Askush nuk mund të mërzitet me një artist si Aleksandër Gjoka, çfarëdo që ai të thotë. Askush nuk mund të gjykojë një mit e një vlerë e në Shqipëri, nuk i kemi me shumicë, ta pranojmë këtë. Mund të shahet një dikush që shqiptarët duhet të mendohen mirë se kush është. Foli ky, foli kjo, kush janë? Çfarë kanë bërë? Me Aleksandër Gjokën kjo nuk mund të ndodhë. Ai le të thotë ç’të dojë për këdo. Janë më të sinqerta e të pastra fjalët “e pista” të një artisti si ai, nga shumë fjalime e analiza që dëgjojmë. Thënë kjo, le të merremi me veten.

Ne të tjerët, që nuk jemi as mite dhe as legjenda, duhet të respektojmë rregullat, që të dalë nga karantina po i harrojmë. Distancimi fizik, higjena, maskat nuk janë shenja të një konspiracioni botëror, qindra mijëra viktima në botë janë realë dhe jo fryt i fantazisë së kushedi se kujt. U lodhëm duke e thënë: ilaçet, vaksinat kanë bërë që pjesa e popullsisë në botën moderne të arrijë një moshë të lartë mesatare jetese, mbi 70 vjeç, në këto vite progresi dhe shkence, ndërsa, pa shkuar deri në mesjetë kur njerëzit kuroheshin vetëm me bimë, por edhe në vitet ’20 të shekullit të kaluar në Shqipëri, Europë e më gjerë, mosha mesatare ishte vetëm 50 vjeç. Nuk e di pse duhet të luftojmë me mullinjtë e erës për të bërë që disa të besojnë faktet, të dhënat, shifrat, në vend që të magjepsen nga fantazia e konspiracioneve; por ka shpjegime shkencore dhe studime edhe për këtë: Një pjesë e njerëzve pranojnë më kollaj të besojnë magjitë, intrigat e thashethemet se sa të lodhin kokën me studime, lexime, libra dhe fakte. Eshtë më e vështirë për disa të dëgjohet një shkencëtar sesa një rrëfimtar barcaletash me shtriga e funde filxhanesh. Lëre pastaj kur këta magjistarë sjellin edhe dëshmitarë të magjive dhe mrekullive të tyre. Aktorët nuk janë asgjë para këtyre.

Dy ditët e fundit në Tiranë shifra e të infektuarve e kaloi numrin 20, nga pak raste që kishim më parë. Mes tyre të infektuar edhe 13 mjekë dhe infermierë në QSUT. Kjo është alarmante. Kjo do të thotë që e kanë ulur vigjilencën dhe janë sjellë të pandërgjegjshëm dhe të pavetëdijshëm dhe bluzat e bardha. Imagjinoni pjesën tjetër të popullatës që sheh me nënqeshje e me përbuzje dikë që lëviz me maskë. Dhe në fakt e keni vënnë re, kush po ndërgjegjëson më për koronavirusin veç pak mjekëve që e shohin si detyrë e përgjegjësi qytetare? Nëse nuk flet kryeministri, një shtet i tërë kthen kokën nga ana tjetër, ndërgjegjësimet sa vijnë e zhduken e zhduket çdo gjurmë e detyrës që duhet të mbajë të zgjuar e në gatishmëri akoma gjithë popullatën.