At Vinçens Malaj, përfytyrimi i
Skënderbeut dhe autenticiteti i tij

At Vinçens Malaj, përfytyrimi i<br />Skënderbeut dhe autenticiteti i tij
At VINÇENS MALAJ në Seminarin Ndërkombëtar të Federatës Panshqiptare “Vatra”, të mbajtur në Ney York të Amerikës në nëntor të vitit 1969, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Skënderbeut dhe 60 vjetorit të gazetës “Dielli”, mbajti referatin me temë: “Përfytyrimi i Skanderbegut dhe authenticiteti i tij”.

Sipas personaliteteve të këtij aktiviteti, viti 1968-1969 kishte qenë viti i shqiptarëve dhe sidomos atyre të mërgimit në perëndim. Përvjetori i 500-të i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, kish shërbyer për një sërë aktivitetesh të jashtëzakonshme nga mbarë bota shqiptare. Manifestime ishin kryer në Romë, Bruksel, Boston. Në një nga sheshet më të bukura të Brukselit u ngrit shtatorja e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeu. Organizime të tilla i shtynë organizatorët(Qendra Ndërkombëtare për Studime Shqiptare në Itali dhe Kryesinë e Federatës Panshqiptare “Vatra”, që të mbahej një Seminar Ndërkombëtar në Ney York në nëntor të vitit 1969.

At Vinçens Malaj është një nga studiuesit më në zë për çështjen e përfytyrimit të Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeu në portrete figurative të cilat gjenden në muzetë e Evropës si në Firence, Milano, Vjenë, Berlinë e Palermo. -“Skënderbeu është një figurë shumë e njohur në botë”, - shkruan At Vinçensi, ndaj edhe ai është marrë me mbledhjen e shumë biografive e botimeve mbi figurën e Skënderbeut në mbarë Evropën, pra me qindra e qindra botime e ribotime që janë shtyp qysh prej shekullit XV e deri më 1969.

Profesor Ernest Koliqi, Drejtori i Studimeve Shqiptare të Universitetit të Romës, i kish afruar material të bollshëm At Vinçensit për të pasqyruar një ekspozitë me të gjitha botimet e ribotimet për Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun (Gjergj Kastriotit) në Prill të vitit 1968. Nxitja që e kish shtyrë At Vinçensin për tu marrë me temën “Cili është portreti i Skënderbeut më autentik, a egziston një i tillë?” ishin pyetjet e ndjeshme të vizitorëve të shumtë. Nuk dihet me siguri nëse janë kopje të bëra nga ekzemplarë autentikë më të vjetër, apo janë realizime sipas përshkrimit të Marin Barletit e të biografëve të tjerë shkruan At Vinçensi.

Veprimtaria ushtarake e Heroit tonë Kombëtar në kundërshtim me çfarë bënin princat e tjerë evropianë të epokës së tij, ai nuk kishte kohë që të rrinte duke pozuar përpara piktorëve dhe artistëve, mbasi ditë e natë i duhej të organizonte sulme kundër armiqëve dhe të rindërtonte kështjellat e rrënuara. Referuar autorëve G.T. PETROVITCH me librin Scanderbeg(George Castriota) Essai de biblographie raisonee, Paris 1881 (Nachdruck Dr .R.Trofenik, Munchen 1967) E LEGRAND-H.GOYS, Biblogragraphie Albania, Paris1912 Marin Barleti e përshkruan me një shtat të lartë e i hedhur, krahët që s’ishin parë kurrë më të bukura tek njeri, gjerësia e supeve e admirueshme, shikimi i syve as i ashpër, as i egër, por shumë i këndshëm.

Paulus Jovius e përshkruan kështu Skënderbeun: “-Kishte një shtat të lartë e të hedhur dhe një trup të madh, këtë dukje kemi parë në Apulje tek princat e familjes së tij të cilët zunë vend këtu, sikurse duket edhe prej përfytyrimit që gjendet në muze, i ngjet sidomos Ferdinantit stërnipi markjon i Sant “Angelo” në Gargano, i cili ra në luftën e Ticinos i vrarë nga dora mbretërore. Një autor tjetër të cilit i referohet At Viçensi është edhe HENNIVGES(Theatrum Genealogium Magdiburgi,1598candarbeg: bella della persona, degli vivissimi, dalla fronte alta, dal naso aquiline, Pallagorio) Por nuk është e sigurtë që Skënderbeu të ketë pozuar gjatë qëndrimeve të tija në Romë e në Napoli, sepse ai kishte të tjera punë të rëndësishme.

Dikush pretendon se autor i një portreti të tillë mund të ketë qenë piktori i famshëm i kohës veneciani Gentile Bellini(1429-1507) i cili mbas kërkesës së senatit të Venedikut udhëtoi deri në Stamboll dhe bëri një portret të Mehmetit të II(që ruhet sot në Londër). At Viçensi shkruan se egzistojnë koleksione të vjetra botërore dhe private me portretin e Skënderbeut, por mjerisht vjetërsia dhe kavaleti i tyre është mjaft i dobët, janë të gjitha kopje ose kopje e kopjeve të shumta të fundshekullit XVI të shekujve të XVII e XVIII.

Potreti më i mirë që njohim dhe shumëkush e konsideron për më origjinalin dhe që mund të diskutohet për autinticitetin e tij, është padyshim portreti me ngjyra që sot ruhet në “Galleria degli Uffizi” në Firence. Në këtë portret, të pikturuar nga një piktor i dorës së dytë, Skënderbeu na paraqitet me profil nga e djathta në moshën 60 deri 65 vjeçare, me mjekër të gjatë të thinjur. (Këtij portreti i referohet edhe F.S.Noli i cili e pranon si më autentik këtë portret të bërë diku para vitit 1466 kur Skënderbeu vizitonte Shtëpinë Princërore Medici, të cilët financuan kryqëzatën e tij).

Një tjetër autoreje së cilës i referohet At Vinçensi është edhe zonja Dhorka Dhamo, e cila në materialin, e botuar në revistën “Shqiptarja e Re” Nr.11, Tiranë 1967, fq.26. Rezultatet e deritanishme dëshmojnë se portreti më i vjetër i Skënderbeut është ai i pikturuar në natyrë nga piktori i dëgjuar, Xhentile Belini, gjatë kohës kur Skënderbeu ishte në Itali.


Saga që ndjek autori i këtij studimi At Vinçens Malaj për të ditur se si erdhi portreti i Skënderbeut në Galerinë e Firences, është një guidë e mistershme plot enigma e rrëfenja nga familjet e aristokracisë së kohës. Prejardhja e këtij portreti në Galerinë e Firences duket është një koleksion i Paolo Giovio 1483-1552), humanistit të përmendur, historianit, shkrimtarit të famshëm e Ipeshkvit titullar të Noçerës dhe njërit ndër biografët e Skënderbeut, i cili në vitin 1536 në Como në brigjet e liqenit Lario, ndërtoi një vilë sipas projektit të Giorgio Vasari-t.

Në “Vilën Plinlana” të rrethuar me kopshte u vendosën koleksione pikturash me portretet e njerëzve më të famshëm të të gjitha kohërave. Disa nga pikturat, Jovit, ia falën miqtë e tij, për disa të tjera organizoi piktorë kopista që të ruheshin në familjet princërore. Kriteri i tij ishte që ato të ishin sa më origjinale e artistike e kopjet sa më të përngjashme me modelin ose personin që përfytyrohej. Miqësia e Jovit me shumë artista të kohës së vet, sikurse me Giulio Romano, dishepullin e Rafaelo-s, bëri që të mblidhte një sasi të madhe kanavacash të piktorëve të përmendur, Tiziano-s të Michelangelo-s, të Vasari-t. Askush deri në atë kohë nuk kishte një koleksion kaq të pasur, bile as Vatikani. Të shumtë u bënë familjet princërore që po ndiqnin shembullin e tij si princesha Ipolita Gonzaga, Arqiduka Ferdinandi i Austrisë, Kardinali i Milanit Frederico Borromeo.

Sipas testamentit të Jovit në 4 gusht të vitit 1552, muzeun e tij ia lë të nipit Giulio Giovio. Një nga pikat e testamentit ishte që të mos lejohej shitja e asnjë koleksioni e të ruheshin në Como. Nipi nuk ishte aq i përkushtuar ndaj koleksionit dhe ia dha banesën e tij komandantit të qytetit në vitin 1581. Në vitin 1585 vila u bë trashëgimi e dy degëve të familjes Giovio. Më 1600 kanavacat shpërndahen nëpër banesa private të familjeve Giovio. Shirat e shumtë dhe vërshimi i liqenit në qytet e bënë vilën të pabanueshme andej nga viti 1596. Për pikturën e Skënderbeut nuk kemi njoftime të sigurta se si erdhi në muzeun e Jovit, se cili ish piktori që e kishte bërë dhe fati i tij më vonë.

Për pikturën që gjendet në “Galeria degli Uffizi” në Firence nuk dimë me siguri a është origjinali i Muzeut Jovjan, apo kopja e bërë nga piktori Cristofano dell Altissimo gjatë viteve 1552-1556, sipas porësitësit së Cosimo i De Medici për Galerinë në Firence (sot Degli Uffizi). Kopje ksilografie sipas portretit të Muzeumit Jovjan qenë pikturuar nga Tobias Stimer e riprodhuar në veprën e Jovit Elogia virorum bellica virtute illustrium, Basilea 1575-1577(12) të riprodhuar edhe shumë herë të tjera dhe në shumë gjuhë të huaja.

Gjithashtu sipas këtij portreti të Muzeumit Jovjan është bërë edhe përfytirimi i Skënderbeut në incizimin e Domenico Custos (sipas vizatimit të J.A.Fontana), i riprodhuar në librin “Augustissimrum et illustrium imagnes”, botuar në Oeniponti 1601 dhe i përmbledhur në librin “Altri herioici”, botuar J.Pretrio në Augusta Ravariae 1602. Ky riprodhim ndryshe nga riprodhimi i portretit të pare, ku Skënderbeu shfaqet krejt në gjatësinë trupore veshur me copë të qendisur, në dorën e djathtë mbanë mëngën dhe në dorën e majtë shpatën. Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut janë po ato që sot janë ekspozuar në Muzeumin e Vjenës, të cilat e kanë prejardhjen nga koleksioni i Arqidukës Ferdinand të Tirolit. Përkrenaren dhe shpatën Arqiduka ia ka blerë kontit Wofgang.

At Vinçensi, si një studiues i palodhur e këmbëngulës, vazhdon me kërkimin e tij, botim mbas botimi, për të gjetur nëpërmjet këtryre botimeve përfytyrimin më të saktë të Skënderbeut. At Vinçens Malaj vlerëson si një nga përfytyrimet më të bukura të Heroit tonë Kombëtar punimin e biografit më të shquar të Skënderbeut, shkodranin Marin Barleti me librin e tij të famshëm “Historia de vita e gestis Skanderbegi Epirotarum Principis”, botuar në Romë nga B.V. (Bernadinus Venetus de Vitalibus) pa shënim date, por natyrisht ndërmjet viteve 1508 e 1510. Përfytyrimi i Skënderbeut në këtë incizim është paraqitur me mjekër të gjatë, hundë shqipe me flokë të qethur nga pas, me një mantel si një mallotë brokatit me ornamente lulesh e frutash e me kësulë “alla Carmgnola” pak të lartë e me një ornament që duket porsi mbrojtëse nga djersët. Në pjesën e poshtme është shkrimi: SIGNOR SCANDER BEGO.

Ky përfytytrim që është shumë i ngjashëm me atë të “Galeria degli Uffizi” në Firencë, mund të jetë më i ngjashmi i përfytyrimit të vërtetë të Skënderbeut, jo vetëm pse është më i vjetri, por edhe pse është i bërë sipas udhëzimeve të një historiani shqiptar, i cili e njihte Skënderbeun. Barleti në qoftë se do ta kishte njojtur një portret autentik të Skënderbeut, do ta kishte kompozuar një ksilografi sipas atij portreti, në rast se jo, atëherë do ta kishte bërë sipas kujtimit personal, por gjithsesi më të ngjashëm deri diku. Pas kësaj ksilografie është pikturuar edhe ajo që gjendet në veprën e Bornardo-s, botue në vitin 1584. Po ashtu sipas përfytyrimit të Marin Barletit është gdhendur edhe një medalje e vjetër dhe shumë e rradhë e cila gjendet në Muzeun e nomizmatikës të Berlinit dhe duket se është e shekujve XV-XVI. Megjithëse nuk kemi as datë, as autorë rreth përfytyrimit, kemi këtë shkrim: “GEORGIVS CASTRIOTA SCANDER BEGVS”.

Në anën tjetër të medaljes kemi të shkruajtur tjetër: “FIDEI DEFENSOR INDOMITVS ET THRAGVM DOMITOR INDOMABILIS”.


Këto janë fjalët që kanë thënë Papët Piu i II, Kalisti III e të tjerë. Autor i kësaj medaljeje mund të jetë medalisti i famshëm Antonio Pisano detto Pisanello (vdekur 1450), i cili kishte prodhuar si këto medalje edhe për Sigismondo Malestrën, një për Ferdinandin e Aragonës të Nicolo Piçinino-s, të Mehmetit II e të tjerë. Një copë të tillë medalje e përmend edhe shkrimtari italoshqiptar P.Leonardo de Martino da Greci në veprën e tij “L”arpa d’un italo-albanese”, botuar në Venedik 1881. Propozimi i Otto Mazzicato-s se përfytyrimi i Skënderbeut mund të përdoret ai që gjendet në një enë kupe ose arturinë porcelain nga Castel Durante i pikturuar me ngjyra të gjalla me gjasa nga Nicolo Perllipario rreth vitit 1525, është shumë i dyshimtë e nuk mund të pranohet.


Fantazia e qeramistit shkon larg e mos kemi të bëjmë me një përfytyrim jo të Skënderbeut, por të një nipit të tij “Sign. Zorzi Scanderbech, ani 43 fiol dil fio fo Scanderbech vechio”, i cili ishte shumë i njohur në Venedik për iniciativën entuziaste e të pafat për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha osmane. Burimet të tjera nga një historian francez si Jocques de Lavardin, i cili botoi në Paris në vitin 1576 dhe 1597 një histori të Skënderbeut në faqen 17, ka një portret të Skënderbeut, për të cilin thotë se ky potret është nxjerrë nga Muzeu. Zotëri Andre Theuet, kozmograf i Mbretit, i ardhur nga Bouthole, qytet i Shqipërisë. Qyteti Buothole mund të ketë qenë Budva në “Albania Veneta” të asaj kohe sot Boka e Kotorrit. Në botimin e dytë 1597 historiani De Lavardin shton edhe portrtetin e Mehmetit II, i modeluar sipas portretit të Belinit që në atë kohë u ruajt në Venedik.

Pas shekullit XV në shekujt e tjerë XVIII e XIX ka shumë fantazi të piktorëve francezë, anglezë kështu që është e kotë me i marrë seriozisht si piktura autentike për Skënderbeun. Shënim i rëndësishëm i lënë nga At Vinçenc Malaj është edhe përmendja e një aventurieri si dalmati Stefan Zanovich nga Budva, ndjekës dhe bashkëkohës i Cazanovës, i cili e quante veten “Mbret i Shqipërisë, Princ i Grudës e i vetmi pinjoll i Skënderbeut”.

Ndër udhëtimet e shumta vjen edhe në Napoli. Aty njihet me një frat domenikan, i cili ishte trashëgimtar i familjes së TanushTopias. Ky frat ishte aq i dashuruar mbas kujtimit të Skënderbeut sa që krahas figurës së Krishtit e të Zonjës, mbante në odën e vetë edhe atë të Skënderbeut.

Edhe A. Degrand përmend një potret të Skënderbeut në familjen Topiaj, të cilën e konfiskuan Turqit.

A do të dalë në dritë një portret autentik i Skënderbeut?

A do të kemi ndonjë lajm të ri?

Kjo është pyetja që shtronte At Vinçens Malaj në mbarim të fjalimit të tij në nëntor të vitit 1969.

*Shkrimi u botua ne (print) Shqiptarja.com 

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç