Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish-drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Artjol Saliasi dhe Drejtorin e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse Gëzim Sala, i pezulluar nga detyra, të dyshuar se kanë punësuar me urgjencë dhe në shkelje të rregullave bazë Muçi Shaljanin, i cili u vra në atentatin e 11 nëntorit në Rinas së bashku me Gilmando Danit.
Dyshimet janë se Muçi Shaljani, i njohur ndryshe si ‘ushtar’ i Emiljano Shullazit, është punësuar “me urgjencë” në AMP si agjent, me qëllim për t’i shërbyer krimit.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Saliasi dhe Sala kanë komunikuar së bashku me punësimin e Shaljanit në AMP. Dokumentet janë përgatitur nga Gëzim Sala ndërsa në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë anashkaluar të gjitha procedurat e parashikuara për rekrutimin e agjentëve të rinj.
Prokuroria thotë se nga hetimet, nuk rezulton e dokumentuar me shkrim e as verbalisht kërkesa për rekrutimin e agjentëve në AMP për “nevoja urgjente”, ashtu siç i argumentuar rasti i punësimit në strukturë në një kohë të shkurtër i Muçi Shaljanit.
Agjentit të ri Muçi Shaljani iu caktua detyra e vëzhgimit, sapo nisi punën vetëm me letra, më 16 shtator të vitit 2025, Nga ajo datë, për të paktën 2 muaj, deri më 11 nëntor, Muçi Shaljani nuk u paraqit asnjë ditë në punë, por paga ndaj tij nuk u ndërpre. Do të kishte vazhduar deri në dhjetorin e kaluar, kur përfundonte kontrata 3-mujore, por një atentat mafioz i mori jetën. Muçi Shaljani, sipas hetimeve që SPAK po kryen, nuk ishte shënjestra e atentatit të 11 nëntorit pranë rreth-rrotullimit të Rinasit. Vrasësit, të cilët qëlluan me breshëri ndaj makinës në ecje, kishin synim, Gilmando Danin, i konsideruar krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili ishte pasagjer në automjetin e marrë me qira që drejtonte agjenti i AMP-së.
Të dy ishin kthyer nga një fluturim nga Barcelona dhe sapo kishin zbritur në Rinas. Prej 11 nëntorit e deri më tani, asgjë nuk është zbardhur për autorët apo porositësit, ndërsa hetimet u përqendruan te larja e hesapeve mes grupeve kriminale.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq Artjol Saliasi ish-Drejtor i Përgjithshëm i AMP dhe Gëzim Sala Drejtor i Drejtorisë së Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimit mbi procedimin penal nr.8566 të vitit 2025, rezultoi se shtetasi M. S. i cili humbi jetën i qëlluar me armë zjarri në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Rinasit, pranë Aeroportit Nënë Tereza së bashku me shtetasin G.D,, ishte emëruar në mënyrë të jashtëligjshme si punonjës i Autoritetit të Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë rezultoi se shtetasi M. Sh. u punësua në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në shkelje të Ligjit Nr.128/2021 “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe të Rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”. Veprimet përgatitore dokumentare u kryen nga shtetasi G.S., në cilësinë e Drejtorit të Personelit dhe ato vendimmarrëse nga Drejtori i Përgjithshëm (i Komanduar) i kohës A.S.
Të dy këta shtetas me veprimet e mosveprimet e tyre kanë konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i K.Penal, pasi faktohet që në momentet e para të paraqitjes së kërkesës së shtetasit M. Sh. për punësim në AMP, kanë biseduar me njëri-tjetrin rastin e këtij shtetasi, duke kërkuar mënyra të anashkalimit të Ligjit organik Nr.128/2021 “Per Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore” dhe te Rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore”, ku janë përcaktuar qartë fazat duke filluar nga shpallja e vendeve vakante, krijimii i komisionit per vlerësimin e kandidaturës, testimet, verifikimet përfundimtare, vlerësimin e dokumentacionit të dorëzuar nga aplikanti (asnjë prej këtyre fazave nuk është aplikuar) deri në nënshkrimin e Urdhërit të punësimit i cili në përmbajtje të tij ka motivimin “për nevoja emergjente”.
Nga deklarimet e marra ndaj drejtuesve të strukturave në asnjë rast nuk dokumentohet as me shkrim dhe as verbalisht “nevoja emergjente” e ndonjë strukture që tregon se asnjë prej strukturave nuk ka patur apo kërkuar rekrutim punonjësish për nevoja emergjente të punës.
Shtetasi M.Sh., u punësua me një procedurë të paligjshme, në një kohë shumë të shkurtër (nga data 09.09.2025 kur u paraqit zyrtarisht kërkesa deri më datë 16.09.2025 që i janë lidhur marrëdhëniet financiare, në total 4 ditë pune, që tregon se nuk është aplikuar asnjë prej detyrimeve ligjore të shprehura në ligjin dhe rregulloren e AMP. Është paguar me rrogë të rregullt nga data 16.09.2025 deri në datë 11.11.2025 (data e ngjarjes në rrethrotullimin e Rinasit), pa u paraqitur asnjëherë në punë, apo zhvilluar ndonjë detyrë.
Nga hetimet rezultoi se të pandehurit ishin të vetëdijshëm për procedurën ligjore dhe mungesën e kushteve dhe pavarësisht kësaj vijuan procedurën dhe futën në strukturë një person pa verifikim real dhe me dokumentacion të dyshimtë.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









