Dritan Lorenci, ish efektivi i policisë rrugore të Lezhës i cili u ekzekutua mbrëmjen e 2 Janarit 2016,  u arrestua me 29 tetor 2011 për akuzën e vrasjes lidhur me ngjarjen e ndodhur në Gjykatën e Lezhës në 14 tetor vitin 2011, ku mbeti i vrarë një shtetas dhe u plagosen 4 te tjere.

Në qershor të 2013, Lorenci është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Laçit.

Sipas relacionit të gjykatës së Laçit dy të akuzuarit, Dritan Lorenci (efektiv i Policisë Rrugore kur ndodhi ngjarja) dhe Alban Dede u shpallën të pafajshëm ndërsa ishin akuzuar nga  Prokuroria se kishin vrarë shtetasin Endri Bejtja dhe kishin plagosur një person tjetër.

Ngjarja ka ndodhur në Gjykatën e Lezhës në tetor të vitit 2011, në një proces gjyqësor që kishte për objekt një mosmarrëveshje pronësie mes dy familjeve.

Burime zyrtare të Prokurorisë thanë se në përfundim të gjykimit, organi i akuzës kishte kërkuar në pretencë dënimin me 18 vjet heqje lirie për shtetasin Dritan Lorenci dhe 15 vjet burg për Alban Deden.

Por trupi gjykues i çështjes ka shpallur vendimin, sipas të cilit, të akuzuarit nuk janë fajtorë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në vitin 2011, pasi fakti nuk provohet.