Kur je jashtë Shqipërisë për një fare kohe të gjatë, arrijnë me forcë të jashtëzakonshme mesazhet e urrejtjes ose nga mediat ose, tashmë përherë e më shumë nga individë me mediat e tyre sociale. Duket sikur në Shqipëri po bëhet nami. Aq sa, disa shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit e po vinin me pushime këtë verë në atdhe, na thanë në mënyrë konfidenciale se ishin përgatitur dhe se “ishin armatosur” kundër urrejtjes së perceptuar. Në këto muaj ata kishin vënë re se shqiptarët po urrenin njëri-tjetrin në një shkallë sipërore, aq të lartë saqë, po mendonin gjatë se si ta çarmatosnin urrejtjen nga pjesëtarë të tjerë të fisit apo të njohur që mund të kishin simpati apo përkatësi të ndryshme partiake dhe si të shpëtonin pa “gjakderdhje” pas debateve mes tyre.

Si shqiptarë të mirë emigrantë kishin menduar, ashtu siç e thonte Faik Konica, se “Urrejtja nuk çarmatoset nëpërmjet heshtjes dhe asnjanësisë”, ndaj ishin përgatitur t’i përgjigjeshin çdo provokimi, sharjeje, aludimi, romuzi, kundërshtimi, pretendimi, pritshmërie, me përgjigje në lartësinë e duhur. Një përgatitje disa mujore për të gjitha temat që në Shqipëri ishin në rendin e ditës dhe që nga jashtë shtetit kishin formën e një ububuje. Duke nisur që nga Sazani, Zvërneci, flamingot, partitë në protestë e partitë të evokuuara për djegie në turrë të druve, deri te teoritë e konspiracionit para, gjatë dhe pas kovidit. Stërvitja ishte bërë familjarisht: Çfarë do t’u përgjigjemi xhaxhait kur të na thotë këtë, si do ta shmangim komshiun kur të na thotë atë, si do ta ”palosim” kushëririn kur të na kontestojë se nuk marrim vesh se jetojmë jashtë… etj. etj.

Por me të mbërritur në Rinas, në vend të luftës imagjinare perceptuan tjetër gjë: Si përvit kishin ardhur për t’i pritur kushërinjtë më të afërt. Udhëtuan bashkë me dhjetëra të rinj që vinin si turistë në Shqipëri. Dhe Tirana ishte ekzaktësisht njësoj si në verën e vitit të kaluar. Njerëzit mikpritës e të qeshur kudo, ajo urrejtje që kishin perceptuar dhe një klimë armiqësie në prag të luftës civile, nuk i rezultoi.

I shkoi kot gjithë ajo përgatitje për të përballur të njohur miq e të njohur kundërshtarë. Tani i takon të shijojnë si përherë gjërat e mira për të parë dhe për të ngrënë, e sidomos shakatë e romuzet pa të keq tipike shqiptare. Gusht të mbarë!