Plagosja rëndë e shtetasit Eduart Duka në zonën e “Kinostudios”, ka sjellë identifikimin e dy autorëve të krimit, që sipas policisë dhe prokurorisë së Tiranës, janë kushërinjtë e të dëmtuarit, shtetasit Leonard dhe Erlis Duka.
 
Ky i fundit rezulton të jetë dënuar në 2010 nga gjykata e Tiranës, për akuzën e plagosjes. Dy vëllezërit Duka tashmë janë shpallur në kërkim policor, ndërkohë që pak ditë më parë prokuroria e Tiranës i është drejtuar gjykatës së kryeqytetit, ku kërkonte prej saj autorizimin për të kryer një kontroll në banesën e shtetasit, Rivelino Mumajesi.
 
Ky i fundit banon jo shumë larg vendit ku ndodhi plagosja e rëndë e shtetasit Eduart Duka. Mumajesi ka shoqëri të ngushtë me dy atentatorët Duka, dhe për pasojë prokurorët kanë ngritur dyshime të forta se, ai mund ti ketë ndihmuar ata, në largimin e shpejtë ose në fshehjen e armës së krimit apo motorit tip “Papaq”.
 
Kjo kërkesë e prokurorisë është pranuar nga gjykata e Tiranës, e cila ka autorizuar policinë dhe prokurorinë të ushtrojnë kontroll në të gjithë territorin e shtëpisë dhe oborrin për rreth. Nuk dihet me saktësi nëse grupi hetimor ka gjetur sende të kundraligjshme, pasi rezultatet e këtij kontrolli janë mbajtur sekret.
 
Atentati në Kinostudio
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 20 mars 2017, ku për këtë krim prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal Nr.2199, që bën fjalë për veprat penale të “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, në dëm të Eduart Duka dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit”.
 
Ka qënë ora 20:25, në vendin e quajtur rruga “Aleksandër Moisiu”, në trotuarin pranë lokal “Nek Bar”, shtetasi Eduart Duka është qëlluar me armë zjarri pistoletë, nga një person i vetëm. Si pasojë e goditjeve me predha arme zjarri, shtetasi Eduart ka pësuar dëmtime trupore dhe aktualisht merr mjekim në Spitalin e Traumës, ku pasi i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, ndodhet në gjendje rreziku për jetën.
 
Dëshmitarë okularë në vendngjarje, kanë deklaruar se shtetasin Eduart, e ka qëlluar në një distancë të afërt tre herë me pistoletë një person, që ka patur skafandër në kokë dhe pasi ka kryer aktin, është larguar me një automjet tip “papaq”, që e priste në rrugë, në drejtim të hotel “Bermon”.
 
Drejtues i motoçikletës ka qenë një person tjetër, i cili kishte skafandër në kokë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale 3 gëzhoja të fishekëve luftarakë Kal.7.65mm, me markerim ”S&B 7.65 Br 15”.
 
Atentati pas një muaji nga sherri fizik
Familjarët e të dëmtuarit Eduart të pyetur për rrethana të faktit, kanë deklaruar ndër të tjera se shtetasi Eduart dhe vëllai i tij Rigert Duka, kanë patur një konflikt me dy vëllezërit Leonard e Erlis Duka para rreth 1 muaji, konflikt i cili ka agravuar deri në goditje fizike midis tyre. Sa më sipër ekziston një dyshim i arsyeshëm se dy shtetasit Leonard e Erlis Duka,janë autorë të tentativës për vrasje të shtetasit Eduart Duka.
 
Nga këqyrja e pamjeve filmike të sekuestruara rezulton se dy autorët janë larguar me automjet duke u drejtuar në lagjen ku aktualisht banon shtetasi Rivelino Mumajesi, banesa në rrugën “Shefqet Kuka”, banese e ulët private.
 
Shtetasi Rivelino Mumajesi sipas akteve të administruara është në lidhje shoqërore të ngushta me shtetasit e dyshuar si autorë të veprës penale në këtë procedim penal shtetasit Leonard e Erlis Duka. Ndodhur në këto kushte prokurorët kanë ngritur dyshime të forta se, Mumajesi mund t’i ketë ndihmuar atentatorët, në largimin e shpejtë të tyre ose në fshehjen e armës së krimit apo motorit tip “Papaq”.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com