Ish-deputeti i PD-së Enkeled Alibeaj thotë se zvarritja e atentateve të ndodhura ndaj biznesmenëve, mund të jetë kronikë e një atentati tjetër të paralajmëruar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai përmendi rastin e vrasjes së biznesmenit në Himarë, Niko Goro dhe tentativës për atentat të një biznesmeni tjetër në Tiranë, Andon Dhima, i cili shpjegoi se si ndodhi ngjarja.

Sipas tij, hetimi i çështjeve është shumë i avashtë nga ana e policisë dhe e prokurorisë.

"Në Himarë, një biznesmen u vra në atentat, në mes të ditës; Në Tiranë, një biznesmen denoncon në polici një tentativë për atentat.

Të dyja janë raste tronditëse, që tregojnë shthurjen e kësaj qeverie në muajt e fundit të saj.

Shpejtësia me të cilën do të hetohet denoncimi i biznesmenit Andon Dhima do të jetë një tregues kyç për gatishmërinë e policisë dhe të prokurorisë për të zbuluar të vërtetën. Zvarritja e çështjeve të tilla, siç e ka zakon prokuroria dhe policia, do të jetë veçse kronikë e një atentati tjetër të paralajmëruar", shkruan Alibeaj.