SHKODER- Rreth 4375 rrënjë kanabis janë gjetur dhe asgjësuar në 5 njësi vendore në Shkodër. Policia ka arrestuar 61-vjeçarin Zef Krepi, pasi kishte mbjellë 97 rrënjë kanabis në një tokë të marrë me qira në fshatin Mnelë e Vogël. Lidhur me këtë ngjarje, në prangat e policisë ka rënë edhe kryeplaku i fshatit Zef Vathaj, 61 vjeç, pasi nuk ka dhënë informacion për kultivimin e lëndës narkotike. Ndërkaq, është shpallur në kërkim shtetasi Frrok Vathaj, 58 vjeç, i cili kishte dhënë me qira parcelën ku ishte mbjellë bima narkotike.
 
Po kështu, në vijim të operacioneve antikanabis, policia e Shkodrës ka asgjësuar 197 rrënjë bimë narkotike, të mbjella në vendin e quajtur “Karmë” në Malin Markolaj, Bashkia Vau i Dejës. Ndërsa në fshatin hajn, komuna Shllak, u gjetën dhe u asgjësuan 5 parcela në të cilat ishin kultivuar 1630 rrënjë bimë narkotike.
 
Ndërkaq, 775 rrënjë bimë narkotike ishin mbjellë në 9 parcela në fshatin Mnelë.
 
Rreth 1547 rrënjë bimë narkotike ishin mbjellë në 23 parcela në vendin e quajtur “Malc”, Fshati Mazrrek, Komuna Gur i Zi; dhe 226 rrënjë bimë narkotike në 4 parcela, të mbjella në vendin e quajtur “Stanet e Kabashit”, Komuna Fierzë, në Pukë.
 
Lidhur me këtë sasi lënde narkotike të asgjësuar ka filluar procedimi penal pa autor.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)