ASHE mbyll fushatën në Durrës
Rama: PD la vendin në harresë

Kryeministri Edi Rama në përmbyllje të fushatës elektorale të Aleancës për Shqipërinë Europiane në Durrës tha se ky është vetëm fillimi i Shqipërisë moderne. Në fjalën e tij, që zgjati rreth 40 minuta, Kreu i Ekzekutivit fillimisht vuri në dukje rrugëtimin e Shqipërisë nga vitet 90’ deri më 23 qershor 2013, duke paralelizuar këtë me transformimet që pësoi vendi, në këto 18 muaj të fundit.

Duke folur për sheshin qendror të Durrësit, Rama nënvizoi se ai shesh 2 vjet më parë ishte fytyra e harresës që Qeveria i kishte bërë bashkive të majta dhe në tërësi shqiptarëve, teksa sot në atë shesh jetësohet dëshira për të jetuar. “Por, jo vetëm kaq, ne patëm fatkeqësinë që për vite të tëra të ishim viktimë e pushtetit më antiurban, më antimjedis, më antisocial, që ka pasur ndonjëherë ky vend. Një pushtet që nuk urrente vetëm socialistët, por që urrente çdo formë urbanizimi që mund t’i jepte formë apo jetë një qyteti shqiptar dhe europian”, tha ai.

Ai pushtet nuk ishte thjesht ajo qeveria që kishim në Tiranë, por ishte një verbëri. Një pushtet sakat në zemër dhe bosh në kokë”, tha Rama. Sipas tij, pushteti i 18 muajve më parë ishte pushteti që frymëzoi një tumor të frikshëm në vend dhe bëri të rinjtë që të thonin nuk jetohet në këtë vend. Pushteti i 18 mujave më parë ishte aq i verbër, që ikte e vinte nga aeroporti i Rinasit dhe nuk i bënte përshtypje hyrja e Shqipërisë Europiane”, tha ai më tej.

“Sepse ai ishte një pushtet njerëzish indiferent ndaj papastërtisë, rrëmujës dhe kënaqej nga batërdia e investimeve pa plan dhe krenohej me riparime pa shije të një Shqipërie që zhvillohej në rrënim, që hante veten, në rrugën e një zhvillimi kaotik, duke humbur tokë, bukë, sipërfaqe pyjesh e kanale ujitëse dhe vaditjesh”, tha Rama.

Duke vijuar me paraardhësit e tij në qeveri, Rama tha se halli më i madh e mëkati më i madh ishte se i pëlqente ky dështim epokal, që do të shënohet në historinë e Shqipërisë si një periudhë mangësie të madhe.

Në pjesën e dytë të fjalimit të tij, Kryeministri vuri në dukje transformimet që kanë pësuar qytetet shqiptare gjatë këtyre 18 muajve të fundit.

“Në këto 18 muaj, vendi ka pësuar transformime të mëdha. Transformime të cilat japin shpresë se vendi po lëviz në drejtimin e duhur. Duhen sakrifica dhe shumë punë, ashtu siç ishte në këto 18 muaj punë e sakrificë sheshi i Durrësit, që tashmë është njëri nga më të bukurit në Shqipëri, ndërsa ai i Tiranës është kthyer në një kartodrom”, tha Rama, i cili shtoi se sot shqiptarët dhe durrsakët po përjetojnë një moment historik në jetën e tyre.

“Nuk ka asnjë pikë dyshimi që sot po përjetojmë momentin historik të kthesës në drejtimin e duhur”, tha Rama. Kryeministri i vendit në pjesën e tretë të fjalimit i bëri thirrje të gjithë durrsakëve të vijojnë të votojnë Aleancën për Shqipërinë Europiane, pasi tashmë ka ardhur momenti që ata të marrin atë që meritojnë e që kanë kërkuar prej kohësh”, vijoi Rama.

Në 18 muaj bilanc qeverisës, Korça, Burreli, Lushnja, Berati, sipas tij, kanë filluar të përjetojnë ndjesinë e ndryshimeve rrënjësore. “Është ajo ndjesia që prek shpirtin, që lidh njeriun me qytetin. Nuk mund të ketë mirëqenie aty ku ka dëshrië të vrarë për të parë bukur. Kjo është ajo që po ndodh dhe kryevepra e Vangjush Dakos. Durrësi nuk ka qenë asnjëherë më mirë se sot”.

Por unë, theksoi Rama, s’kam asnjë dyshim, që Durrësi që meritojnë banorët e Bashkisë së re duhet të jetë shumë herë më shumë se kaq.  Kryeministri mbylli fjalën duke theksuar se vota për Vangjush Dakon është një votë për familjen, është një votë për fëmijën, është një votë për të ardhmen.


Dako: Në Spitallë zonë të lirë ekonomike, trefishojmë fondet për njerëzit në nevojë
“8 vite më parë premtuam rrugë për Durrësin. E mbajtëm premtimin, rritëm cilësinë e jetës. Rrethimi i qeverisë së kaluar na mbajti peng. 3 janë shtyllat ku ne mendojmë të zhvillojmë qytetin. Zotohemi se do të përmirësojmë infrastrukturën. Do zgjidhim përfundimisht problemin e ujit të pijshëm. Do shfrytëzojmë dy asete, tokën dhe detin. Në Spitallë do ndërtojmë zonë të lirë ekonomike. Një nga shtyllat e rëndësishme zhvillimi human. Do trefishojmë fondet për njerëzit në nevojë.”- tha Dako

Meta: Do të ofrojmë shërbime evropiane
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në mitingun madhështor të zhvilluar në mbështetje të Kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”,  Vangjush Dako.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryeministri Edi Rama, anëtarë të kabinetit qeveritar, krerët e partive aleate si dhe deputetë të Qarkut të Durrësit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Meta shprehu bindjen në fitoren e zgjedhjeve të 21 qershorit të Dako dhe të ASHE-së.


“Gëzuar në këtë shesh të mrekullueshëm dhe të jashtëzakonshëm, sheshin “Liria” dhe së dyti gëzuar këtë fitore të jashtëzakonshme të Vangjush Dakos në 21 qershor dhe të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”. Edhe pak orë kanë ngelur në respekt të Kodit për të përfunduar këtë fushatë të mrekullueshme kaq qytetare, kaq evropiane të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” anembanë vendit. Jam i sigurt se populli i Bashkisë së re të madhe të Durrësit do të jetë në krye të fitores së “Aleancës për Shqipërinë Europiane” në 21 qershor. I ftoj të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim që në radhë të parë  të shkojnë për Nr. 1, Vangjush Dakon dhe pastaj normal edhe për 47-ën. Por të jeni të sigurt ju se këtu në Durrës Vangjush Dako nuk do të marrë vetëm votat e të gjithë socialistëve, të votuesve të LSI, të votuesve të FRD-së, të PDS-së,  të PDIU-së, por fitorja do të jetë më e madhe se sa votuesit e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” sepse Vangjush Dako do të marrë edhe votat e republikanëve të cilët me votat për Vangjush Dakon do të ndëshkojnë Lulushin i cili u tall me Fatmir Mediun siç tha vetë Fatmiri para se të fillonte fushata”, tha Meta.
Lideri i LSI-së bëri apel qytetarëve që të shkojnë të gjithë në 21 qershor, me kulturë, me qetësi dhe dashuri të votojmë për Nr. 1 Vangjush Dakon dhe të votojmë për “Aleancën për Shqipërinë Europiane”.

“Aleanca për Shqipërinë Europiane” nuk është për të mundur qarramanët të cilët këto nëna të mrekullueshme ju duken si bandite, gratë ju duken si bandite, të rinte dhe të rejat u duken si bandite, ndërkohë që vetë janë kthyer në një bandë shpifësish të cilët të trembur nga ky vullnet i jashtëzakonshëm mbarë popullor  të trembur nga kjo tolerancë e jashtëzakonshme, që ne kemi treguar si asnjëherë tjetër në zgjedhje, kërkojnë të njollosin standardet. Pse nuk dalin edhe ata të deklarojnë se dhe për ata më të rëndësishëm janë standardet se rezultati? Përse nuk dalin dhe ata të deklarojnë le ti fitojë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” të 61 bashkisë se nuk ka problem, rëndësi kanë standardet? Nuk e bëjnë dot këtë sepse ata e dinë shumë mirë se shqiptarët nuk votojnë më për sharës dhe shpifës profesionistë. Shqiptarët votojnë për alternativa konkrete dhe Durrësi në 18 muaj të qeverisë Rama e ka ndjerë progresin e bërë nga bashkia dhe nga Vangjush Dako dhe Sheshi “Liria” është dëshmia më e shkëlqyer se si këto standarde  do të jenë prezente në të gjithë bashkinë e re të madhe të Durrësit.

Prandaj të shkojmë të gjithë në 21 qershor, me kulturë, me qetësi dhe dashuri të votojmë për Nr. 1 Vangjush Dakon, të votojmë për “Aleancën për Shqipërinë Europiane”, tha Meta.

Kryetari i LSI-së garantoi e menjëherë pas zgjedhjeve, do të nis puna për vënien në jetë të projekteve.

“Në datën 22 qeveria do të rifillojë punën bashkë me 61 kryetaret dhe kryetarët e bashkive në të gjithë vendin për të ofruar shërbime evropiane për të gjithë qytetarët dhe për të punuar të gjithë për të ç’rrënjosur varfërinë përmes rritjes së punësimit. Votoni Nr. 1 Vangjush Dako, votoni “Aleancën për Shqipërinë Europiane”. Edhe njëherë u bëj thirrje të gjitha vajzave dhe grave dhe nënave te kutitë e votimit. Kjo është aleanca që e ka fuqizuar si asnjëherë tjetër rolin e tyre në shoqërinë tonë. Fitore!”, theksoi Meta.


Topi: Kuptimi i ASHE, bashkëpunimi për vendin tonë
“Kuptimi i ASHE, bashkëpunimi për vendin tonë. Reforma territoriale me vonesë, por u realizua. Konflikti në Këshillin Bashkiak në Tiranë ka bllokuar banesat sociale në Tiranë, prandaj jemi bashkë, për bashkëpunim.” – tha Topi.

Më tej ai vlerësoi kandidatin e ASHE për Durrësin, Vangjush Dakon.  

Paskal Milo votoni edhe PDS-së, ka qenë gjithmonë aleate
Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo në mitingun përmbyllës ka kërkuar edhe votat për PDS-në, si një parti që sipas tij ka qenë gjithmonë aleate e Aleancës për Shqipërinë Evropiane.

Blendi Klosi: Dako ka projekte konkrete, do fitojmë bindshëm
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë,  Blendi Klosi ndërsa shprehu mbështetjen për kandidatin Vangjush Dako për Durrësin, tha se ai ka programe konkrete për këtë qytet.

“Fitorja jonë do të jetë madhështore. Dako ka treguar vullnet dhe angazhim në këto vite në krye të bashkisë së Durrësit. Ai ka një projekt konkret për qytetin. Vangjushi e do këtë qytet, dhe ka hartuar projekte madhështore. Dashuria që ka Vangjushi tregohet në çdo detaj. Ne kemi një aleancë të mishëruar më së miri në bashkëpunimin dhe mbështetjen e kandidatëve”, tha Klosi.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave