Një mbrëmje artistike krejt e veçantë u dhurua për artëdashësit në Qendrën Kulturore Tulla në Tiranë. Vargjet e poezisë ndërthurur me muzikë dhe një ironi të thellë ndaj realitetit, reflektuar që në titullin e librit më të ri të shkrimtarit nga Kosova Shpëtim Selmani, “Askush nuk e meriton zemërimin tim”.
“Kam shumë hatërmbetje dhe zemërim për mënyrën se si funksionon bota dhe shoqëritë. Ky libër është një farë meditimi dhe një bashkëbisedim me realitetin, me kompromiset dhe me mënyrën se si përpiqemi të mbijetojmë.”, tha Selmani.
Performanca poetiko-muzikore “Luftë a tifo” solli në skenë një ndërthurje të letërsisë me muzikën dhe teatrin. Përmes reflektimeve personale, Selmani trajton në librin e tij raportin e individit me shoqërinë, politikën dhe realitetin e përditshëm.
“Arti, muzika dhe letërsia janë mënyra për ta kanalizuar atë që ndiejmë. Njeriu është i lirë të dashurojë dhe dashuria nuk duhet të ketë kufij në mendjen tonë.”, vërejti shkrimtari.
Për bashkëpunëtorët dhe artistët që e njohin nga afër krijimtarinë e tij, Selmani mbetet një zë i veçantë në letërsinë bashkëkohore shqiptare.
“Shpëtim Selmani është një nga shkrimtarët e rinj më interesantë nga Kosova. Ai është shumë i drejtpërdrejtë dhe nuk bën kompromise me realitetin social apo politik.”, tha Alban Nimani.
I njohur për stilin e tij kritik dhe ironik, Selmani vazhdon të ndërthurë letërsinë me performancën skenike, duke krijuar një formë unike shprehjeje artistike.
Komente









