Asllan Kasa, doktori shijakas i sportistëve më të mirë

Asllan Kasa, doktori shijakas i sportistëve më të mirë

Asllan Kasa

Asllan Kasën e gjejmë në oborrin e shtëpisë së tij, në hyrje të qytetit të Shijakut. Dy bashkëshortë kanë ardhur t'i shprehin mirënjohjen, pasi diagnoza e tij dhe kujdesi mjeksor për zonjën e re në moshë kanë gjetur miratimin e mjekëve në spital. Buzëqeshja është rikthyer në fytyrën e gruas së re, e cila pak muaj më parë rrezikohej të priste dorën. Nuk është e vështirë të kuptohet që edhe mjeshtri Asllan Kasa ka të njejtën kënaqësi. Kemi ardhur buzë lumit Erzen, ku ai ka shtëpinë dhe studion për t'u njohur me botimin “Metodologjia ime kurative në dëmtimet sportive”, një libër i shkruar mbi bazën e shënimeve të ruajtura prej tij për 50 vjet radhazi. Një karrierë e gjatë, e cila ka nisur me formimin si teknik nafte, në shkollën e mesme të Kuçovës, si dhe punën në këtë profesion në zonën e Bulqizës.“Nuk jam mësuar të them jo asnjëherë, dhe megjithëse kur isha adoleshent më pëlqente piktura, pranova të shkollohem në degën e gjeologjisë"-tregon Asllani për fillimet e tij. Djaloshi nga Shijaku bëhet pjesë e ekipit të atletëve-studentë të degës së Gjeologjisë, por kanë mjaftuar pak javë që drejtuesit e Institutit të Kulturës Fizike ti drejtonin sytë nga Asllan Kasa. “Ata e dinin që kisha mbaruar edhe shkollën e mesme mjeksore me korespondencë, e po ashtu që isha kujdesur gjatë verës për ekipin e futbollit “Erzeni”-tregon njeriu që pas kësaj e ka lidhur jetën me në sportive dhe fushat e blerta të fubollit jo vetëm në të gjithë vendin, por edhe në stadiume legjendare të Evropës.

Nga viti 1967 – 1993 pa asnjë ndërprerje ai është masazhatori i ekipeve “Lokomotiva” të Durësit dhe e bën këtë pa asnjë shpërblim. Ndër vite ai do të kontribuojë edhe në ekipet “Besa”, “Shkumbini”, “Kastrioti” e “Dinamo”, pa harruar përvojat me ekipe të tjera sportive si gjimnastikë, peshëngritje, volejboll, basketboll, etj. Ish-lojtarët durrsakë kujtojnë se “në ekipin “Lokomotiva” dhe në ekipet përfaqësuese të futbollit ku ai kryente rolin e masazhatorit, Asllan Kasa ishte amortizatori më i mirë në marrëdhëniet mes futbollistëve dhe drejtuesve. I qeshur dhe me një humor për tu patur zili ai bëhej për ne njëlloj nxitësi për rezultate më të mira. Na jepte kurajë dhe besim atëherë kur kjo na mungonte”.Duart e arta të Asllan Kasës gjatë kësaj periudhe i vijnë në ndihmë qindra pacientëve qytetarë jo vetëm në qytetin bregdetar. Drejtuesit e shkollës së mesme të Fiskulturës në Durrës kishin lënë në dispozicion të tij një dhomë që shërbente si miniklinikë. Në fillim të viteve 1980, në regjistrat e tij shënoheshin mbi 22 mijë vizita mjeksore, ndërsa aktualisht ky numër ka kaluar 200 mijë. “Nuk e di mirë se përse u lidha me shëndetin e njerëzve, por gjyshja kishte një kuti “misterioze” për sytë e mij, në të cilën mbante akrepë e gjarpërinj të vegjël dhe helmi i tyre shërbente si ilaç për disa sëmundje" – kujton Asllani kodin gjenetik të fëmijërisë së hershme. Disa qindra metra më tej në Shijak banonte Cen Bulku, një tjetër usta i thyerjeve të gjymtyrëve. “Ishte një humanist i madh babë Ceni" – përkufizon Asllan Kasa. Mjeshtri shijakas ka kaluar në duart e tij thuajse të gjithë futbollistët e ekipeve tona kombëtare të futbollit “Shpresa” dhe të të rriturve.

Ai i ka ndjekur ata në takimet ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Dhe kjo ka vijuar edhe në vitet 2000 me trajnerët e huaj që drejtuan skuadrat A të fubollit. Futbollisti i Kombëtares së viteve 1980 Haxhi Ballgjni shkon më tej kur thotë se “nuk ka sportist cilësor në vendin tonë që të mos ketë kaluar nëpër duart e masazhatorit Asllan Kasa. Në mesin e viteve 1980 gjatë një ndeshjeje ndërkombëtare ndaj përfaqësueses turke unë pësova një traumë të rëndë dhe i gjithë ekipi mjeksor këshilloi ndërhyrjen kirurgjikale – kujton ish-mesfushori i njohur. Mund të humbisja përfundimisht të ardhmen sportive, por i besova duarve të Asllan Kasës. Në të njejtën kohë bashkë me mua mjeshtri Kasa trajtonte kampionen e shquar të gjimnastikës Mimoza Risto. Asllan Kasa është përkujdesur për ne, çdo ditë, me ushtrime, fizioterapi dhe masazhe në mjediset e shkollës së mjeshtrisë sportive të Durrësit”. Haxhi Ballgjini tregon entuziast: “Ishte një mrekulli e pabesueshme, kur bashkë me Riston, ne ishim të gatshëm të përballonim sezonin e ri sportiv njëlloj si më parë. Gjithçka falë pasionit, devotshmërisë dhe sakrificës së jashtëzakonshme të Asllan Kasës”.

Në kopertinën e pasme të librit “Metodologjia ime kurative në dëmtimet sportive” një tjetër ish-futbollist me emër, Altin Rraklli, “nënvizon se përveç punës së shkelqyer me ekipin A të futbollit, jo vetëm si masazhator i zoti, por edhe si baba, vëlla e mik i mirë, unë do të veçoja vitet në Turqi, kur unë luaja me ekipet turke dhe ai punonte me sukses si masazhator dhe riaftësues fizik. Vlerësime kaq pozitive rrallë kisha dëgjuar dhe dëgjoj”-shkruan ish-bomberi kavajas. Pikërisht në vitin 1993 Asllan Kasën e ftojnë të kontribuojë në disa ekipe të kampionatit turk të futbollit. Për një dhjetvjeçar ai bëhet pjestar i stafeve me ekipe që kanë emra kumbues në futbollin evropian, mes të cilave edhe “Gallatasaraj” dhe “Fenerbahçe”. Një nga gazetat sportive turke shkruan në titull se “Asllani nuk është magjistar, por bën mrekulli”.Mjeshtri i dëmtimeve sportive kthehet në Shijak në vitin 2003, me një përvojë të re, por edhe me dokumentin e shtetësisë turke, të cilën ai e sheh më shumë si shenjë mirënjohjeje të vendit në të cilin punoi për një dekadë. Asllan Kasa tre javë më parë ka festuar 76-vjetorin e lindjes, por nuk ka ndërmend ti largohet profesionit të tij, përkundrazi. Dita e tij nuk ka orar. “Dëmtimet apo nevojat e pacientëve nuk kanë orar"-shprehet Asllani, i cili sidoqoftë në çdo moment të lirë do ti kushtohet diçkaje tjetër.

“Metodologjia ime kurative në dëmtimet sportive”, libri i jetës

Viti 2018 ka qenë mjaft produktiv për Asllan Kasën. Ai publikon 6 vëllime me poezi, dhe përgatit për botim librin “Tregime për trupin dhe shëndetin”. Megjithatë ai nuk e mohon se “Metodologjia ime kurative në dëmtimet sportive” është libri i jetës së tij. 335 faqe me trajtesa intensive, ku nuk mungojnë rastet e veçanta të trajtuara gjatë viteve, me pacientë sportistë cilësorë të të gjitha fushave. Qindra riprodhime fotosh dhe tabelash e bëjnë punën e Asllan Kasës shumë më konkrete për lexuesin. Në kapitullin e fundit ai jep një sërë porosish të çmuara për sportistët, por që u shërbejnë jo pek kujtdo që merret me sport edhe si amator. Në 15 kapitujt e librit ndjehet bashkë me përvojën edhe pasioni gjysëmshekullor i autorit për profesionin e tij. Pasion që vijon i pandryshuar edhe tani.

Libri i Asllan Kasës

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni

NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Poloni