Valle d’Itria në Puglia-n përballë është një luginë gjigande mes Barit dhe Brindizit mbushur me ullinj shekullorë. Kërcënohet nga bakteri Xylella, që para pandemisë thau mijëra rrënjë në Salenton më të nxehtë. Administratat lokale po luftojnë fort që të shpëtojnë këtë “mushkëri” gjigande të Puglia-s.
Dhe kanë të drejtë! Këtu, edhe me boom-in e ndërtimeve në Italinë e viteve 60-70-80, nuk është ndërtuar asgjë! Vetëm janë ristrukturuar shtëpi të vogla fshatarësh, trulli, apo magazinat ku mbanin veglat e punës që në qindra mijëra hektarë, mbulojnë pak dhjetëra metra katrorë. Këtu Toka merr frymë lirisht dhe shpërblimi që u jep banorëve të saj është i disafishtë. Duke filluar me freskun e natës dhe të mëngjesit. Këtu, mes ullinjve dhe drurëve të tjerë frutorë, edhe pse me temperaturat më të nxehta të kohëve që gjatë ditës shkojnë deri në 40 gradë, në mbrëmje, Toka e lirë nga ndërtimet, asfalti e betoni, e ka përthithur gjithë nxehtësinë dhe banorëve të saj ua lehtëson mbrëmjen e mëngjesin me puhizë. Temperaturat ulen deri në 10 gradë dhe nga ullinjtë vjen një fllad që më shumë ngjan me frymëmarrjen e Tokës së çliruar.
Me siguri është e njëjta gjë dhe në fshatrat tonë autentikë, jo ato “turistikë” ku kanë ndërtuar ngjitur e ngjitur duke mbuluar me beton çdo centimetër dhè, duke penguar frymëmarrjen e shenjtë të Tokës mëmë. Qytetet janë bërë të pajetueshëm pikërisht për këtë arsye: mermerët, asfalti, betoni, xhamat, përvëlojnë gjatë ditës çdo gjë duke e kthyer në ferr të nxehtë natën. Toka nuk ekziston në qytet. Ja kanë zënë poret, hundët, mushkëritë, lëkurën dhe Ajo lëngon, e bashkë me të dhe qytetarët e saj që duhet ta kuptojnë sa nuk është tepër vonë. Toka duhet çliruar. Është ekzagjeruar me mbytjen e saj. Me prerje e tharje pemësh që duhen urgjentisht zëvendësuar. Nuk është më një kapriço ambientalistësh dhe OJF-sh.








Komente
Komento