TIRANE- Roland Meta, efektivi i policisë që mbeti i plagosur rëndë në atentatin e katër ditëve më parë në Tiranë dhe që aktualisht po lufton me plagët në një spital privat, nëse do dalë nga spitali do t’i duhet të hyjë në burg. Kjo pasi gjykata e Tiranës ditën e djeshme me kërkesë të prokurorit Florian Bonjaku ka vendosur të caktojë masën e sigurimit “arrest me burg”.

Prokurori Bonjaku, ka habitur familjarët e të plagosurit dhe vetë avokatin e familjes, kur në kërkesën e tij të caktimit të masës së sigurisë, ka përmendur se efektivi i policisë Roland Meta akuzohej për “Vrasje me dashje”. Familjarët mësohet të kenë reaguar menjëherë duke treguar se i afërmi i tyre që prej katër ditësh ndodhet në reanimacion në gjendje kritike, thjesht ka shpëtuar veten nga vdekja, dhe se ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme.