Në historinë e Shqipërisë, figura e mërgimtarit ka mbartur gjithmonë një peshë të jashtëzakonshme ekzistenciale, por kuptimi i saj ka pësuar një përmbysje radikale përgjatë epokave. Nga idealizmi i pastër kulturor i Rilindjes Kombëtare e deri te pragmatizmi i zhveshur i ditëve të sotme, marrëdhënia e emigrantit me atdheun dëshmon se si ndryshimi i motiveve dhe metodave mund të tjetërsojë vetë nocionin e patriotizmit. Ky kalim nxjerr në dritë një antitezë të thellë shoqërore, ku e vërteta dhe dëshira për ndryshim shpesh humbasin vlerën për shkak të rrugëve të gabuara që zgjidhen për t'i kërkuar ato.
Rilindësit tanë të mëdhenj, me në krye Naim Frashërin, Faik Konicën apo Pashko Vasën, përfaqësonin mërgimin e sakrificës totale pa kthim. Të detyruar nga rreziqet e egra politike të kohës, nga dënimet me vdekje të Perandorisë Osmane dhe nga shëndeti i ligë e varfëria e skajshme, ata nuk kishin asnjë mundësi fizike për t’u kthyer në Shqipëri. Megjithatë, kjo largësi e detyruar nuk e zbehi dashurinë e tyre; përkudrazi, ai mall i pashuar u kthye në "benzinë" për penën e tyre. Rilindësit shkrinë shëndetin dhe pasurinë e tyre jashtë për të prodhuar dritë, duke shpëtuar gjuhën shqipe dhe duke hedhur themelet e një shteti që ende nuk ekzistonte. Ata nuk kërkuan protagonizëm; shpesh fshiheshin pas pseudonimeve, sepse donin që në dritë të dilte kombi, jo veta e tyre.
Pikërisht këtë pamundësi fizike dhe këtë gjendje shpirtërore të ndërlikuar të të parëve e zbërthen mjeshtërisht Faik Konica në esenë e tij të pavdekshme "Malli i Atdheut" (1899). Ai shpjegon se përse ata shkrimtarë, ndonëse digjeshin nga dashuria për vendin, mbetën të gozhduar në tokë të huaj:
“Malli i atdheut është një sëmundje e rëndë, që s’shërohet dot as me kohën, as me të tjerat ndryshime të jetës. Sa më shumë që rri njeriu larg atdheut, aq më shumë i shtohet ky mall... Kujtimet e shkuara nisin e të vijnë ndërmend një nga një. Edhe ato gjëra që kur ishe në shtëpi të dukeshin të vogla e pa rëndësi, tani të duken të bukura, të dashura e të shenjta. Të vjen ndërmend drita e diellit të vendit tënd, që nuk ngjan me dritën e asnjë vendi tjetër... dhe mbi të gjitha, fytyrat e njerëzve të tu, gjuha që flasin, zakonet e tyre.”
Përmes këtyre rreshtave, Konica na zbulon se moskthimi i të parëve nuk ishte një zgjedhje komoditeti, por një dramë psikologjike dhe ekzistenciale. Largësia e pastronte kujtesën e tyre nga të këqijat, duke krijuar në mendjen e mërgimtarit një Shqipëri ideale, të cilës i shërbenin me të gjitha forcat nga shtypshkronjat e Bukureshtit, Stambollit, Kajros apo Bostonit. Ata e kuptuan se brenda një Shqipërie të shtypur dhe analfabete do të burgoseshin ose do të shuheshin pa lënë gjurmë; ndaj zgjodhën të mbeten në mërgim që t'i falnin atdheut mendjen dhe frymën e tyre, duke sakrifikuar kthimin fizik për një qëllim shumë më të lartë kombëtar.
Mërgimtari humbet sigurinë e tokës që la, pa e gjetur menjëherë në tokën ku mbërriti. Mes të dyjave mbetet ekuilibri i munguar.
Mërgimtari nuk mbetet domosdoshmërisht mërgimtar. Statusi, integrimi dhe siguria që fiton në vendin e ri mund ta shndërrojnë gradualisht në emigrant; bashkë me statusin ndryshon edhe raporti i tij me vendin që la pas.
Mërgimtari ëndërronte kthimin pa kusht; emigranti kërkon një arsye për t’u kthyer. I pari e idealizonte atdheun nga larg; i dyti, po nga e njëjta largësi, shpesh ia numëron plagët dhe harron ndryshimet.
Këtu lind paradoksi i atdhedashurisë me biletë kthimi: emigranti kërkon të ndryshojë vendin që lë pas, por pasojat e ndryshimit nuk është i detyruar t’i jetojë.
Në kushtet e lirisë së lëvizjes dhe të një sigurie ekonomike shumë më të madhe në Perëndim emigranti nuk jeton më mërgimin e pamundësisë, por, në shumë raste, largësinë e zgjedhur. Kufijtë janë të hapur, kthimi është i mundur dhe lidhja me atdheun nuk mbahet më vetëm me letra, libra e mall, por me avionë të përditshëm dhe komunikim të menjëhershëm.
Paradoksi modern qëndron pikërisht këtu: sa më e vogël është bërë distanca fizike, aq më e madhe mund të bëhet distanca nga realiteti i vendit.
Një pjesë e emigrantëve zgjedhin ta vizitojnë Shqipërinë për pushime, familje apo komoditet, ndërkohë që nga larg përpiqen t’i importojnë “revolucione”, modele të gatshme dhe leksione morale. Prej kësaj largësie lind ndonjëherë një formë e re protagonizmi: dëshira për t’i treguar Shqipërisë si duhet të jetojë, pa jetuar vetë në të. Atdheu shndërrohet kështu në një realitet që gjykohet nga jashtë, ndërsa kostoja e ndryshimit u lihet atyre që jetojnë brenda tij. Është shumë më e lehtë të kërkosh revolucion kur faturën e revolucionit do ta paguajnë të tjetër.
Ndryshe nga Rilindësit, të cilët e përdorën largësinë për t’i dhënë atdheut gjuhë, kulturë dhe vetëdije kombëtare, protagonizmi modern rrezikon ta përdorë atdheun si skenë. Dhe këtu qëndron një dallim thelbësor: Rilindësi kërkonte të nxirrte kombin në dritë, ndërsa protagonisti i largësisë rrezikon të kërkojë dritën mbi veten.
Qasja e tij, sado e sinqertë të jetë në qëllim, shpesh nuk gjen jehonë te njerëzit që jetojnë përditë brenda problemeve që ai analizon nga jashtë. Për ta, realiteti nuk është debat në distancë, por faturë, punë, shkollë, spital, administratë dhe mbijetesë e përditshme.
Mbi të gjitha, emigranti modern pëson gradualisht një ndryshim të fenotipit të tij social. Pa e kuptuar, ai përvetëson kodet, ritmet dhe pritshmëritë e shoqërisë ku jeton. Kjo nuk është domosdoshmërisht humbje e atdhedashurisë; shpesh është thjesht pasoja e natyrshme e integrimit. Por pikërisht këtu lind tjetërsimi më i hollë: ai mund ta ruajë të paprekur dashurinë për Shqipërinë dhe, njëkohësisht, të humbasë kontaktin me Shqipërinë reale. Vazhdon të njohë vendin që mori me vete ditën kur u largua, ndërsa vendi ka vazhduar të ndryshojë pa të. Nostalgjia ruan kujtesën; nuk garanton njohjen e së tashmes.
Kthimi, kur ndodh, mund të marrë gjithashtu një kuptim të ri. Shqipëria mund të shihet si vend për një biznes më fitimprurës, për një jetë më të lirë pas pensionit apo si një lloj “azili nostalgjik”, ku kujtimet e rinisë bashkohen me komoditetin ekonomik të fituar jashtë. Nuk ka asgjë të qortueshme në këto zgjedhje. Problemi lind vetëm kur interesi personal vishet me petkun e sakrificës kombëtare dhe komoditeti paraqitet si idealizëm. Atëherë qasja e ftohtë e kapitalit dhe komoditetit personal fillon të flasë me gjuhën e patriotizmit.
Kur një e vërtetë — si dëshira për të parë një Shqipëri më të mirë — kërkohet me mënyrën e gabuar, ajo humbet një pjesë të vlerës dhe peshës së saj, duke u kthyer në zhurmë irrituese. Problemi, pra, nuk është largësia dhe as emigrimi. Problemi fillon kur largësia shndërrohet në privilegj moral: kur siguria e bregut përdoret për t’u dhënë leksione atyre që janë ende në anije.
Nëse këta emigrant kërkojnë vërtet ndryshim dhe nëse zemra u qan për fatin e vendit, testi më bindës i sinqeritetit të tyre mbetet gatishmëria për t’u bërë pjesë e realitetit që kërkojnë të ndryshojnë. Të vijnë, të hipin në atë “anije” që vetë pretendojnë se po mbytet dhe, qoftë edhe për një pjesë të udhëtimit, të ndajnë të njëjtat dallgë dhe të njëjtin fat me ata që qëndruan. Nëse kërkon të ndryshosh kursin e anijes, zëri yt fiton një peshë tjetër kur je mbi kuvertë.
Përndryshe, thirrjet rrezikojnë të mbeten predikime të sigurta nga bregu. Atdhedashuria nuk matet vetëm me intensitetin e fjalës, por edhe me pjesën e kostos që je i gatshëm të marrësh mbi vete. Pa këtë prani — fizike, qytetare ose reale në barrën e përbashkët — idealizmi i largët mund të riciklojë të njëjtin gabim: të ushqehet nga mendimi me ngut dhe të përfundojë, pashmangshmërisht, në pendimin me nge.












Komente
Komento