Artistët denoncojnë logon si plagjiaturë! TKOB: Përgjegjësia e autorit! Do e adresojmë problemin juridikisht! Margariti: Duhet verifikuar

TIRANË- Në janar të vitit 2020, TKOBAP (Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansambli Popullor) shpalli konkurs të hapur përmes një thirrjeje publike për dizejnimin e logos së re të këtij institucioni. Në faqen zyrtare të TKOBAP dhe të Ministrisë së Kulturës, u publikuan edhe kriteret për logon dhe afatin e konkursit që përfundonte në 24 shkurt 2020. Por, ndonëse prej dhjetorit të vitit 2020, opera promovon të gjitha aktivitetet online me logon e re, ende nuk ka shpallur zyrtarisht emrin e studiues apo të fituesit të konkursit, jurinë që e ka përzgjedhur dhe informacionin se çfarë përfaqëson kjo logo për institucionin.  Megjithatë, në rrjetet sociale artistët kanë denoncuar se logoja e re e TKOBAP është një plagjiaturë e vjedhur nga site ndërkombëtare, denoncim ky i ngritur fillimisht nga artisti i Arteve Pamore, Ardian Isufi. Ministrja e Kulturës, për këtë situatë të krijuar thotë se:

 “Jam vënë në dijeni nga rrjetet sociale sot në mëngjes. Duhet verifikuar. Konkursi është bërë para një viti, edhe do të ngrihet një komision i posaçëm për të vërtetuar atë që ka dalë sot në rrjete sociale. Duhet të kem më shumë informacione për gjykimin tim. Ka pas një juri me gjashtë persona në mos gaboj, pasi këtë e mësova sot. Sa të kemi mundësinë do t’ua japim të gjithë infon”, tha Margariti për mediet.

Nga TKOBAP nuk ka akoma asnjë informacion më tepër pasi ende po përpunojnë informacionin para se të flasin publikisht, ndërsa fituesi i logos sipas të dhënave të publikuara në TKOBAP është vlerësuar me 1,845, 000 lekë.

Postimi i Ardian Isufit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:13
Akuzat se logoja është plagjiaturë, TKOB: Përgjegjësia e autorit! Vendosim në funksion mekanizmat ligjore për adresimin juridik të problemit

TKOB ka reaguar lidhur me akuzat që janë bërë nga artistët të cilët kanë denoncuar se logoja e re e TKOBAP është një plagjiaturë, e vjedhur nga site ndërkombëtare.

Përmes një reagimi TKOB ka bërë me dije se kjo është përgjegjësi e autorit, ndërsa shton se do vendosë në funksion të gjithë mekanizmat ligjore dhe kontraktuale për adresimin juridik të këtij problemi, duke bërë përgjegjës autorin për të gjithë dëmin e shkaktuar, në rast se organet kompetente certifikojnë imazhin e logos së TKOBAP si plagjaturë.

"TKOBAP nuk mundet të mbajë përgjegjësi për origjinalitetin e një produkti të tillë, pasi e ka praktikisht të pamundur të filtrojë arkivat publike dhe private të studio-ve apo platformave të marketing-ut në botë. Për këtë arsye, është vetë autori i saj, i cili mban përgjegjësi ligjore për origjinalitetin e produktit, të materializuar në kontratën midis palëve dhe deklaratën e autorësisë.

TKOBAP do të vendosë në funksion të gjithë mekanizmat ligjore dhe kontraktuale për adresimin juridik të këtij problemi, duke bërë përgjegjës autorin për të gjithë dëmin e shkaktuar, në rast se organet kompetente certifikojnë imazhin e logos së TKOBAP si plagjaturë", thuhet në reagim.

Reagimi i TKOB:

Dje dhe sot ka qarkulluar në rrjetet sociale një imazh grafik, i cili është komentuar si i ngjashëm apo i njëjtë me logon e re të Teatrit të Operas. Në pamje të parë vërehet një ngjashmëri e madhe me logon e re të TKOBAP, ç’ka me të drejtë ngre dyshime të arsyeshme për një plagjature.

Për këtë arsye po shpjegojmë më poshtë kontekstin dhe rrjedhën e procesit në të cilin TKOBAP është anagazhuar për këtë projekt, si edhe masat që pritet të ndërmerren në lidhje me këtë rast.

Në kuadrin e përurimit të rikonstruksionit të TKOBAP dhe rinovimit të imazhit të tij, më datë 20.11,2019, TKOBAP shpalli konkursin për krijimin e brand-it të ri, “NEËBRAND & BRANDBOOK  & VIDEOKONCEPT I NEËBRANDI-it me fondin prej 1,537,500 lekë (1,845,000 lekë përfshirë TVSH-në), i cili doli si rezultat i ofertave të marra nga disa prej kompanive të marketingut në vend. Në kuadër të ketij konkursi, aplikantët duhet të dorezonin jo vetëm një logo, por një set produktesh marketingu si më poshtë:

  • Koncepti dhe ideja e logos së re zyrtare të TKOBAP;
  • Spot videokonceptual për Brand-in e TKOBAP;
  • Sigla e identifikimit të TKOBAP-së, (audio&video) me të cilën kuptohet pjesa muzikore
  • (e pa kënduar) e shoqëruar me pjesë vizuale, me kohëzgjatje të caktuar 15 sekonda;
  • Sinjalistikat e objektit te institucionit TKOBAP, indoor dhe outdoor;
  • Dizajni dhe prezantimi i:
  • Posterave dhe billboard-eve
  • Biletave;
  • Veshjeve të personelit te biletarise, punonjësve te salles dhe te pritjes në hyrje;
  • Suvenireve;
  • Badge;
  • Broshurave prezantuese;
  • Kartvizitave;
  • Materialeve Promocionale si bluza, mbajtëse celësash, kartolina, kalendarë,
  • ftesa, etj;
  • Stemës së TKOBAP;
  • Etj;

Të gjithë këto elementë do të duhet të jenë të shoqëruara me një madhësi dhe lloj shkrimi të personalizuar.

Në këtë konkurs morën pjesë 14 kompani të ndryshme prestigjoze, të cilat paraqitën punimet e tyre. Komisioni i vlerësimit përzgjodhi si kompani fituese kompanine Pika Pro sh.p.k, e cila sipas procedures, vuri në dispozicion set-in e lart-përmendur të produkteve të marketingut. TKOBAP, ashtu si shumë institucione private dhe publike në vend dhe në botë, nuk ka kapacitetin dhe burime njerëzore të specializuara për të verifikuar origjinalitetin e një produkti marketingu siç është logo-ja.

Plagjaturat janë një realitet i hershëm i krijmtarisë botërore, dhe është pikërisht për të zgjidhur situata të tilla, që mund të ndodhin rëndom dhe janë vështirësisht të evidentueshme në avancë, që çdo punim shoqërohet me anagazhime të forta mbi përgjegjësitë ligjore të origjinalitetit nga ana e autorëve. Prandaj, për të evituar këtë risk potencial, TKOBAP:

1. Ka përfshirë në kriteret e shpallura të ketij konkursi, pikën si vijon “…Punimet duhet të jenë origjinale, të pa publikuara dhe autori duhet të pranojë përgjegjësi ligjore për sa I përket autenticitetit të punimeve të dorëzuara”, si edhe pikën si vijon “…Punimet dhe materialet do të dorëzohen të shoqëruara me një deklaratë autorësie si i vetmi zotërues dhe autor i tyre”.

2. Ka përfshirë në kontratën e firmosur midis TKOBAP dhe kompanisë fituese, parashikimin ligjor si më poshtë:

NENI 5 – DEKLARATA DHE GARANCI

1. Pika Pro i deklaron dhe i garanton TKOBAP-së se të drejtat e kaluara TKOBAP-së në nenin 4 të kësaj kontrate, zotërohen në mënyrë të plotë dhe pa rezervë vetëm nga Pika Pro.

2. Pika Pro i deklaron dhe i garanton TKOBAP-së se punimet dhe materialet janë origjinale, të pa publikuara si dhe mban përgjegjësi ligjore për sa i përket autenticitetit të tyre.

3. Pika Pro deklaron dhe garanton TKOBAP-në se është përgjegjëse ndaj gjithë kërkesave që mund të ngrejë në cilësinë e kërkuesit dhe/ose të paditësit autori apo palë të treta në lidhje me krijimet vizuale, në lidhje me krijimet grafike vizive, si dhe në lidhje me cfarëdo lloj krijimi tjetër si pjesë përbërëse e Logos dhe NeëBrandit të TKOBAP-së sipas elementëve dhe zërave të parashikuara në nenin 2 të kësaj kontrate.

4. “Pika Pro” deklaron dhe garanton TKOBAP-në se e çliron plotësisht nga pretendimet e agjensive të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave ekskluzive të autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to. Çdo pretendim i ngritur nga ai vete, agjensi të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave të autorit apo palë të treta mbi të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to, do të jetë përgjegjësi e Pika Pro dhe TKOBAP është i përjashtuar nga çdo përgjegjësi.

3. Ka kërkuar dhe ka marrë nga ana e autorit, nënshkrimin e “Deklaratës së Autorsisë së Neë Brand-it të TKOBAP” nëpërmjet të cilës ky i fundit deklaron se të gjitha materialet që përbëjnë “Neë Brand-in” janë unike dhe krijimtari origjinale, të papublikuara, dhe në pronë të agjensisë “Pika Pro” si autor i vetem dhe posedues i të gjitha të drejtave ligjore që rrjedhin prej saj.

Në konkluzion të sa më sipër:

1. TKOBAP nuk mundet të mbajë përgjegjësi për origjinalitetin e një produkti të tillë, pasi e ka praktikisht të pamundur të filtrojë arkivat publike dhe private të studio-ve apo platformave të marketing-ut në botë. Për këtë arsye, është vetë autori i saj, i cili mban përgjegjësi ligjore për origjinalitetin e produktit, të materializuar në kontratën midis palëve dhe deklaratën e autorësisë.

2. Paketa e propozuar nuk përfshin vetëm krijmtarinë e logos, por një sërë elementësh të cilët shoqërojnë “brand-in”, të përmendura më lart.

3. Vlera e fondit pasqyron çmimin e tregut vendas për këtë shërbim, nisur nga ofertat financiare të marra nga disa prej kompanive të marketing-ut në vend.

4. TKOBAP do të vendosë në funksion të gjithë mekanizmat ligjore dhe kontraktuale për adresimin juridik të këtij problemi, duke bërë përgjegjës autorin për të gjithë dëmin e shkaktuar, në rast se organet kompetente certifikojnë imazhin e logos së TKOBAP si plagjaturë.

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lui: 09/02/2021 16:58

    Se mos vetëm logo. Të shkojë vetëm një herë Kontrolli i Lartë i Shtetit për një auditim dhe ta merrni vesh çfarë bëhet atje në Opera. As konkurse shpallen, por edhe kur shpallen komisioni apo juria që jep vlerësimin është në kundërshtim me ligjin. Nga 5 të brendshëm plus 2 të jashtëm, komisioni ka përfunduar në vetëm 3 veta. Kjo kuptohet pse. Sepse sa më pak aq më të kontrollueshëm janë. Dhe një herë e përsëris thirrjen për KLSH, ju lutem shkoni e bëni një kontroll të imtësishëm.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton

Edison Ypi: Spiun dhe Bariton