Artistja Blerta Xhomo,
“Transhendenca si trup i mendjes”

Artistja Blerta Xhomo,<br />“Transhendenca si trup i mendjes”
TIRANE- Propozimi për të marrë në konsideratë interpretuese një ekspozitë të afërt të Blerta Xhomos, qe njëfarë rikthimi nëpër stacionet e dashura të dikurshme, kur mbi kokat tona, piktura qe një brerore mbrojtëse dhe bekuese për racën e të përkushtuarve pas telajos, ose si një atdhe, të cilit i përkisnim e as që përfytyrohej të ishte ndryshe; domethënë, të ndërrohej “kombësia”.

Qe një atdhe ku u munduam të themi gjithçka në një rrugëtim të vrullshëm mohimesh të shpejta, që pak a shumë i ngjante orvatjes për t’u shfajësuar nga ngushtimi i tkurrur i mundësisë së shprehjes, si mundësi për t’u zbuluar në të drejtën e njeriut të lirë. Dhe për këtë arsye kishim edhe njëfarë qëndrimi përjashtues në verifikimin e kësaj vlere, për arsyen e thjeshtë: kishim ngut për territore dhe flamuj të rinj, që t’i vendosnim diku, në një tokë të premtuar, ose diku buzë saj.

Por, pa e vënë re se nuk po bënim gjë tjetër, por me ngut, më shumë pozonim arratinë tonë dhe panikun ndaj një medium të mbipopulluar nga piktorë pafund, që gërmonin në të njëjtin terren që në dukje ngjante që nuk tingëllonte si diçka e re….Por, nga një qasje e re në kohë, jo për nostalgji, por për interes publik, piktura mund të jetë një shkallare komode për të zbuluar ende territore dhe karaktere pse jo në një parashikim të rikthyer. Një rast i tillë është edhe piktura e Xhomos, që vlen të merret në analizë.

Duke gjezdisur online, diku më kapi syri ca rreshta të një shkrimtareje të re, kur pak a shumë thoshte se femra duhet ta ndezë karakterin e  saj “në luftë”, duke e marrë si sfidë me veten, që më pas të bëhej pjesë e interesit në grumbullin e humanoidëve. Më ngjau si një slogan domethënës, duke e parë në pikën se si koha ka farkëtuar ndryshe karakterin e burrit e ndryshe atë femrës, ku kësaj të fundit iu dashka të jetë vazhdimisht në sfidë për të lënë gjurmë, për t’u manifestuar, pavarësisht rrethanave dhe kritereve që janë kaq relative në mënyrën se si shenjojnë, në veçanti kur është fjala për dikotomitë.

Një të tillë gjendje a përjetim më la kontakti i parë me pikturat e Blerta Xhomos, një subjekt që gjakon t’i hapë shtigje të reja karakterit të saj. E dhënë krejtësisht pas pikturës, ajo priret të ngujohet (jo vetëm të banojë) te strukturat karakteriale dhe, nga ana tjetër, njëkohësisht të arratiset andej nga ato rrezatojnë.

Në kohë dhe në gjeografitë e shprehjes, piktura është parë në shumë këndvështrime, duke u kanonizuar nëpër hulli apo shtresime në grup, gati si një mënyrë (mbi)jetese, që njëfarësoj do ishte e krahasueshme me një kalvar të zgjatur të ndërgjegjes së artistit. Ajo ka rrugëtuar drejt një përplotësimi pothuaj ekzakt, deri në zhbërjen e pafund të propozimeve të prekjes dhe mendimit, që e ka bashkëshoqëruar gjithmonë; herë si kategori e një estetike të re, herë si metaforë e shthurur e mendjes, herë si unitet material dhe herë si hapësirë kromatike ndjesish të drejtpërdrejta. Ajo është kundruar shumë rrallë si e tillë; është lidhur vazhdimisht me fenomene e çështje përjashta.

Piktura e Xhomos, më shumë se të gjitha këto nëndarje, është sublimim i një konflikti ende të pazgjidhur, gjë që të kujton Frida Kahlo-n, jo në rrafshin estetik, por në atë etik, apo semantik. Strukturat e akorduara të një plastike që afron ngërç apo tension vallëzojnë në trajtë të rregullt, si dhe po aq asimetrike kur lyp shqetësimi përbrenda, një shqetësim sa i ngulët gati në manierë, aq edhe i furnizuar me vibrimet e saj të qenies.
Nganjëherë të duket se kemi të bëjmë me një zonifikim të një identiteti i ndarë më dysh, që evokon haptazi femrën si të tillë, dhe rrugës mbështillet me një ëndërrim që kërkon përmbushje. Pra, një karakter që për muzë duket sikur ka diç të parealizuar, që përvijohet përmes simbolikave të huazuara, që bashkohen për të shënjuar të njëjtën gjë.

Piktura e Xhomos nuk është e interesuar të “sulmojë” inde të buta njerëzore, ku nuk ka interes të përfshihet, dhe as synon të ruajë një linjë narrative që shtrihet duke pritur rrëfimin kromatik të  radhës,  ajo është peng e gjendjeve të shumësishme të qenies, të cilat kulmojnë me sublimime të paparashikuara – ja pse të kujton Kahlo-n.

Po ashtu, ajo nuk është e interesuar për qasje të ëmbla e të shthurura të mjetit, për të paralelizuar e nanurisur ndjeshmërinë e saj; përkundrazi, ajo ngre struktura skrupuloze të nënvetëdijes, që i lë të përplasen në një konflikt gati melankolik me shkueshmëritë melodioze e të zbutura, mes subjektit dhe plastikës.

Në këtë qasje dallojmë qartë një aftësi karakteriale, si të thuash, të lindur, në një dialog me trupin, si një zonë me gravitet të llojit të vet. Kjo qendër arketipore ruan një formë shfaqjeje që s’të le rehat, por të vë në lëvizje, si zbulim i një sublimimi, që më së miri është shfaqje e plotë karakteri , krejt e personalizuar me ngrehinat dhe pengesat në ecje e sipër.

Piktura si pretekst gjen zona zbulimi që e bën vëzhguesin të akomodohet në këtë kontradiktë, që ndonjëherë shfaqet si tendencë që ngre në subjekt vetëm qenien femër, e herë të tjera si shtysë për të provuar, ose për të provokuar; natyrisht jo gjith’herë si qëllim më vete.

Piktura si formë reflektimi qenësor është njëkohësisht edhe terapia e autores, për t’u shfaqur në kontradiktë me anën e nëndheshme të saj. Fryn një energji, që modelohet gjithherë me arketipet dhe pleksjet e ekspresionit të saj. Pemë në seri, sense idilike që afrojnë simbolikë dhe tension gjakues, apo rreshtime femërore në një përfshirje dramatike të erosit.

Gjithçka duket se udhëton përmes një nënteksti në konflikt, që i përngjan karakterit të saj shumë të veçuar. Ajo nuk ka luksin të ravijëzojë qasjet e inteligjencës e të vendoset në paradë, siç dhe ndodh shpesh me rezonime zonash kulturore e shtresash të tilla, për të na bërë të qartë thjeshtë zgjedhjen e saj; ajo na lë si të mbërthyer në pikëpyetje për t’u shfaqur si nga brenda, pa dalë jashtë territorit.

Tradhtia, fragmente trupash dhe gjymtyrësh, pemë të ngjashme me dëshirat e pamundura dhe të tjera zona të zgjedhura, na e bëjnë edhe më të pranishme këtë nënkomunikim të zgjeruar me punët e saj. Zonat e pavetëdijshme na vijnë në radhë në transe nga personaliteti i femrës, me një formë refleksi deri në adhurim; apo koka të zbuluara, sikur modelon të njëjtën përkorje pa praninë e të kundërtës, pra të mashkullit. Ose zona pikturore ku sërish sundon elementi femër, në një shpellim komunikimi si narcizist, të dhunshëm në sipërfaqe e në detaj (portrete mbinatyrale që e justifikojnë këtë epërsi).

Të gjitha këto zona të aplikuara të ndërgjegjes e bëjnë subjektin në fjalë të ketë një lidhje unike me rrugëtimin e triumfit femër. Daljet e saj nuk është se priren drejt formave estetizuese, por ruajnë në vetvete një ndërlidhje praktikash të jetuara, që i shpërfaqen si kulte, buzë të cilave gjakon të rrëfehet, ose thjesht të rrëfejë.

Rrethimi i arsyeshëm i veprës së saj mund ta dëmtojë sadopak formën e hapur që ajo e afron si lodërti të një konflikti karakterial e të brendshëm. Përfytyrimi im mbi një alternim të psikës, se si përmes saj mund të zbulojmë zona të heshtura, që do ishin me interes për publikun, mendoj se do gjeneronte përjetimin e veçantë mbi pikturën e Xhomos, si një bashkudhëtim zbulues.


Kush është Blerta Xhomo
 
Blerta Xhomo ka kryer studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura Tiranë, dega pikturë, specialiteti grafikë, në vitet 1987 – 1991. Ajo e zhvillon aktivitetin artistik midis artit figurativ e filmit të animuar.  Me një eksperiencë të gjatë  si piktore, animatore e  regjisore ajo ka marrë pjesë në  një sërë  festivale ndërkombëtare filmi dhe ka marrë pjëss në disa ekspozita brenda dhe jashtë vendit.  Ajo është vlerësuar me  një sërë çmimesh  si “ Contemporary Aëard fort Art”, I”nternational Panorama of Indipendent Filmarker”, Çmimi i parë si piktore në festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar me filmin “Gjiganti i Vetmuar” Bashkë me piktorin Ilirjan Shima është përzgjedhur në 5 finalistët në konkursin ndërkombëtar për Monumentin e 100–vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

blerta dhimo





















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 janar 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Imane Khelif nuk lëkundet nga zhurma e mediave, mposht Anna Hamorin në çerekfinalen e boksit

Paris 2024/ Imane Khelif nuk lëkundet nga zhurma e mediave, mposht Anna Hamorin në çerekfinalen e boksit