TIRANE- Bledar Balliu, 33-vjeçari i dyshuar për një vrasje të ndodhur saktësisht një vit më parë, u plagos rëndë mbrëmë në një atentat dhe vdiq më pas në spital. Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 22.50 sipër shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, ndërsa Balliu po dilte nga një lokal. Atentatori që duket se ndiqte lëvizjet e tij, sapo ka dalë në rrugë e ka qëlluar, duke e lënë të plagosur rëndë me 7 plumba. Në vendngjarje menjëherë mbwrritwn forca të shumta policie dhe i plagosuri u dërgua prej tyre urgjent në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por mjekët e lanë përgjysëm mjekimin e tij, sepse ndërroi jetë rreth orës 23.30.

Policia ka shoqëruar disa dëshmitarë që ishin në vendngjarje dhe dëshmitari kryesor është roja i një institucioni shtetëror, i drejtorisë së ISKSH-së në Tiranë ai që ka parë skenën e atentatit. Po ashtu në cilësinë e dëshmitarit janë shoqëruar edhe klientët e lokalit, prej nga doli Balliu, para se të plagosej.

KUSH ISHTE BLEDAR BALLIU
Bledar Balliu i datëlindjes 10 mars 1979, nga Fieri është një emër i njohur për drejtësinë. Ai u arrestua një vit më parë, në 16 korrik 2011, një ditë pasi ishte ekzekutuar po afër shkollës “Petro Nini”, 40-vjeçari Aleksandër Koliçi. Policia e kishte ndaluar Balliun, si të dyshuar për atentatin që ndodhi mbrëmjen e 15 korrikut 2011, ku mbeti i vrarë Koliçi, njëri prej 7 të arrestuarve në maj 2006, në kuadër të operacionit të Koduar “Poter-Al”, nën akuzën për trafik të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nuk ka patur shumë dëshmi nga kalimtarët për atentatin e një viti më parë, por ka qenë dëshmia e një të mituri, që pa skenën e vrasjes së Koliçit, që çoi në arrestimin e Balliut, që nuk e pranoi krimin. I mituri kishte dhënë karakteristikat e personit, që kishte qëlluar me një pistoletë me silenciator mbi koliçin. Policët e komisariatit numër 2 menjëherë ushtruan kontroll në banesën e tij, ku u gjet një silenciator. Ekspertët morën gjurmët e duarve, ku kishte barut, çka tregonte se ai kishte qëlluar.
Sipas hetimeve të policisë vrasja e Koliçit nga Balliu kishte qenë e planifikuar më parë, sepse viktima ishte bërë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe Balliu akuzohej se kishte ndihmuar drejtësinë që të identifikonte pronat e të arrestuarit. Sipas të dhënave, pas dëshmisë së Koliçit, në mars 2011, Prokuroria për Krimet e Rënda kishte kërkuar sekuestrimin e 70 mijë eurove pasuri, që posedoheshin nga Balliu.

LIRIMI
Bledar Balliu ishte liruar në shtator 2011 nga Gjykata e Tiranës që shfuqizoi masën e sigurisë “arrest me burg, me afat”. Në dy vendime të mëparshme, njëri më 18 korrik dhe tjetri në fillim të gushtit, Gjykata e Tiranës kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg, me afat”, një herë 40 ditë e më pas 15 ditë, për të dyshuarin rreth akuzës për vrasje.
Kontradiktat pas dëshmisë së Aleksandër Koliçit në procesin gjyqësor “Poter Al”, sipas Policisë e bënë Bledar Balliun të dyshuarin kryesor për vrasjen e dëshmitarit të gjykatës. Koliçi, ashtu si Balliu, ranë në pranga në vitin 2006, në të njëjtin operacion policor dhe u akuzuan se kishin trafikuar drogë së bashku. Procesi gjyqësor ndaj tyre ishte i përbashkët, ndërsa Balliu e Koliçi pretendohet se kanë pasur kontradikta të forta në paraburgim, pasi viktima e vrasjes së 15 korrikut 2011 dha shpjegime në gjykatë.

(Shkrimi u publikua ne Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)