Politikanë belgë dhe drejtues të lartë të sektorit financiar në vend janë vënë në shënjestër të një fushate intimidimi të orkestruar nga inteligjenca ruse, me synimin për ta bindur Belgjikën të bllokojë përdorimin e 185 miliardë eurove nga asetet ruse për Ukrainën

Sipas gazetës The Guardian,  fushata u përqendrua tek disa udhëheqës të Belgjikës dhe figura kyçe të kompanisë financiare Euroclear që mban shumicën e aseteve të ngrira të Moskës, janë shënjestruar qëllimisht nga inteligjenca ushtarake ruse, GRU. “Ata kanë qenë të angazhuar në taktika intimidimi,” i tha gazetës një zyrtar evropian.

Belgjika është në fokus të kësaj fushate sepse 185 miliardë euro nga 210 miliardë eurot e aseteve të bankës qendrore ruse të ngrira nga BE-ja që prej nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, mbahen në Euroclear me seli në Bruksel.

Kërcënime janë drejtuar ndaj Valérie Urbain, drejtoreshës ekzekutive të Euroclear, si edhe ndaj drejtuesve të tjerë të lartë të grupit të shërbimeve financiare.

Rusia ka paralajmëruar publikisht se përdorimi i këtyre aseteve do të përbënte vjedhje. Banka e saj qendrore  po kërkon 230 miliardë dollarë dëmshpërblim nga Euroclear në një çështje të hapur në gjykatat ruse. Megjithatë, kuptohet se fushata e intimidimit është përqendruar te individë kyç.

Euroclear nuk pranoi të komentojë mbi rastin, duke u shprehur: “Çdo kërcënim i mundshëm trajtohet me prioritet maksimal dhe hetohet në mënyrë të thelluar me mbështetjen e autoriteteve përkatëse.”