TIRANË- Hakmarrja dyshohet të jetë një ndër shkaqet që ka çuar në ekzekutimin e 39-vjeçarit Briken Sanajt një natë më parë në Tiranë. Report Tv mëson se vëllai i 39-vjeçarit, Renato (Anton) Sanaj ka plagosur në vitin 2012 një person në Lezhë, pistë e cila nuk përjashtohet nga grupi hetimor se mund të ketë çuar në ekzekutimin e Sanajt. Ende nuk bëhet me dije se për cilën plagosje bëhet fjalë.

Familja e Sanajt jeton ende në lagjen besëlidhja të qytetit të Lezhës, po vetë 39-vjeçari jetonte në Itali, ndërsa mësohet se ishte kthyer në Tiranë pasi kishte qenë në dasmën e një shoku. 39-vjeçari kishte një marrë një apartament me qira në rezidencën ‘Kodra e Diellit’, aty ku edhe u ekzekutua. Vetë viktima Briken Sanaj, apo siç njihet ndryshe edhe si Skerdilajd Sanaj, nuk rezulton me precedent të mëparshëm penal as në Itali dhe as në Shqipëri.

Report Tv ka zbardhur edhe dinamikën e ngjarjes. Autori është kujdesur që ta qëllojë 39-vjeçarin pa praninë e familjes. Ai i ka ndjekur lëvizjet e 39-vjeçarit nga Lezha në Tiranë, pasi Sanaj kishte qenë në dasmën e një kushëriri në qytetin e Lezhës. Sanaj është qëlluar rreth 20 minuta pasi ishte kthyer nga dasma. 

Autori është futur në rezidencë, nga pjesa e pasme të saj, duke çarë rrethimin e jashtëm, pa u përballur me rojet e sigurisë. Autori ka qenë në këmbë, i maskuar dhe me një çantë në dorë, në të cilën mendohet se ka pasur edhe kallashnikovin me të cilin ekzekutoi 39-vjeçarin. Sanaj është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa ishte duke mbyllur makinën, sapo kishte zbritur familjarët në shtëpi. Dyshohet se edhe brenda rezidencës ka pasur informatorë që e kanë ndihmuar autorin të lokalizojë 39-vjeçarin.

Pasi e ka qëlluar Sanajn në një distancë të afërt, autori është larguar sërish nga pjesa e pasme e rezidencës, aty ku e priste një makinë e më pas së bashku me shoferin është larguar për në Qafë Kashar, aty ku u djeg edhe automjeti i djegur. Ende nuk ka asnjë gjurmë të autorëve. 

Katër plumba e kanë kapur Sanajn, plagë të cilat i morën edhe jetën. Ai u dërgua për në spital nga shoku i tij, me një makinë tip ‘Audi’, por ndërroi jetë rrugës për te ‘Trauma’.

Atentati u regjistrua një natë më parë rreth orës 23:20 në rezidencën e 'Kodra e Diellit' në Tiranë. Një natë më parë u gjet edhe një makinë e djegur tip ‘Benz’ në Qafë-Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, e cila dyshohet se i përket autorëve. Targat e mjetit 'AA777GY’, i përkasin shtetasin Luan Qanushi, të cilat rezultojnë të vjedhura para disa ditësh në Tiranë. Brenda makinës është gjetur edhe arma tip kallashnikov, me të cilën është qëlluar në drejtim të 39-vjeçarit.

Sipas burimeve, kamerat e sekuestruara kanë filmuar pamje të rëndësishme ku po punohet për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin e identitetit të autorëve. Ngjarja është referuar në Prokurori për veprën penale "vrasje me paramendim".

*Raportuan për Report Tv dhe Shqiptarja.com, gazetarët Sokol Dema, Elvis Hila dhe Arsen Rusta

1667201002_brikensanaj.jpg

Briken Sanaj dhe foto nga vendi i ngjarjes

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:00
VIDEO/ Kjo është makina e shkrumbuar që autorët përdorën për të ekzekutuar 39-vjeçarin te ‘Kodra e Diellit’

Kjo është makina që kanë përdorur autorët gjatë atentatit të Briken Sanaj. Makina tip ‘Benz’ u gjend e djegur në Qafë-Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash.

Ora 12:01
E bërë shkrumb e hi, por në makinën që u larguan vrasësit e Sanajt gjenden gëzhojat e kallashnikovit! (VIDEO)

 

Report Tv ka siguruar pamjet të automjetit të djegur që u përdor mbrëmjen e djeshme nga vrasësit e Briken (Skerdilajd) Sanajt.

Në pamje duket se si është bërë ‘shkrumb e hi’ automjeti tip “Benz”, që u gjet pas ekzekutimit në zonën e Qafë Kasharit duke u djegur, janë gjetur edhe gëzhojat e kallashnikovit me të cilin u qëllua 39-vjeçari.

1667213966_bfe4983fd0644c50b40d3d2d7561c97c.jpg1667214469_WhatsAppImage20221031at11.53.40.jpeg

Ora 11:13
Atentati në Tiranë/ Report Tv sjell VIDEO-n, kjo është zona ku autori u fut në rezidencën ‘Kodra e Diellit’ dhe më pas qëlloi me breshëri 39-vjeçarin

 

Kjo është zona në rezidencën ‘Kodra e Diellit’ në Tiranë, nga e cila është futur autori, i cili ka ekzekutuar një natë më parë 39-vjeçarin Skerdilajd Sanaj. Autori është futur nga pjesa e pasme e rezidencës, pa u vënë re nga rojet e sigurisë. Pasi ka qëlluar me breshëri kallashnikovi, autori i maskuar është larguar po nga pjesa e pasme e rezidencës, ndërsa është ndihmuar nga një person tjetër me makinë për t’u larguar. Kjo makinë më pas u gjet e djegur në Qafë-Kashar.

Ora 10:25
E ekzekutua mbrëmë në rezidencën luksoze në Tiranë, fqinjët e njihnin me emër tjetër 39-vjeçarin

Report Tv ka zbuluar të tjera detaje në lidhje me ekzekutimin e 39-vjeçarit Sanaj mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Briken Sanaj, njihej nga të tjerët në rezidencë si Skerdilajd Sanaj, ose Skerdi.

Ora 08:43
DETAJET/ 39-vjeçari u ekzekutua pas dasmës së kushëririt! La familjen në shtëpi, autorët me makinë thyen traun e rezidencës 'Kodra e Diellit' dhe e qëlluan me breshëri plumbash

 

Të tjera detaje janë zbuluar nga atentati që u regjistrua një natë më parë në Tiranë. Report Tv ka mësuar se 39-vjeçari Briken Sanaj është qëlluar me breshëri plumbash sapo ka lënë familjen në shtëpi. Pasi ka dalë nga garazhi, autorët janë futur në rezidencën ‘Kodra e Diellit’ me makinë, kanë thyer traun dhe kanë qëlluar në drejtim të 39-vjeçarit. Fatkeqësisht, Sanaj nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

Ora 08:18
Atentati në Tiranë, del FOTO, ja kush është 39-vjeçari që u ekzekutua mbrëmjen e djeshme

1667200355_ANTONGJINI.jpg

Ky është 39-vjeçari që është ekzekutuar një natë më parë në Tiranë. Report Tv ka siguruar foton e 39-vjeçarit Briken Sanaj, i cili u ekzekutua mbrëmë në rezidencën ‘Kodra e Diellit’ nga një mjet në lëvizje.