TIRANË - Agjenti i Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani kaloi 4 ditë në spitalin e Traumës me 10 plumba, 2 në kokë e 8 të tjerë në trup. Në orën 3 të mëngjesit të së shtunës, 15 nëntor, pavarësisht kujdesit intensiv nga bluzat e bardha, 40-vjeçari ndërroi jetë në reanimacionin e spitalit prej nga nuk mundi të dalë dot.

Muçi Shaljani i njohur edhe me mbiemrin Sheqeri ishte në timon në Benzin e bardhë, kur 3 persona dolën nga një tjetër automjet, dhe lëshuan breshëri plumbash ndaj makinës që ai drejtonte. Shënjestër e atentatorëve ishte Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili mbeti i vdekur në vend.

"Në vijim të informacionit të dhënë më datë 11.11.2025, mbi ngjarjen e ndodhur tek rrethrrotullimi i Rinasit, ju informojmë se shtetasi M. Sh. (Sh.), i cili mbeti i plagosur, ka humbur jetën gjatë natës.", njofton policia.

Atentati ndodhi në një nga zonat më të sigurta, rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit. Por në orën 14:15 të 11 nëntorit, për rastësi aty pranë nuk ndodhej asnjë forcë policie, siç zakonisht stacionohen pranë aeroportit. Gilmando Dani, sapo kishte zbritur nga avioni nga një fluturim nga Barcelona, ku kishte qëndruar 4 ditë. Çfarë bëri dhe kë takoi atje, është duke u pritur përgjigje nga autoritetet spanjolle. Atentatorët u larguan nga kasaphana që vetë krijuan, vetëm pasi u bindën se shënjestra Gilmando Dani ishte vrarë, ndërsa Shaljani e lanë me shenja jete.

As 2 muaj nuk kishte që Muçi Shaljani i ishte bashkuar Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së, e cila pas lidhjes së tij, në një makinë me një prej personazheve më të njohur të botës së krimit, u shkri, ndërsa procedurat e dyshimta të pranimit të tij në AMP pa një certifikatë sigurie, çuan në pranga 2 punonjës të policisë të komisariatit të 3-shit që i bënë letrat pa pasqyruar të plotë të shkuarën e tij.

Por, Gjykata e Tiranës e cilësoi arrestimin e dy policëve, Bruno Cara dhe Arshim Zajmi, të paligjshëm. Në seancën e mbajtur ditën e sotme Gjykata ka vendosur të mos vendosë asnjë masë sigurimi ndaj tyre. Ndërkohë, Prokuroria kishte kërkuar masat e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit” deri në përfundimin e hetimeve.

3 ditë pas atentatit të planifikuar në detaje, policia gjeti në fshatin Zall të Fushë Krujës një arsenal armësh dhe shpalli në kërkim pronarin, Ylli Zalli, i cili dyshohet ndihmës i vrasësve. Policia ka dyshime të forta se makina “Toyota” që autorët përdorën në vrasje, dhe më tej e dogjën në fshatin Halil në Fushë-Krujë, ka dalë nga shtëpia e tij. Deri tani akoma nuk ka identifikuar persona të tjerë, ndërsa hetime intensive po kryhen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:59
Atentati pranë aeroportit të Rinasit/ U arrestuan se fshehën të dhëna që inkriminonin Muçi Shaljanin, gjykata liron dy policët

1762939605_muishaljani.jpg

Muçi Shaljani

Gjykata e Tiranës ka liruar, dy policët që u arrestuan pasi fshehën të dhëna që inkriminonin Muçi Shaljanin që humbi jetën sot pasi u plafos gjatë një atentati pranë Aeroportit të Rinasit teksa drejtonte një makinë luksoze me pasagjer Gilmando Danin, i cili mbeti i vdekur në vendngjarje.

Gjykata Penale e Tiranës ka konkluduar se arrestimi i dy efektivëve të Komisariatit nr. 3, Bruno Cara dhe Arshim Zajmi, ishte i paligjshëm dhe ka vendosur të mos vendosë asnjë masë sigurimi ndaj tyre.

Ndërkohë, Prokuroria kishte kërkuar masat e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit” deri në përfundimin e hetimeve.

Atentati ndodhi në rrethrrotullimin e aeroportit të Rinasit, ku Gilmando Dani, sapo kishte zbritur nga avioni nga një fluturim nga Barcelona, ku kishte qëndruar 4 ditë dhe po udhëtonte në mjet me mikun e tij Muçi Shaljani kur u qëllua me breshëri plumbash. Dani mbeti i vdekur në vend, ndërsa Shaljani pasi humbi jetën ditën e sotme, pasi 4 ditësh qëndrim në spital.