GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Plaurent Dervishajt dhe avokatëve të tij për përjashtimin e trupës gjykuese.
“Nuk morët parasysh provat që ne kërkuam të merren, nuk garantoni paanshmëri, s’e kuptojmë nxitimin tuaj”, janë shprehur avokatët.
SPAK ka kërkuar dënim me burg përjetë për Dervishajn lidhur me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos i njohur si “Rrumi”, ngjarje ku humbi jetën shoferi Andi Maloku.
“Kemi bërë 800 kërkesa e s’na i merr parasysh”, i ka thënë Dervishaj trupës gjykuese.
Seanca është shtyrë më 29 maj për konkluzionet e mbrojtjes.
Për Julian Meçajn që po gjykohet në të njëjtën dosje, SPAK ka kërkuar dënim me 35 vite burg.
Dervishaj dhe Meçaj janë të akuzuar për atentatin e ndodhur në mbikalimin e Shkozetit më 1 nëntor 2019, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë.
Për atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja, 7 vjet më parë, Prokurori i Posaçëm Andand Xholi akuzon Plaurent Dervishajn, pjesë e bandës së Durrësit, se ka vepruar në bashkëpunim jo vetëm me Julian Meçajn, por dhe me personazhe të tjerë si Bledar Polovina, Amar Shkëmbi (alias Dritan), Ramazan Rraja, Endrit Sinani, Genti Nderjaku, Bashkim Haxhija dhe Julian Pjetri. Këta të fundit po gjykohen veçmas.
Të dy të akuzuarit u arrestuan në Dubai, dhe në gusht të vitit 2024 u ekstraduan për tu përballur me akuzat: Dervishaj si organizatori i atentatit ndërsa Meçaj si një nga autorët që qëlloi në drejtim të tij.
Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoja, sot deputet i Partisë Demokratike u zbardh plotësisht nga transkriptimi i bisedave në aplikacionin e koduar SKY/ECC, që përdorej masivisht nga elementë të krimit të organizuar në vendin tonë .
Atentati ndodhi me 1 nëntor të vitit 2019, ndërsa Ndoja dhe shoferi i tij po udhëtonin në shoqërinë e Aleksandër Lahos, një personazh i krimit të organizuar, i shpallur në kërkim dhe i njohur përmes nofkës së tij “Rrumi”.
Në dëshminë e tij para gjykatës dy javë më parë Ndoja mohoi të ketë patur kontakte të mëhershme me personazhin e botës së krimit Aleksandër Laho, ndërsa dëshmoi se ai njihte vëllain e tij, dhe se qenia në një makinë me të ditën e atentatit ishte vetëm rastësi.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente










