ELBASAN- Hetimet për atentatin në Elbasan mbrëmjen e së hënës në lagjen "Vullnetari", të njohur edhe si zona "Banesat", kanë marrë tjetër rrjedhë. Blutë e Elbasanit po hetojnë një tjetër pistë, atë të mundësisë që autori të ketë ngatërruar shënjestër. Grupi hetimor ka dyshime se objektiv i atentatit të ketë qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur si “Ot Kila”, një personazh i njohur në botën e krimit. Ai ka qenë në të njëjtën bar-kafe në momentin kur autori i maskuar, siç sqarojnë burime për Report Tv, qëlloi me armë dhe plumbat kapën Armand Tomorricën dhe Renaldo Mancen. Nga të shtënat mbeti i plagosur aksidentalisht dhe kamerieri 19-vjeçar Biorgi Hoxha, ndërsa burime për Report Tv flasin edhe për një tjetër klient të plagosur lehtë.
Nipi i Ot Kilës mësohet se ka qenë i ulur në të njëjtën tavolinë me dy prej të plagosuve. Të pyetur nga grupi hetimor, të plagosurit që tashmë janë jashtë rrezikut për jetën kanë deklaruar se nuk e njohin autorin dhe nuk janë të përfshirë në asnjë konflikt. Ndërkohë, në pyetje është marrë edhe nipi i Ot Kilës, i cili po ashtu ka mbajtur të njëjtin qëndrim duke thënë se nuk ka asnjë konflikt.
Ndërkohë, hetimet kanë zbuluar se autori ishte përgatitur me kujdes për të mos u identifikuar. Ai është filmuar nga kamerat në rrugë i maskuar me paruke me flokë të gjata dhe maskë silikoni, element ky qe tregon se atentati ishte i planifikuar. Pasi qëlloi me 6 plumba pistolete, u largua në këmbë nëpër rrugicat e lagjes, duke i shpëtuar një efektivi që gjendej rastësisht në lokal dhe u vu në ndjekje të tij. Gjatë arratisjes autori hodhi armën e krimit, e cila është sekuestruar.
Kush është Ot Kila?
Ot Kila është një personazh me precedentë të mëparshëm kriminal dhe i njohur si armik i Suel Çelës. Ai i ka shpëtuar të paktën 4 tentativave për ta eliminuar, përshirë edhe një atentati të porositur nga Suel Çela në vitin 2022, të cilin do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani. Arsyeja ishte sepse Oti ‘strehonte dhe mbante me bukë’ Talo Çelën. Por atentati dështoi dhe i plagosur mbeti vetë vrasësi me pagesë, Nuredin Dumani. Edhe rivali tjetër i tij, Erion Alibej dyshohet se nga qelia porositi një atentat për ekzekutimin e Ot Kilës në vitin 2023, por që shpëtoi sërish.
Në vitin 2018 ai u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, pasi autoritetet italiane e akuzonin për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik narkotikësh, mashtrim dhe kallëzim të rremë. Dy muaj pas arrestimit, Prokuroria e Elbasanit sekuestroi pasuri në emër të tij dhe familjarëve me vlerë të deklaruar rreth 71 milionë lekë, përfshirë një godinë 5-katëshe, tokë, njësi shërbimi, shoqërinë "Kila Trans", si edhe 39 automjete luksoze dhe 6 motomjete, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal. Më pas, Gjykata e Elbasanit e liroi nga paraburgimi duke caktuar masën "detyrim paraqitje".
Pas lajmeve se objektiv i sulmit dje në ka qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur si “Ot Kila”, ky i fundit e ka mohuar lajmin.
Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se npi i tij ka qenë aty rastësisht dhe nuk ka të bëjë fare me këtë rast.

Komente








