Ministria e Brendshme prezantoi propozimet për ndryshime në Kodin Rrugor ku ajo që vihet re është rritja e gjobave për personat që konsumojnë alkool në timon dhe përdorin telefonat celularë gjatë drejtimit të makinës. Gjoba maksimale për konsumim alkooli shkon në 40 mijë lekë të reja dhe pezullim patente deri në 2 vjet, ndërsa përdorim i telefonit merr një gjobë  5 - 15 mijë lekë të reja dhe nëse shkelja përsëritet 3 herë brenda vitit, vlera e gjobës dyfishohet deri në 30 mijë lekë dhe pezullimin patente për 3 muaj.  

Po çfarë mendojnë qytetarët për ashpërsimet e Kodit Rrugor? Pjesa më e madhe e tyre shprehen për Report Tv se janë dakord pasi si alkooli dhe telefoni janë burim aksidenti, ndërsa ka dhe shoferë që shprehen se kjo duhet të kthehet në kulturë dhe nuk bëhet me gjoba të larta për të mbushur arkën e shtetit.

'E drejtë, por përgjithësisht gjobat e larta nuk funksionojnë në Shqipëri. Për telefonin jam dakord, unë vetë nuk e përdor në makinë', tha një drejtues makine.

'Shumë mirë e bëjnë dhe për telefonin dhe për alkoolin", tha një tjetër shofer.

'Shumë mirë do bëhet. Unë vetë e përdor telefonin, por i kam gjetur një vend të përshtatshëm në makinë. Gjoba është e rëndë por duhet të mësojnë, është edukative', tha një drejtues.

'Shumë mirë po bëjnë. Po të duan t'ua u mbajë xhepi shqiptarëve. Unë vetë se përdor telefonin në makinë. Është shumë gabim. Jam shumë i kënaqur dhe me këto ndryshime dhe për alkoolin', shprehet për Report TV një drejtues.

' Po nuk është zgjidhje kjo. Kjo bëhet vetëm për të mbushur xhepat e tyre dhe të marrin ryshfet policët. Shqiptarët se përballojnë dot këtë gjobë. Ata janë për bukën e gojës. Me gjithë këto taksa nuk kanë çfarë përballojnë. Mospërdorimi telefonit në makinë është një gjë e mirë, por duhet të bëhet kulturë kjo gjë, po jo me gjoba të mëdha me mbush arkën e shtetit. Njerëzit nuk kanë bukë të hanë.' tha një drejtues.

Viti 2020 është shpallur dhe viti i sigurisë rrugore, ku shtimi i patrullave të policisë për kontrolle në pikat kyçe ku njihen dhe si njolla të aksidenteve fatale dhe vendosja e radarëve janë disa prej masave që ka marrë policia gjatë kësaj kohe.