TIRANE- Vrasja e Artan Santos ka qenë e studiuar dhe e mirëplanifikuar nga dy autorët e krimit. Në këtë përfundim kanë arritur grupi hetimor i policisë dhe prokurorisë. Në dëshminë e dhënë për policinë, shoferi i Santos ka treguar se, motorri i vrasjes kishte më shumë se dy javë që i ndiqte por nuk i kishte shkuar në mëndje se mund të ndodhte një gjë e tillë. Ai ka treguar edhe iteneratin qe bënte çdo ditë së bashku me banierin, i cili shkonte në zyrën e tij në zonën e ish-bllokut. Ndërkohë që policia e ka përballur shoferin me dy personat e shoqëruar dhe ai ka deklaruar se, nuk i njihte këta personat.

Itinerari i makines
Mëngjesi e gjente bankierin Artan Santo çdo ditë në zyrën e tij. Siç bëhet e ditur nga banesa Santo nisej në orën 09:05 nga banesa në rrugën “Themistokli Gërmenji”, pas RTSH-së. Më pas makina me drejtorin e Credins, kalonte në rrugën “Papa Gjon Pali i II”, në krah të ambasadës Italiane. Pasi merrte kthesën, makina tip “Mercedez Benz”, me targa AA 111 AX, drejtohej për në rrugën “Ismail Qemali”, në krah të kryeministrisë duke kaluar nëpër Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Më pas makina vazhdonte rrugëtimin e saj, në krah të selisë së Kuvendit për të mbërritur në selinë qëndrore që ndodhet në kryeqëzimin e rrugëve “Ibrahim Rugova” me atë “Ismail Qemali”. Siç ka treguar shoferi, kjo rrugë me gjithë semaforët etj, shkonte në rreth 10 minuta. Edhe punonjësit e bankës, roja dhe dëshmitarë të tjerë që punonin aty kanë treguar se drejtori i Credins Bank mbërrinte gjithmonë rreth orës 09:15 deri në 09:20 minuta të paradites.

skema e vrasjes

Deshmia e shoferit
Shoferi i biznesmenit Artan Santo, ka dhënë deklarimet e tij para grupit të hetimit, duke treguar se, e kishte vënë re motorrin që ka kryer vrasjen e Santos. Ai ka deklaruar se, ditën e djeshme, atë të vrasjes motorri e ka ndjekur që nga banesa e Santos e deri tek selia qëndrore e bankës. Pas dhënies së deklarimeve të tij në polici, ai është paraqitur në ambjentet e shoqërimit ku ka parë dy personat e shoqëruar nga policia e Tiranës në zonën e Fushë-Krujës. Shoferi nuk ka qënë në gjëndje të thotë para grupit hetimor nëse dy të shoqëruarit janë autorë të vrasjes ose jo.

Sipas tij, nuk mund të drejtonte gishtin tek askush për shkak se autorët në momentin kur kanë qëlluar ishin të mbuluar me skafandra. Ndërkohë sipas burimeve të prokurorisë së Tiranës, lidhur me këtë ngjarja janë vënë në përgjim disa numra për të siguruar provat e mjaftueshme, lidhur me implikimin ose jo të personave që dyshohen se kanë kryer vrasjen. Gjatë mbrëmjes së djeshme në polici janë shoqëruar dhe disa persona, por në fakt pas marrjes në pyetje janë liruar sërisht.
 
Autorët folën me Santon para vrasjes
Dy autorët e ekzekutimit mafioz të Artan Santos, kanë komunikuar me të para se të qëllonin. Ky fakt është konfirmuar mbrëmjen e djeshme nga policia dhe dëshmitarë të cilët janë ndodhur në vendin e krimit. Dëshmitarët kanë deklaruar se, personi që ka qëlluar, para se të nxirrte armën ka shkëmbyer dy fjalë me Santon dhe më pas direkt ka lëshuar 6 plumba në trupin e bankierit, duke e plagosur fillimisht dhe më pas duke e ekzekutuar me 5 plumba të tjerë, 3 prej të cilëve në kokë, e njëri në ballë.
 
Killerat u ndoqën deri në fshatin Bubq
Motorri me dy killerat e drejtorit të Credins Bank është ndjekur nga uniformat blu deri në zonën e urës së Gjolës në Fushë Krujë, por më pas policia ka humbur gjurmët në fshatin Bubq. Ndjekja e tyre është bërë nga dy motorrë të Policisë rrugore të Tiranës, njëri prej të cilëve ka qenë në vendin e ngjarjes dhe tjetri është ndodhur rreth 100 metra më larg. Dy efektivët e rrugores nuk kanë mundur dot të kapin apo ndalojnë dy killerat, pasi motorri i tyre ka qenë shumë i fuqishëm dhe ka ikë me shpejtësi.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)