Artistja Merita Rexha Tërshana rrëfen jetën e saj me pianon: Muzika më plotëson!

Merita Rexha Tërshana takimet e para me artin i kujton fare mirë. Ishte vetëm gjashtë vjeç kur prindërit e saj nuhatën prirjet e saj për t’u bërë pianiste. Kështu do të niste rrugëtimi artistik i Rexhës me pianon, që më vonë do të bënte që mos të shkëputej më prej saj, duke arritur që të bëjë shumë koncerte brenda dhe jashtë vendit, por edhe duke u bërë pjesë e stafit pedagogjik prej 16 vitesh. Rexha për “Report TV” shprehet se repertori për piano është i pafundmë, aq sa tërë jeta e një pianisti nuk del për t'i luajtur të gjitha veprat.

 “Prej 16 vitesh jam tek kjo klasë, përgjithësisht janë kujtime të mira, me shumë studentë, me shumë punë edhe me shumë muzikë, që na kanë mbushur jetën me gjëra të bukura. Jeta ime pothuajse është bërë njësh me pianon, sepse kam filluar pianon në një kohë që ishte fëmijë shumë i vogël, edhe prindërit e kuptuan që ky fëmijë e ka shumë qejf muzikën. Jeta ime u lidh paralelisht me muzikën, që në moshën 6-vjeçare. E fus veten tek njerëzit me fat, sepse mendoj që është e rëndësishme që të bësh një gjë që të pëlqen shumë edhe që të jep kënaqësi ta bësh”.-thotë artistja. 

Të jesh artiste që ngjitesh nga një skenë brenda vendit, në një skenë jashtë vendit për të është të kesh një jetë shumë të bukur

Është një jetë shumë e bukur, që të jesh nga skena në skenë. Çdo skenë ka veçantit e veta, këtu jam si në shtëpinë time, edhe pse jam ngjitur shumë herë, këtu sa herë ngjitesh të duket sikur do të kesh një provim. Më jep shumë kënaqësi të madhe publiku i Tiranës. Kam vërtet shumë kënaqësi që të dalë në këtë skenë. Por kur je jashtë duhet që të përfaqësosh kulturën e vendit tënd. Ndonjëherë kultura edhe arti flet më shumë se fjala.

Merita Rexha Tërshana, pianiste

Intervista e plotë e pianistes Merita Rexha Tërshana për Report Tv

Është e vërtetë që artistët janë ambasadorët më të mirë të vendit, por kushtet në të cilat punojnë artistët shqiptarë, hera-herës lënë për të dëshiruar

Ne i dimë edhe me siguri edhe publiku e merr me mend, se jetojmë në Shqipëri edhe ashtu siç nëpër shkolla nuk ka ngrohje, as ne nuk kemi ngrohje. Për shembull, salla jonë është e shëmtuar edhe e vjetër, edhe ka shumë nevojë për rimëkëmbje edhe rifreskim. Unë ju thashë, se kam kënaqësi që të ftoj miqtë, shokët edhe publikun e Tiranës, por në të njëjtën kohë kam një vrasje ndërgjegjeje, që nuk është vendi që t’i mirëpresësh edhe t’ju japësh muzikë. Ne përpiqemi që të japim një vlerë arti, nuk është ai vendi që duhet ta presim atë, duhet që të jetë një sallë e freskët e larë, lëre që të ketë edhe vlera brenda në të.

Merita Rexha Tërshana, pianiste

Rexha dëshiron që të merrte fund sa më shpejt kjo gjë, sepse artistët janë ambasadorët më të mirë të një vendi

“Jam e bindur për një gjë, përpara ne do të shkojmë nëpërmjet artit edhe edukimit. Vetëm një popull, një komb që është i edukuar, kulturuar, dhe që di të vlerësojë gjërat, nuk rri në një vend, por  kërkon më shumë. Dy sferat, duke parë shifrat e ndarjes së buxheteve që vlerësohen më pak është arsimi edhe kultura. Por, ky brez që po rritet sot është e ardhmja.  Por kultura e ndihmon këtë vend që të ecë vetëm drejt zhvillimit”.-shprehet artistja.

Për të luajtur repertorin e pianos nuk të del një jetë për ta bërë, por ka veprat e kompozitorëve, që janë më pranë natyrës së saj janë të ndryshme

Në faza të ndryshme të jetës kam një kompozitor që më rri shumë afër. Shumë vite kam qenë e dashuruar me Brahmsin, dëgjoj vazhdimisht edhe më pëlqen nga fillimi në fund Beethoven, Shubertit, Shumanit. Përgjithësisht kompozitorët gjermanë, sepse ashtu ka qenë edhe edukimi im, prandaj qëndroj aty. Por ka edhe kompozitor shqiptarë, që i dua shumë dhe i luaj veprat e tyre. Në Bruksel luajta veprat e Tonin Arapit edhe Limoz Dizdarit, që janë dy kompozitorë shumë të dashur. Çesk Zaden kam pasur fatin që e kam njohur edhe është babai i muzikës shqiptare, por dua që të veçojë kompozitorin Aleksandër Peçi, Simfonia nr 5 e Skënderbeut, ishte një vepër madhështore që më ka bërë shumë përshtypje, po ashtu ndër veprat e këtij kompozitori bashkë me Klajdi Sahatçin kemi regjistruar një CD. Janë vërtetë vepra shumë të bukura, jam vërtetë krenare edhe ndihem e nderuar që ai ma ka dhënë mua mundësinë që të luaj veprat e tij.

Merita Rexha Tërshana, pianiste

Rexha mund të jetë një pianiste që luan Brahms, por ajo që ka vlerë në punën që bën është edhe prezantimi i kulturës së vendit të saj.

“Kjo, sepse në moshën 20-vjeçare shkova në një konkurs në Gjermani dhe në fund më thanë: Luaj diçka shqiptare, që vjen nga Shqipëria. Unë isha e papërgatitur edhe që prej asaj kohe kam mësuar prej kësaj. Prandaj mendoj se vlera e asaj që bëj ka shumë të bëjë me faktin që unë vij nga Shqipëria. Prezantoj kulturën e një vendi pak të njohur për fat të keq, por që është kënaqësi”.-thotë Rexha.

Projektet e Rexhës, si pianiste edhe pedagoge nuk do të ndalin këtu

“Unë jam e ftuar në maj në Belgjikë, për të luajtur një premierë botërore të një kompozitori belg. Në fillim mendova Mozart apo Beethoven, por pastaj mendova që është më interesante që të jenë gjëra sa më publike. Muzika nuk është moderne, në kuptimin e padëgjueshme me shumë eksperimente, por është komplet muzikë melodike që publikut do t’i pëlqejë”.-thotë ajo.

Motoja e artistes është se mënyra më e mirë për të lënë gjurmë të mira në kulturën shqiptare, është duke e përhapur atë edhe nëpër botë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja