Këtë të shtunë, Kryeministri Edi Rama do të mbledhë Asamblenë e Partisë Socialiste në Durrës. Pas ndryshimeve në qeveri, duket që tashmë e kanë radhë strukturat e kësaj partie për të marrë udhëzimet dhe direktivat e reja nga kryetari i tyre.

Mbledhja do të nis në orën 10:00, ku fjala hapëse do të jetë ajo e Sekretarit të përgjithshëm të PS-së Blendi Klosi, për t'ia lënë fjalën më pas kryesocialistit Rama.

Axhenda parashikon një analizë për punën e Organizatave Socialiste në rang vendi, udhëzime për zgjedhjet e brendshme të partisë dhe po ashtu analizë të detajuar mbi performancën në zgjedhjet parlamentare në 2025-ën.

Socialistët duhet të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme vendore, ato të 2027-ës, prandaj një pikë tjetër e diskutimeve në asamble do të jetë puna për zgjedhjet lokale. Po ashtu një nga pikat që pritet të miratohet gjatë këtij takimi është edhe nisma për organizimin e partisë në diasporë.

Sipas projektvendimit të siguruar nga Report Tv, socialistët do të nisin një fushatë të gjerë regjistrimi të anëtarësisë në 5 shtete, ku jetojnë pjesa më e madhe e shqiptarëve: si Italia, Greqia, Gjermania, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja.

Një nga pikat e projektvendimit synon evidentimin dhe krijimin e një baze të dhënash të anëtarëve dhe përkrahësve të PS jashtë vendit. Për këtë u lihet detyrë strukturave vendore të partisë në të gjitha bashkitë e vendit, të cilat bazuar në kontaktet e regjistruara gjatë fushatës së fundit zgjedhore duhet t’i rikontaktojnë dhe t’i informojnë për afatin e regjistrimit si anëtarë apo përkrahës të PS në këto vende.

Regjistrimi në këtë database thuhet në projektvendim, duhet të kryhet sipas parimeve të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.