Dy kushërinjtë, Ergys Kolaveri dhe Enea Ceka, që tentuan të vrasin në ambientet e burgut të Vaqarrit, hasmin e tyre Gazmir Dacin, janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe dosja në ngarkim të tyre i ka kaluar gjykatës.

Gazmir Daçi u qëllua me snajper
Enea Ceka së bashku me Ergys Kolaveri akuzohen se tentuan të vrisnin me snajper brenda burgut nga një distancë prej 150 metrash, 27-vjeçarin Gazmir Daci. Policia në vendgjarje nuk ka gjetur asnjë gëzhojë, por dëshmitarët i treguan se kishin dëgjuar vetëm një krismë.

Synimi ishte të vritej brenda në burg, Gaz Daci, por dy autorët nuk ja kanë arritur qëllimit. Dosja penale në ngarkim të dy të pandehurve është regjistruar në 25 prill 2017, ndërkohë që ndaj dy të pandehurve prokuroria ka ngritur akuzën e "Vrasje për gjakmarje" mbetur në tentative, "Plagosje e rëndë me dashje" në dëm të shtetasit Kosovar Lili Duraj, "Mbajtje pa lejë të armëve luftarake", dhe "Moskallëzim krimi".

Megjithëse dy të pandehurit nuk e kanë pranuar atentatin ndaj Gazmir Dacit, duke pretenduar se ndodheshin në një lokal në Kamëz, dhe për këtë i kanë vënë në dispozicion disa filmime prokurorisë dhe gjykatës, këto prova nuk janë marrë në konsideratë, dhe për pasojë ndaj tyre është ngritur akuzat e mësipërme.

Artan Kodheli, avokati mbrojtës i Ergys Kolaverit, i akuzuar për atentatin ndaj Gazmir Dacit te burgu i Vaqarrit, pretendon sërish se klienti i tij s'ka lidhje me ngjarjen. Pak kohë më parë ai ka bërë publike një tjetër video ku Kolaveri është filmuar në zonën e Kodër Kamzës.

Siç duket edhe në video, personi me rreth të kuq është Ergys Kolaveri.

Klienti im Ergys Kolaveri ka qenë në Kamëz në momentin kur ka ndodhur atentati në Vaqarr"- është qëndrimi i avokatit Kodheli.
gazmir daci
(Ergys Kolaveri në lokal, në momentin që është qëlluar Gazmir Daci me snajper)

Ndërkohë, Prokuroria ka një tjetër pretendim. Prokurori i çështjes thotë se ka filmime të automjetit tip furgon në pronësi të Ergys Kolaverit, i cili ka kaluar pranë burgut të Vaqarrit pasditen kur ndodhir atentati. Nga atentati me snajper pasditen e 30 qershorit te burgu i Vaqarrit, mbeti i plagosur aksidentalisht shtetasi kosovar Lili Dulaj, ndërsa objektivi ishte Gazmir Daci i cili tre vite më parë ka vrarë me armë zjarri Valmir Kolaverin, vllain e Ergys Kolaverin.

Dënimi me 35 vite burgim
Si pasojë e hasmërive të hapura për shkak të një vrasje të kryer në Kamëz, në 16 nëntor 2016 gjykata e Tiranës ka dënuar me 35 vite burgim Gazmir Daçi, i hetuar për vrasjen e fqinjëve të tij Valmir Kolaverit dhe plagosjen e Roland Kolaverit, 3 vite më parë në Kamëz.

Këtë dënim e ka vendosur gjykatësi Besnik Hoxha pas kërkesës së akuzës për burgim të përjetshëm ndaj Daçit, i cili do të kalojë 35 vite burg pasi më parë ju pranua gjykimi i shkurtuar. Tre muaj më parë Gazmir Daci i shpëtoi një atentati me snajper në burgun e Vaqarrit. Ndërkohë për babain e Gazmir Dacit, i akuzuar për fshehje të armës së krimit, dënimi u refuktua në 4 vite nga 6 që kërkoi prokuroria.

KONFLIKTI DACI-KOLAVERI
Valmir Kolaveri u vra nëntorin e vitit të kaluar në Kamëz, ndërsa Gazmir Daci u arrestua 1 muaj më pas si autor i kësaj ngjarjeje. Daci akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese, armëmbajtje pa leje, falsifikim dokumentesh dhe kanosje.

Sipas dosjes së prokurorisë, në mbrëmjen e datës 4 nëntor 2015, rreth orës 18.00, Gazmir Daci ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij privat të markës BMË X5, në rrugën “Demokracia” në Kamëz, në afërsi të një njësie tregtare.

Ai ka hasur në rrugë, po me një mjet BMW X5 Robert Kolaverin.

Për shkak të konflikteve të vjetra të sipërpërmendurit kanë ndaluar mjetet pranë njëri-tjetrit dhe Gazmir Daci ka zbritur prej tij dhe me një armë të tipit pistoletë në dorë, ka shkuar në drejtim të mjetit, ku ndodhej Robert Kolaveri.

Në momentin e përballjes fizike janë konfliktuar me njëri-tjetrin me fjalë dhe në prag të përfundimit të konfliktit, Gazmiri e ka kanosur për vrasje Robertin. Konflikti nuk është nxitur më tej nga Robert Kolaveri, pasi ai është larguar me mjetin e tij në drejtim të banesës së tij.

Pas largimit të Robertit, Gazmir Daci ka komunikuar në telefon me Valmir Kolaverin, i cili është edhe vëllai i Robertit. Biseda mes tyre ka qenë e tensionuar dhe e shoqëruar edhe më fjalë kërcënuese e fyese.

Në përfundim të kësaj bisede, Gazmiri ka shkuar me mjetin e tij në drejtim të njësisë tregtare, ku mendonte se ndodheshin dy vëllezërit. Këta të fundit i ka gjetur në hapësirën përpara njësisë tregtare në fjalë e pranë një autoveture në pronësi të tyre.

Në vazhdim e sipër të konfliktit, ai ka nxjerrë armën e tipit pistoletë, që kishte me vete dhe ka qëlluar me të në drejtim të Robert Kolaverit. Kur ky i fundit është rrëzuar në tokë dhe vëllai i tij, Valmiri, ka marrë një send të fortë në tokë, për t’u mbrojtur nga sulmi i armatosur i të pandehurit, por edhe ai është qëlluar në trup me armë nga i pandehuri dhe është rrëzuar në tokë.

Për shkak të plagëve të marra, Valmir Kolaveri ka gjetur vdekjen, ndërsa vëllai i tij u është nënshtruar ndërhyrjeve operatore dhe u ka mbijetuar plagëve të marra. Mbas kërkimesh e gjurmimesh disaditore, në mbrëmjen e datën 22 dhjetorit 2015, Gazmir Daci, është kapur në një nga dhomat e një hoteli, që ndodhet në anë të autostradës Tiranë–Durrës.

Në momentin e kapjes me vete i është gjetur edhe një armë brezi e tipit pistoletë e markës TT, si dhe një kartë identiteti e falsifikuar tërësisht, sepse ajo mbante fotografinë e tij dhe gjeneralitetet e shtetasit B.M.

Nën akuzë u vunë edhe Xhelal Daçi, babai i Gazmirit dhe Ezel Baja, për armëmbajtje dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Konflikti mes palëve dyshohet se e ka zanafillën në një sherr të ndodhur në Francë, për prishje pazaresh për trafik klandestinësh.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com