Procesi i verifikimit të dëmeve në banesat e përmbytura në fshatin Ferras , ka nisur që prej ditës së djeshme dhe do të vijojë edhe gjatë ditëve në vijim. Grupet e punës në terren po evidentojnë dëmet e shkaktuara nga uji në banesa, orendi dhe infrastrukturë, në një proces që sipas autoriteteve vendore është kompleks dhe kërkon kohë.
Në një prononcim për mediat, nënkryetari i bashkisë Fier, Nusret Avdullai, theksoi se verifikimi i dëmeve nuk është një proces i lehtë dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë me banorët e prekur nga përmbytjet. Ai apeloi për ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve, sidomos gjatë njoftimeve paraprake për rrezikun dhe marrjen e masave mbrojtëse.
“Njerëzit janë në të drejtën e tyre për shqetësimet që kanë, por duhet të kuptojnë vështirësitë që kemi. Ne si qytet kemi fatin që lagemi nga dy lumenj, por kemi edhe riskun nga natyra që prekemi nga fatkeqësitë natyrore. Bashkia Fier është goxha e impenjuar si në lumin Vjosë, ashtu edhe në lumin Seman që është në pikë kritike. Për fshatin Ferras, për fat edhe të kohës që po hapet, lumi Vjosa është në shtratin e vet dhe ne do të merremi me të gjitha detajet pë t’iu gjendur të gjitha familjeve që u përmbytën. Nuk do të ngelet asnjë familje pa u kompensuar për dëmet që iu janë shkaktuar”, tha Avdullai.
Sipas Avdullait, thirrjet për evakuim nuk bëhen rastësisht, por bazohen në vlerësime dhe rreziqe reale. Ai u bëri thirrje banorëve që t’u përgjigjen këtyre njoftimeve në kohë, për të shmangur situata të rrezikshme për jetën dhe pronën.
“Njerëzit duhet të jenë më koshientë se në momentin që vjen uji, nuk bëjmë dot gjë. Largimi i tyre me t’u dhënë njoftimi, njerëzit duhet të jenë më të përgjegjshëm”, shtoi nënkryetari.
Ndërkohë, problematike mbetet situata në lumin Seman, ku niveli i ujit vijon të jetë i lartë. Në zonë ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ka inspektuar nga afër gjendjen dhe u ka garantuar banorëve mbështetje të menjëhershme. Ministri ka premtuar sigurimin e bazës ushqimore për familjet e prekura, si dhe transferimin e bagëtive në ambiente më të sigurta, konkretisht në tregun e gjësë së gjallë në Fier.
Nënkryetari i bashkisë Fier bëri të ditur gjithashtu se prurjet e lumit Seman pritet të kenë tendencë rritjeje pas mesditës, çka e bën situatën edhe më delikate. Për këtë arsye, strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile po mbajnë në monitorim të plotë situatën, ndërsa janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, nëse do të jetë e nevojshme.
“Është në monitorim të vazhdueshëm, nga burimet te hidrocentralet, akoma Semani është në ngritje. Kjo pasqyrohet rreth orës 4 të mëngjesit që ishin në kuotën maksimale. Nga komunikimi që kemi me hidrocentralet, shkarkimet kanë rënë. Sasia që vjen nga hidrocentrali i Banjës këtu në Mbrostar, do rreth 4-5 orë, besoj do të ketë pak ngritje dhe pastaj do të fillojë ulja”, u shpreh Avdullai.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të informuar, të respektojnë udhëzimet zyrtare dhe të shmangin zonat e rrezikuara, deri në përmirësimin e situatës.
Lajmi kryesor:
Moti i keq në Shqipëri/ Lumenjtë dalin përsëri nga shtrati, hidrocentrali i Fierzës nis shkarkimet











