DURRËS - Atentat i dyfishtë në mes të Durrësit. Një 33-vjeçar durrsak dhe një 25-vjeçar nga Vlora u ekzekutuan mbrëmjen e së dielës (20 dhjetor) me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar ndërsa ishin duke udhëtuar me makinë në hyrje të portit të qytetit bregdetar. 
 
Dy janë pistat ku është përqendruar policia në hetimet e saj, prishja e pazareve të drogës dhe hakmarrja, kjo pasi viktimat Ervin Kodra dhe Endri Caushaj ishin të njohur për policinë si persona problematik. Kodra, i riu nga Durrësi, është përfshirë edhe në një vrasje të vitit 2008 në Durrës, ku u akuzua se përkrahu autorët të largoheshin pas krimit. Megjithatë policia nuk përjashton si pistë të hetimit dhe prishjen e pazareve të drogës. 33-vjeçari Kodra ka pasur konflikte për trafikun e lëndëve narkotike në Itali. 
 
Blute e Durresit kane shoqeruar 46 persona që besohet se kanë dijeni mbi rrethanat e krimit, apo mbi konfliktet e mundshme të tyre. Gjithashtu autoritet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e atyre italiane për hetime 

Ekzekutimi
Ervin Kodrës dhe Endri Caushajt ju bë pritë nga një tjetër automjet dhe në momentet kur BMW X5  me targë AA 292 IH ku udhëtonin të rinjtë ka qenë duke lëvizur me një shpejtësi relativisht të ulët, autorët kanë qëlluar me kallashnikov. Policia gjeti në vendin e ngjarjes 33 gëzhoja, prej të cilave Kodra dhe Caushaj gjetën vdekjen e menjëhershme. Autorët kanë ndjekur itinerarin e shënjestrave të tyre, fillimisht kanë qëlluar nga përpara makinës e më tej në të dyja dyert e para për tu siguruar për vdekjen e të rinjve. Ata u ekzekutuan pak pasi kishin dalë nga një bar- kafe jo shumë larg vendit të ngjarjes. 
 
Pas breshërisë të të shtënave, makina ku udhëtonin të rinjtë u përplas me tej me një automjet tjetër dhe përfundoi në një lokal, por fatmirësisht nuk ka pasur persona të tjerë të lënduar.

vrasja durres endri caushaj ervin kodra
Viktimat Ervin Kodra, Endri Çaushaj dhe makina ku u vranë
 
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:45 të mbrëmjes së të dielës në nga zonat më të frekuentuara e të mbipopulluara pranë "Torra Veneziane" në zonën e Vollgës.  

vrasja durres ervin kodra
Makina e viktimave 
 
Teksa Ervin Kodra njihej si person problematik në qytetin bregdetar, për Endri Çaushajn ka nisur bashkëpunimi me homologët e Vlorës për t’u njohur me dosjen.
 
Ekspertët e grupit hetimor kanë mbledhur në vendin e ngjarjes të gjitha provat që ishin dhe tashmë janë duke i analizuar për të parë nëse atentatorët e këtij atentati kanë lënë ndonjë gjurmë që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes apo jo.

Për të zbardhur më tej krimin, policia ka siguruar edhe pamjet filmike të disa kamerave të sigurisë të disa objekteve pranë vendit të ngjarjes por të itinerarit të mundshëm që mund të kenë ndjekur autorët.

Përfshirja e Kodrës në vrasjen e 2008
33-vjeçari nga Durrësi Ervin Kodra ishte person problematik dhe me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2008, Kodra është akuzuar se ka fshehur autorin e një vrasje të ndodhur pas Pallatit të Kulturës në qytetin bregdetar të Durrësit. Kodra, foton e të cilit Shqiptarja.com e disponon është arrestuar në atë kohë, por më tej është lënë i lirë nga drejtësia argumentuar me faktin se ai nuk ka qenë i përfshirë në krimin ku humbi jetën Saimir Balla. Policia arrestoi për vrasjen Elvis Tefën, Orges Dervishin si autorë të dyshuar të ekzekutimit me armë të 25-vjeçarit Valla. Policia tha në atë kohë se vrasja ndodhi për pazaret  drogës.

ervin kodra
Ervin Kodra 

endri caushaj me logo
Endri Çaushaj


Makina e viktimave
Makina e viktimave

Makina e viktimave
Makina e viktimave

vrasja durres
Foto nga vendi i ngajrjes

Njoftimi i Policisë
Në lidhe me ngjarjen e ndodhur më datë 20.12.2015, ku rreth orës 20:45, në lagjen Nr.3, Rruga”Egnatia”, u vranë me armë zjarri dy shtetas, ju informojmë se  Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Durrës, po punojnë intensivisht për identifikimin  dhe kapjen e autorëve.
 
Në drejtim të automjetit tip BMË X5, me targa AA 292 IH, persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri tip automatik, ku kanë gjetur vdekjen e menjehershme shoferi dhe pasagjeri, konkretisht shtetasit:
 
•Ervin Kodra 33 vjeç, banues në Durrës;
•Endri Çaushaj25 vjeç, banues në Vlorë.
 
Nga hetimet paraprake, ka rezultuar se dy viktimat kanë qenë duke pirë kafe në një lokal dhe sapo kanë hipur në automjetin tip Fuoristradë, me drejtues dhe në pronësi të viktimës Ervin Kodra është qëlluar me armë zjarri kundrejt tyre.
 
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
 
• 33 copë gëzhoja model.56, kalibër 7.62 mm;
• mjeti me targa AA 292 IH.
 
Shtetasi Ervin Kodra ka qenë person me preçedentë penalë të mëparshëm në fushën e  krimeve kundër personit dhe në trafikun e drogës.
 
Në ambjentet e Komisariatit të Policisë Durrës, janë shoqëruar 46 persona dhe vazhdon puna për zbardhjen e motiveve dhe dokumentimin e plotë ngjajres.
 
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese” dhe” Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar në nenet  79/dh dhe 278/5 të Kodit Penal

Redaksia online
(Gre.M/S.M/Shqiptarja.com)