Artistët mesazhe nga shtëpia, me “Lule të bukura” dhe “Gosti në kohë kolere”: Do të këndojmë prapë, vetëm ju qëndroni në shtëpi

Gjatë këtyre ditëve që qytetarët po qëndrojnë të vetizoluar, artistët shqiptarë kanë menduar që të sjellin art për t’u ngrohur sadopak shpirtin e tyre.

Tenori Rame Lahaj dhe sopranoja e njohur Inva Mula premtojnë se do të jenë pranë njerëzve, deri në fund të kësaj beteje me këngë dhe arie.

Ndërsa, këngëtarja e Teatrit “Andon Zako Çajupi” Lazarela Deti sjell ëmbël kolonën zanore të shfaqjes, “Gosti në kohë kolere” me regji të Llazi Serbos.

Ilirian Ali interpreton “Njeriu i njëmijtë” të Rudyard Kipling. Një poezi që sjell përpjekjet e mëdha që bën një njeri gjatë jetës së tij, derisa të gjen mikun e zemrën, të njëmijtin.

Pianisti Kosti Deti ka zgjedhur “Fryn Veriu” të transkriptuar në piano nga Aleksandër Peçi, si një homazh për të bukurën, jetën dhe dashurinë.

Tenori Denis Skura teksa na rrëfen këto ditë që po kalon pranë familjes së tij, dhe duke u ushtruar në studime, sjell për të gjithë njerëzit që këto ditë janë në shtëpi “Për ty atdhe”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:35
Fëmijët e Kolonjës mesazhe optimizmi: Çdo gjë do të shkojë mirë...

Me anë të një video mesazhi të publikuar nga kryebashkiaku i Kolonjës Erion Isai, fëmijët e kësaj zone kanë bërë thirrje që të qëndroni në shtëpi, duke përçuar edhe mesazhe optimizmi se në fund gjithçka do të shkojë mirë. 

Ora 15:28
“Sinfonia e nënës”, baritoni: Gëzojini nënat tuaja, ju që i kini afër!

“Zoti nuk mundet të ishte kudo, ndaj edhe krijoj nënën”. Me këtë shprehje hebraike e nis postimin e këngës së radhës për të gjithë artdashësit baritoni Gëzim Myshketa, i cili këto ditë është vetizoluar në shtëpinë e tij në Itali. “Nuk ju them dot jo. Jeni me qindra, ndaj kufjen mbi abazhur dhe riprovojmë. “Sinfonia e nënës”, një perlë e vitit 1995, me muzikë të Luan Zhegut edhe orkestrim të Shpëtim Saraçit, shkruan artisti.

Ndërsa, shton për tekstshkruesin e vargjeve të ndjera, Alqi Boshnjakun, “Të ndriftë shpirti atje lart për poezinë drithëruese të kësaj kënge”. Përpos interpretimit, artisti ka dhe një këshillë për të gjithë ata që kanë pranë nënën. “Miq, gëzojini nënat tuaja sa më shumë ju i kini afër në këto momente të vështira”.

Ora 13:07
'Dielli shkëlqente dhe të gjithë nxitonin për në punë derisa...' Xum Allushi: Sot, të gjithë një ëndërr të përbashkët!

Të gjithë shpresojnë që jeta t'i rikthehet normalitetit. Të pijnë kafen e mëngjesit, të nxitojnë për në punë dhe të përqafojnë të dashurit e tyre. Kjo është ëndrra e njerëzimit që aktualisht po përballet me virusin Covid-19, i cili pa mëshirë po merr edhe mijëra jetë njerëzish. 

Këtë ëndërr, e ilustron nëpërmjet një video me nota humori, por që bazohet në një realitet të hidhur Xum Allushi. Videon ai e ka postuar në rrjetet sociale dje shkruan: "Cili sheh ëndrra kaq të bukura?"

Ora 12:29
Kolonën zanore të triptikut të Pushkinit, Lazarela Deti e interpreton me plot emocion dhe dashuri për të gjithë

Këngëtarja edhe artistja e Teatrit “Andon Zako Çajupi” Lazarela Deti nga Korça  këto ditë të vështira i është rikthyer kolonës zanore të shfaqjes “Gosti në kohë kolere” të Pushkinit, vendosur në skenën teatrore nga Llazi Sërbo. Këngën edhe vargje të shfaqjes i sjell për të gjithë qytetarët me plot dashuri edhe emocion.

Ora 12:21
“Për ty atdhe”, apeli i tenorit: Qëndroni në shtëpi

Tenori Denis Skura rrëfen ditët e tij të vetizolimit të shtëpi, pranë familjes. Teksa ai flet se si e kalon kohën, me vajzën e tij të vogël dhe me studime, u bën apel që të gjithë shqiptarëve të qëndrojnë në shtëpi, përmes këngës “Për ty atdhe”.

Ora 12:20
Homazh për dashurinë, artisti luan “Fryn Veriu” në piano

Pianisti Kosti Deti sjell në këto kohë të vështira për të gjithë shqiptarët, si një homazh për jetën, të bukurën dhe dashurinë, këngën “Fryn Veriu” të transkriptuar në piano nga kompozitori Aleksandër Peçi.

“Të dashur miq! Në këto momente të vështira dua të ndaj me ju një nga këngët më të bukura të muzikës shqiptare. “Fryn Veriu” është transkriptuar për piano mjeshtërisht nga Aleksandër Peçi! Uroj të jetë një homazh kushtuar qetësisë, të bukurës,jetës dhe dashurisë! Çdo të nesërme, edhe një shpresë...”, thotë pianisti i ri, Kosti Deti.

Ora 11:38
Aktori interpreton “Njeriu i njëmijtë” të Kipling, për një mik në ditë të vështira

Aktori Ilirian Ali ka zgjedhur që këtë periudhë vetizolimi ta kalojë, duke interpretuar poezi. Pas “Pleqëria” e Dritëro Agollit artisti vlonjat na sjell në një videomesazh“Njeriun e njëmijtë” të Rudyard Kipling. Një poezi që ka në qendër përpjekjet e vazhdueshme të një njeriu për të gjetur mikun e zemrës.

Ora 11:33
Sopranoja Inva Mula dhe tenori Rame Lahaj, si rrallëherë nga karantina bëjnë duet

Sopranoja Inva Mula dhe tenori Rame Lahaj përmes një video-mesazhi nga shtëpitë e tyre interpretojnë këngën “Me lule të bukura”. Tenori Lahaj për të gjithë miqtë e tij premton se do të këndojë sërisht, vetëm se njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi.

“Të dashur miq. Uroj që ky mesazh t’ju gjejë mirë të gjithë juve! E di, po na mungon rutina, vizitat tek familjarët e miqtë, por kjo është mënyra e vetme për të fituar këtë betejë. Prandaj kini kujdes, rrini në shtëpi dhe kështu shpëtoni jetët tuaja, të fëmijëve tuaj edhe të të dashurve të tjerë. Ndërkaq, unë së bashku me miqtë e mi ju premtojmë se do t’ju këndojmë sa të doni, vetëm premtoni se do të rrini në shtëpi”, shkruan Lahaj.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori