edhe si aktore, që ka interpretuar në vitin 1967 në kinematografi dhe teatër, duke u vlerësuar me çmim të parë jo vetëm në ish-Jugosllavi, por edhe më gjerë.

“Kam qenë gjithmonë i dashuruar me “Këngën e dehur jam”, sepse tregonte një anë shumë njerëzore të saj. Përpos që bashkëpunimi me violinistin Shkëlzen Dolin, u bazua tek interpretimi i saj, të gjitha interpretimet e saj sot janë vulë për një histori të suksesshme edhe të jashtëzakonshme, siç është gjithë jeta e Pagarushës”, rrëfen më tej Gerti Druga.

Por  me zërin e saj kanë marrë jetë jo vetëm këngët popullore, por edhe ariet operistike të Bethovenit, Puçinit, Verdit etj.

“Gëzonte një vokal të jashtëzakonshëm. Në historinë e muzikës nuk janë të zakonshme. Kishte një intepretim dhe origjinalitet në atë që përçonte. Ishte një artiste e përsosur. Ajo ishte në kuotat më të larta gjatë gjithë viteve, shprehet muzikanti Zhani Ciko.

Artistja e madhe e skenës mbarëshqiptare, ka qenë e vetëdijshme për potencialin dhe talentin që zotëronte, por sikundër edhe është shprehur, “ka kënduar ashtu siç e ka ndier”.

“Për trupën e ansamblit, dy vjet më parë ka qenë hera e saj e fundit që ka qenë pjesëmarrëse në koncertin që ne kemi realizuar, edhe prania e saj ishte një shtysë, për atë që duhet që të bëjë sot ansambli. Përqafimi i fundit me të, ka qenë edhe një nga momentet më prekëse, që unë mundet që t’ju rrëfej”, përfundon drejtuesi i Ansamblit Kombëtar i Këngëve edhe Valleve.

Viti 1984, ka qenë një ndër ato vite, që artistja vendosi mos të ngjitej më në skenë, por kërkesa e Ardit Gjebreas, në vitin 2000, 16 vite më pas, e bind, derisa e theu këtë premtim.

“Humbje e jashtëzakonshme, zë brilant, njeri i shkëlqyer. E kam ndjekur vazhdimisht, ka çuditur jo vetëm popullin e saj por gjithë botën”, u shpreh këngëtarja Liljana Kondakçi, e cila njohjet e saj me të i ka të kahershme, që në vitin 1976.

Veprimtaria artistike e Nexhmije Pagarushës, është shtrirë në Shqipëri, Bullgari, Izrael, edhe më gjerë. Ndërsa, amaneti i saj, është që të varroset në vendin e saj të lindjes, në Pagarushë.

Kënga e Bareshës

VIDEO/Dekalrata në 85 vjetorin e lindjes e Nexhmije Pagarushës në Tiranë në vitin 2018

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:12
'Kur të vdes më lëshoni te varri 'Luginën e Dashurisë', zbulohet amaneti i fundit i Nexhmije Pagarushës! E firmosi para 17 vitesh

1581092127_nexhmijepagarisha.jpg

Në ditën e largimit nga kjo botë ikona e muzikës shqiptare ka kërkuar të ketë pranë shtratit të saj të fundit një kolazh muzike nga një tjetër zë i madh, ai i Ilir Shaqirit. Në amanet të firmosur prej saj në 25 janar të vitit 2003, këngëtarja e mirënjohur kërkon që kur të ketë ikur nga jetë të vihet pranë saj një CD me të albumit Lugina e Dashurisë.

"Kur të vdes, atë natë më lëshoni te vorri CD-në "Lugina e Dashurisë" të këngëtarit Ilir Shaqiri", shkruhet në amanetin e saj të publikuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës.

Amaneti i fundit i Nexhmije Pagarushes
Ora 15:47
Shuhet Nexhmije Pagarusha, Rama: Një zë dhë zonjë e rrallë...Prehu në paqe zonjë e madhe

Kryeministri Edi Rama shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Nexhmije Pagarushës.

"Një zë i rrallë dhe një zonjë e rrallë, Nexhmije Pagarusha, nuk është më mes nesh, por brenda i pashlyeshëm mbetet kujtimi i saj. Prehu në paqe zonjë e madhe", shkruan Rama në rrjetet sociale. 

Ora 15:24
Vdekja e Nexhmije Pagarushës, Veliaj: Një humbje e madhe për këngën shqiptare!

1581085625_nexhi.jpg

Sot është ndarë nga jeta këngëtarja e shquar shqiptare Nexhmije Pagarusha në moshën 86-vjeçare.

Emra të njohur të politikës apo artit kanë shprehur ngushëllimet në emër të saj, ku së fundmi ka reaguar edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

Dy vite më parë u nderua me Çelësin e Qytetit të Tiranës për gjithë kontributin që dha për vendin tonë.

“Ikja e Nexhmije Pagarushës është një humbje e madhe për këngën shqiptare! Krenar që, dy vjet më parë, nderuam me Çelësin e Qytetit të Tiranës një artiste të jashtëzakonshme që i dha kaq shumë muzikës tonë.

U prehsh në paqe!”, është shprehur Veliaj.

Ora 15:18
Vdekja e Nexhmije Pagarushës, Meta: Një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë

1581085187_naxhi.jpg

Sot është ndarë nga jeta këngëtarja e shquar shqiptare Nexhmije Pagarusha në moshën 86-vjeçare.

Presidenti Meta ka reaguar në lidhje me këtë ngjarje në profilin e tij.

Ai shprehet se ndjen shumë dhimbje e hidhërim për lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Mbretëreshës së këngës shqiptare, artistes të  madhe e të papërsëritshme.

“E dashur dhe e admiruar nga të gjitha brezat për vokalin e jashtëzakonshëm, emocionet dhe krenarinë që i dhuroi kombit në dekada, kjo humbje e pazëvendësueshme i ka prekur sot të gjithë shqiptarët dhe admiruesit e saj kudo”, ka shkruar Meta.

Sipas tij ajo është një  artiste që bëri histori në momente të vështira, falë talentit artistik, personalitetit fisnik e të spikatur dhe do jetë përherë një model referimi për brezat e rinj të artistëve, një yll i pashuar i muzikës shqiptare, këngët e së cilës do të këndohen përjetë.
 

“Unë isha fatlum ta njihja nga afër dhe të ndaja me të shumë momente të bukura dhe të paharrueshme. Ajo nuk ishte magjike, vetëm në skenë dhe ekran, por në çdo moment të jetës së saj.
Duke ndarë dhimbjen e thellë për këtë humbje të madhe, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve shqiptarë.
Si një nga përfaqësueset më të mëdhaja të artit e muzikës, e nderuar dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, me trashëgiminë e vyer që la pas, Nexhmije Pagarusha do të mbetet e paharruar për të gjithë ne”
, ka mbyllur shkrimin presidenti Meta.

Ora 13:41
Vdekja e Pagarushës, Lulzim Basha: Ishte këngëtarja e preferuar e nënës sime

1580929456_LulzimBashapressstatement.jpg
Lulzim Basha ka reaguar pas vdekjes së këngëtares së madhe Nexhmije Pagarusha duke thënë se lajmin për ndarjen e saj nga jeta e ka pritur me shumë trishtim.

Me anë të një mesazhi ngushëllimi të shpërndarë në rrjetet sociale Basha shkruan se Pagarusha ishte këngëtarja e preferuar e mamasë së tij dhe se e ka dëgjuar që fëmijë.

“Me trishtim mësova ndarjen nga jeta të bilbilit të këngës shqiptare znj. Nexhmije Pagarusha. Zëri i saj unik më ka shoqëruar që fëmijë, sepse Pagarusha është këngëtarja e preferuar e nënës time, ishte frymëzim dhe gëzim për të, ashtu si për shumë shqiptarë të tjerë në momente të lumtura dhe të vështira. Prehu në paqe Zambaku i Shqiptarisë! Magjia, forca dhe ëmbëlsia e zërit tënd nuk do të shuhen kurrë!”, shkruan Basha

Ora 13:37
Gazetarja tregon për Report Tv amanetet e Pagarushës: Ka kërkuar të varroset me një ceremoni private

Gazetarja nga Kosova Flora Durmishi në një lidhje për Report Tv e ka cilësuar një humbje të madhe ndarjen nga jeta të këngëtares Nexhmije Pagarusha. Ajo ka zbuluar për Report Tv edhe amanetet e Pagarushës për sa i përket  vdekjes së saj.

Sipas Durmishit ikona e muzikës shqiptare kishte si amanet që të varrosej në fshatin e saj Pagarushë të Malishevës. Ndërsa në ceremoninë mortore sipas Durimisht, këngëtarja kishte lënë si amanet një varrim sa më privat.

"Ka qenë ikonë e muzikës shqiptare. Kemi ndarë gëzime dhe hidhërime. Nuk ishte mësuar që të rrinte shtrirë. Nesër do të ketë një mbledhje në Kosovë, do të varroset sipas amanetit të saj në Pagarushë. Vend që e deshi shumë ka kërkuar që të jetë ceremoni private. Pati disa muaj e shtrirë dhe ishte e mërzitur. Thoshte që nuk dua njerëz që të vijnë në varrimin e saj nga ata që nuk i kanë ardhur asnjëherë ta takojnë. " tha Durmishi.

Ora 12:37
'Lajm i trishtueshëm', Zhani Ciko: Nexhmije Pagarusha ishte një artiste e përsosur

Muzikanti i njohur shqiptar, Zhani Ciko, e cilësoi një lajm të trishtueshëm ndarjen nga jeta të ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Në një lidhje telefonike për Report Tv ai është shprehur se Pagarusha gëzonte një vokal të pazëvendësueshëm.

"E prita me shumë çudi. Njeriu i mendon këto raste. Por dhimbja është shumë e madhe. Nexhmije është një nga personalitete më të mëdhaja të këngës shqiptare. Ajo ishte e qënësishme për të ngritur këngën shqipe. Gëzonte një vokal të jashtëzakonshëm. Në historinë e muzikës nuk janë të zakonshme. Kishte një intepretim dhe origjinalitet në atë që përçonte. Ishte një artiste e përsosur. Ajo ishte në kuotat më të larta gjatë gjithë viteve." tha Zhani Ciko.

Ora 11:17
Një jetë të mbushur me art dhe emocione, çfarë la pas Nexhmije Pagarusha

Pagarusha, u lind më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës, pranë Prizrenit në Kosovë. Babai i Nexhmijes Veseli ishte një mësues dhe nëna e saj Sehide Pagarusha, ishte nga fshati fqinj Nishora, ishte një shtëpiake siç ishte zakon në atë kohë. Në moshën 4-vjeçare, Nexhmie Pagarusha humb nënën, e cila ishte një goditje e rëndë për të, si për çdo fëmijë.

Pak para Luftës së Dytë Botërore, familja e saj u shpërngul në Prizren ku Nexhmije Pagarusha mbaroi shkollën fillore. Ajo vazhdoi gjimnazin në Prishtinë ku kishte një mike të ngushtë, Melihate Hasani, e cila këndonte shumë bukur. Kjo mike e kishte bindur Nexhmijen të regjistrohej në radio të “Radio Prishtinës”. Ajo u paraqit dhe fitoi. 14-vjeçarja Nexhmije Pagarusha u bë këngëtarja solo e “Radio Prishtinës”. Kjo nuk ishte e lehtë, sepse “Radio Prishtina” kishte gjithsej tre dhoma, vetëm njëra prej tyre ishte studio e mirë. Teknika e regjistrimit nuk ekzistonte dhe programi transmetohej drejtpërdrejt.

Përveç këtyre problemeve teknike dhe ngarkesës së rëndë, për vajzën e re u shfaq një problem tjetër. Në atë periudhë në një mjedis tepër konservator, ishte turp i madh që një vajzë e re të këndonte në radio. Në këtë situatë shumë të vështirë, sidomos për një vajzë të papërvojë,  meritori i saj që ishte babai i saj  nuk e la këtë yll të shuhej, po na e dhuroi të gjithëve deri në shkallë krenarie.  Ai ishte shumë liberal në kohën e tij në Kosovë, mbështeti plotësisht vajzën e tij në rrugën e saj artistike si dhe e ndihmoi atë të përballonte presionin dhe një mjedis shumë konservativ.

Deri në fund të shkollës së mesme, talenti artistik universal i artistes Nexhmije Pagarusha bëhet i dukshëm, pasi ajo gjithashtu bëhet aktore teatrale. Në teatrin e ri në Prishtinë Nexhmija Pagarusha, Katarina Josipi dhe Meribane Shala bëhen aktoret e para të këtij teatri. Shfaqja e saj e parë në teatër ishte në dramën “Zjarri dhe Ashi” nga shkrimtari rus Anton Çehov.

Në moshën 18 vjeçare, shkon në Beograd ku regjistrohet në një shkollë të mesme muzikore. Nexhmija largohet nga shkolla e muzikës pas tre vjetësh. Në atë kohë, këngëtarët klasikë ishin rreptësisht të ndaluar të këndonin meloditë argëtuese.  Ndërkohë, Nexhmija Pagarusha me sukses mori pjesë në një provë që u organizua në internshipin e saj në Beograd dhe u pranua në Shoqatën e Arteve Kulturore “Ivo Lola Ribar”.

Ajo njihej se këndonte gjithë ditën. Brenda kësaj shoqërie performoi performancën e parë në të cilën ajo këndoi një këngë të vjetër të qytetit, “Dashnor tu bana” dhe dy këngë popullore “Nga rruga Krushqit” dhe “Ani mori nusen”.  Në Beograd ishte paraqitja e saj e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në “Radio Prishtinë”.

Në atë kohë Nexhmije Pagarusha u takua me muzikantin dhe kompozitorin – Rexho Mulliqi i cili u bë bashkëshorti i saj. Që nga ajo kohë janë bërë një çift i pandashëm. Një ndër këngët më popullore që ajo këndoi, kënga “Bareshës” ishte kompozuar nga burrit të saj. Nga kjo martesë që nga viti 1955, kanë një djalë, Leonard i cili sot jeton me familjen e tij në Zvicër.

Më 1953, Nexhmije Pagarusha u kthye nga Beogradi në Prishtinë dhe mbajti koncertin e tij të parë të muzikës klasike. Ajo këndoi ariet nga opera “Traviata”, “Një perfido” (Ludëig van Beethoven), “Një ditë e bukur” (opera “Madame Butterfly”, Giacomo Puccini) etj.  Pastaj këndoi ariet opera me solistët më të mirë kosovarë të asaj kohe, ata ishin: Mile Jovanoviq (veteriner me profesion, por  bariton i jashtëzakonshëm), Jordan Nikoliq (tenor), Qazim Dushku (bas). Në atë koncert, orkestra simfonike u drejtua nga Oliver Ristić. Për fat të keq, nga i vetmi, koncert i tillë i parë dhe i fundit i Nexhmije Pagarushës, përpara sallës së plotë të Teatrit Kombëtar në Prishtinë, nuk ka regjistrim zanor. Menjëherë pas kësaj, Radio Prishtina punëson Nexhmije Pagarushën  si soliste e “Radio Prishtinës”.

Në vitet ’60 me Shoqatën e Arteve Kulturore “Shota”, Nexhmija Pagarusha ishte në turne me shfaqjet nëpër Evropë dhe botë si në: Austri, Belgjikë, Bullgari, Angli, Gjermani, Hollandë, Suedi … Ajo mbërriti në Amerikë dhe në Lindjen e Mesme. Kështu që u bë më popullore edhe jashtë kufijve të Kosovës. Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri. Repertori i saj u bë gjithnjë e më i përhapur si dhe më i vështirë të thuash ku qëndronte qendra e këndimit të saj. Nexhmije Pagarusha këndonte këngë argëtuese, këngë origjinale, popullore dhe opera ariash, në këtë mënyrë ajo ishte pjesë e një grupi të veçantë të këngëtarëve. Zëri i shquar dhe lëvizjet shumë të hijshme në skenë çuan në faktin se kjo këngëtare e re u bë shumë e famshme. Sukseset e para ndërkombëtare vijuan gjithashtu.

Nexhmije Pagarusha mori pjesë,  dhe gjithashtu këndoi në festivalin e famshëm “Summer Song” dhe për herë të parë regjistroi këngën e përmendur tashmë “Baresha”. Ajo mori pjesë në të gjitha garat muzikore të festivalit “Akorde Kosova”.

Në fund të viteve 60 dhe fillimit të viteve 1970, çdo vit në Shtëpinë e Komuneve të Beogradit, pati një koncert ku këngëtarët shoqëronin orkestrën simfonike të RTB këndonin këngë të përpunuara popullore. Kënga më e kërkuar e Nexhmijes ishte “Një Lule”, një këngë e qytetit të vjetër, aranzhimi i të cilit u krijua nga kompozitori dhe bashkëshorti i saj, Rexhep Mulliqi.

Zëri i shquar dhe lëvizjet shumë të hijshme në skenë çuan në faktin se kjo këngëtare e re të bëhej shumë e famshme. Sukseset  ndërkombëtare erdhën gjithashtu. Në fillim të viteve 1970 radioja e famshme angleze, BBC, drejtoi dhe transmetoi një bisedë të gjerë me Nexhmie Pagarushën.

Në mars 1973 ajo mori pjesë në konkursin “Jugovizija 1973” në Opatija. Kjo ishte një garë e ngjashme si për Konkursin e Këngës në Eurovizion. Është interesante po të shikoni listën e pjesëmarrësve, të cilët me Nexhmia Pagarush kënduan të gjithë në “Sallën e Kristal” të hotelit të famshëm Opatija “Kvarner”.

Veprat muzikore & disa nga këngët e saj:

“Baresha”

”Ani mori nuse”

”Mora testin”

“Kur më shkon si zog n’hava”

“Kur më del në derë”

”Ke selvitë”

“Ç’u ngrit lulja në mëngjes”

“Çil njat zemër plot kujtime”

“Dallëndyshe”

“Një lule”

“Zambaku i Prizrenit”

Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër. Ajo interpretoi në filmat dhe shfaqjet teatrore, në disa prej tyre interpretoi edhe rolet kryesore si:

1967 “Dasma e përgjakur”

1973 “Jugovizioni”

1976 “Gëzuar viti i ri”

1977 “E kafshoja terrin”

1980 “I ikuri”

1981 “Tre vetë kapërcejnë malin”

“Lepuri me pesë këmbë”

“Fluturimi i Micakut”

“Daullet e të çmendurve”,

“Rexha i nënës në grazhd të kalit”

1997 “Vrasësit bëjnë dasmë natën”

Në jetën artistike Nexhmija mori shumë çmime të cilat ajo nuk mund t’i veçojë, ndër të tjera “Këngëtare e Shekullit”, të cilin e meriton padyshim. Nexhmije Pagarusha vulosi me emrin e saj shekullin e XX-të.

Në mars 2013 u promovua albumi i parë i Nexhmije Pagarushës. Albumi i saj i nxjerrur në shitje është bashkëpunim me restorant Pishat, biznes ky që i ka dhënë rreth një dekadë përkrahje artit dhe kulturës.

1.       “Cil’ nj’at zemër plot kujtime”

2.       “Kanga e Rexhës”

3.       “Kanga e Prishtinës”

4.       “Kenke nur’ i bukuris”

5.       “Kur më shikon si zog n’hava”

6.       “Nji lule që m’ka çelë tash”

7.       “Hajde të dalim kah pazari”

8.       “Vaj si kenka ba dynjaja”

9.       “Kanga e krushqve”

10.    “Njëmend qenke si m’kanë than”

11.    “Lul’zoi fusha lul’zoi mali”

12.    “Kapiteni i ri”

13.    “Kosovarja e re”

14.    “Mori sy luaneshe”

15.    “Baresha”

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ben Andoni: PD-ja përballë protestave, por pa publikun?!

Ben Andoni: PD-ja përballë protestave, por pa publikun?!