Debati për tryezën e opozitës ka irrituar Alfred Lelën, i cili ka sulmuar të gjithë ata që e mbajnë veten intelektual dhe nuk iu bashkuan tryezës së opozitës.
Kryekëshilltari mediatik i Sali Berishës ka sulmuar ashpër intelektualët që refuzuan ftesën, duke i etiketuar shumicën si “prole të fjalës” dhe duke kursyer vetëm Fatos Lubonjën. Në një shkrim ironik Lela vë në diskutim jo vetëm bojkotin e tryezës, por edhe vetë statusin e intelektualit publik në Shqipëri.
Shkrimi i plotë:
Tryeza e opozitës dhe trapezat kontestatorë
Që Shqipëria është plot me ‘intelektualë’, të cilët mbahen të tillë, edhe pse librin e fundit e kanë lexuar kur kanë qenë në universitet-dhe ka qenë tekst shkollor- kjo dihet. Apo se, këtu te ne, ‘intelektual’ quhet kushdo ka një diplomë universiteti-edhe pse këto janë bërë si injeksionet botox të cilat tashmë i ofrojnë edhe dentistët- dihet gjithashtu.
Cka nuk dihet, dhe as dallohet, është se një intelektual (publik) është i tillë mbi tri premisa: i lidhur me veprimtari krijuese (dhe e ushtron këtë në shtyp, arte apo universitet); ka një zë publik, pra nuk është mendimtar ‘i kullës së fildishtë’ dhe, së treti, e përputh idealin e fjalës me të veprimit.
Tani nga maja e teorisë zbresim në fushën e praktikës, te tryeza e dialogut, thirrur nga udhëheqesi i opozitës, Sali Berisha, dhe te reagimi i ‘intelektualëve’ përkundër saj. Fjalën intelektual do ta përdor në thonjëza, sepse të gjithë reaguesit, përjashto Lubonjën, i klasifikoj (mos m’a falni paragjykimin!) si prole të fjalës, një farë që e ka mbjellë interneti me gjithësinë, paanësinë dhe rrjetësinë (world wide web). Thënë shkoqur: kanë gojë dhe gjuhë, kanë faqe në rrjete, podcaste nëpër dhoma gjumi, japin mësim në semiuniveristetet e Tiranës apo rretheve, por nuk janë intelektualë. Pra, nuk krijojnë. Përsërisin të njëjtat klishe, të njëjtat imazhe, të njëjtën butafori të mendjes dhe veprimit. Kur e shohin se nuk ngjisin në mainstream, hidhen në tregjet e konspiracionit. Qëllimi është një: të futen në qendër përmes ekstremeve, pra jo përmes krijimit, por habishkaktimit.
Pse, këta ‘intelektualët’, e kapën me tryezën e opozitës, secili nga këndi i vet i fandaksjes? Sepse ata i presin krizat si shpëtimtare për rolin e tyre, shpresojnë se nëpër trazirat e tyre to do kalojnë nga margjinat në qendër. Instinktin e kanë të saktë: vetëm krizat mund t’i shpëtojnë ekstremistët, në momente qetësie ata nuk janë më shumë se një lëmsh psikologjik që kërkon të çtirret diku. Duke e perceptuar opozitën në krizë, ata hutohen kur nuk i thërrasin me emër të përveçëm, publikisht, që të begenisin tryezën, jo si të barabartë, jo si veprimtarë, por si shpëtimtarë. Në kokën e kokolepsur kanë ravijëzuar një aula magna ku, edhe në mos qofshin në krye, rrumbullakësia e tryezës u krijon iluzionin se janë. Është ëndrra e gomerëve që e dinë veten për kalorës, rrjedhimisht në tryezën primus inter pares me Mbretin Artur.
Po t’i vije re reagimet e tyre, alogjike siç janë ekstremitetet, përvijonin një ankesë sipas së cilës në tryezë i ftoka Sali Berisha dhe kjo i ftohka! Ou?! Pse, kush duhet t’i ftonte? Pëllumbi, recepsionisti i Partisë Demokratike? Fryma e shenjtë? Donald Trump d.v?
Nuk është ftesa dhe forma e saj që i shqetëson, është nevoja për të krijuar dhe luftuar një betejë imagjinare, për të pasur mullinj që fryjnë erë për balonat e iluzioneve të tyre. Ashtu të trandur, fantazojnë për horizontet ku duhet të shkojë trupa e madhe opozitare, dhe vertikalet që duhet të bëjë për të mbërritur aty.
Njëri thotë: më ftuan, por nuk shkova. Tjetri, më ftuan, shkova, por nuk më pëlqeu, se tryeza ishte drejtkëndëshe, jo si e Mbretit Artur, ku mua, ngado të më kthesh, do të isha në qendër. Dhe këtu vijmë të dallimi mes njerëzve aksidente publike dhe intelektualëve, raporti i tyre me qendrën. Të parët, ngaqë nuk e përballojnë dot vetminë dhe inkoherencën, me qendër kuptojnë veten dhe fanepsjet e tyre. Të dytët, duan të çojnë në qendër idetë, por janë mirë edhe kur qendra rrotullohet idesh të tjera. Fanepsjet e tyre nuk i shohin si ide për të gjithë, por si pjesë e procesit krijues të brendshëm. Nëse nuk pranohen, vijojnë me gjëra të tjera.
Nuk kërkoj që shija ime për këta ‘intelektualë’ t’u thotë gjë. Por kontrasti i tyre me të tjerë në tryezë duhet t’u shpjegojë diçka. Nder të munguarit e njëqind e një tekave, të blerët e një mijë e një llogarive, spurdhjakët e një million e një ‘do dalim ku të vija e mbrothët koha’, media antiopozitare solli në qendër të fandaksurit në kërkim të qendrës. Në tryezë qenë dhjetra njerëz të proceseve krijuese, secili në lamijen e vet, artistë, autorë, gazetarë, sipërmarrës, aktivistë, klerikë etj.
Asnjë nuk u theksua, sepse mediat e qeverisë vunë, si përherë, në pasqyrat e tyre fytyrat e gaztorëve, Olios e Stelios. Fakti që mediat u ndihmuan në ngritjen e këtij perceptimi edhe nga këta ‘intelektualët e hurit dhe të litarit’, dëshmon se alenaca e banalitetit triumfon më lehtë në epokën e internetit.
Mund të mos e ndalim, por të paktën mund ta shpjegojmë dhe ironizojmë.
Komente










