KORÇË- Jemi në muajin e festave, në muajin kur të gjithë festojnë e presin ndërrimin e viteve. Por nuk ndodh kështu me 3 vajzat e vogla të familjes Norolli në Vloçisht të Korçës. Mes trishtimit e lotëve qe s’iu ndalen për asnjë çast, ato kërkojnë të ndalin urinë dhe të kenë një shtëpi, për të mos vuajtur më. Artan Norolli, babai i 3 fëmijëve tregon jetën e vështirë, mes skamjes, varfërisë dhe pamundësisë për t’ia dalë mbanë.
"Unë jam veti i 5 në shtëpi, s'kam asnjë të ardhur, jam vetë i sëmurë me shtyliz. Kam 3 vajza kërkojnë për festa për çdo gjë , nuk mundem që t’ia plotësoj dëshirën . Kam vajtur edhe në bashki edhe kudo nuk më japin asnjë të drejtë, jam në mes të katër rrugëve . Kjo shtëpia që është këtu është shtëpi e botës, më kanë lënë afat 2-3 muaj, po erdhi ajo mua më nxjerrin nga shtëpia, nuk kam nga ia mbaj, kam vajtur edhe në bashki . Nuk kam asnjë të ardhur, 55 mijë lekë më japin, ato nuk më dalin për ushqime që t'i marr fëmijëve, jo për të ngrënë. As edhe një lloj të ardhure, kërkon fëmija, qajnë nuk ua plotësoj dot dëshirën , vetë jam i sëmurë nuk mundem t’ua plotësoj dot. As vetë se di…", thotë Artani.
Çdo ditë është në kërkim të një pune, por asnjëherë nuk e gjen, çdo ditë kërkon të çojë bukë për vajzat në shtëpi sërish nuk ia del. Banesa e kësaj familje ka qene ky haur i bagëtive ç'ka të kthen në realitetin e poemës migjeniane, por fqinji i tyre i prekur nga ky realitet para disa muajsh u vuri në dispozicion këtë ambient përkohësisht . Në një banesë që s'dihet se kur mund të dalin, një banesë që mundohen ta ngrohin me misërishte sepse drutë janë luks për ta. Artani me lot në sy tregon se vuajtjet s'kanë fund. Edhe një tokë që kishte, iu desh ta shiste për të kuruar vajzën e vogël në shtetin grek, e megjithatë ndihet i plotësuar që shpëtoi jetën e saj.
"Unë si baba kot sa rroj si i thonë, jam i sëmurë vet , kam 5 fëmijë nuk kam nga ia mbaj. Kërkojnë të hanë të pinë, duan për festën e Vitit të Ri, nuk u plotësoj dot kushtet s’kam nga ia mbaj. Kam kërkuar në bashki, kanë ardhur nuk më kanë ndihmuar asnjë lloj gjëje. Tokën që kisha time, kisha vajzën e sëmurë me gjendra tiroide, këtu më thonin për anemi, për një vit e shita tokën dhe nuk e shpëtova dot vajzën. Jam detyruar kam ikur në Greqi e shpëtova vajzën, nuk kam nga ia mbaj, shyqyr kam vajzën "O zot them". Kush na ndihmon, kam vëllanë e madh, po edhe ai është vet i pestë. Vetë nuk kam nga t'ia mbaj ç'na ka ndihmuar byrazeri i madh. Luten fëmija, gëzojnë, po nuk kam nuk t'ia plotësoj dot", tha ai.
Nertila nëna e 3 vajzave tregon përpjekjet e çdo dite për mbijetesë, e ndjenjat si nënë kur sheh se e ka të pamundur plotësimin e dëshirave te tyre. Në muajin e festave dhimbja shtohet kur këta prindër nuk kanë ushqim në tryezë për vogëlushët e tyre e jo me dhurata. Ata apelojnë për ndihmë sepse varfëria po i vret çdo ditë...
"Me një 30 mijë lekësh asistencë jetojmë dhe fëmijët thonë mami ne duam bukë , duam rroba, duam çdo gjë dhe kërkoj ndihmë nga njerëzit dhe nga kushdo që ka mundësinë të më ndihmojë. Jam pa shtëpi, ja këtë shtëpinë që jam këtu. Unë ka një thirrje, nuk e di nga bashkia kush mund të më ndihmojë të paktën për këta fëmijët jo për mua, për veten time nuk dua, po vetëm fëmija mos më vuaj. Vetë nuk dua ta di se vetë fle dhe jashtë, por këta fëmijë, janë shikoji vetë si qajnë si bëjnë. Nuk kam nga ja mbaj", shprehet ajo.
*Nëse jeni i gatshëm për të ndihmuar sado pak këtë familje, ky është numri i celularit ku mund t'i kontaktoni 0698250133