Nga pamjet e vendit ku u plagos 40-vjeçari, dallohet i shtrirë në trotuar Korab Peposhi, vetëm pak minuta pas atentatit. Autori i plagosjes së rëndë është Alfred Rrushi. Burimet nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se autori e ka survejuar Korab Peposhin derisa është afruar pranë rrugës “Shkodra” dhe më pas ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tij disa herë. Pas të shtënave Alfred Rrushi është larguar nëpërmjet një rrugice dhe dyshohet se më pas ka përdorur një makinë për ti shpëtuar ndjekjes së policies lokale.
Hasmëritë dhe pazaret e drogës
Burimet policore sqarojnë se autori i plagosjes Alfred Rrushi, është një emër i njohur për uniformat blu, pasi ka qenë i dënuar më parë në Shqipëri për plagosje dhe grabitje më armë të parave të Fondit të Zhvillimit Rural. Ndërkohë Korab Peposhi gjithashtu është një person i skeduar, pasi në vitin 2011 është arrestuar në Itali, për trafik kokainë. Pikërisht trafiku i drogës është një nga pistat kryesore që po heton policia për atentatin që i është bërë Korab Peposhit.
Dyshohet se prishja e pazareve të drogës, mund të jetë shkak i atentatit. Më shumë se 5 herë qëlloi Alfred Rrushi ndaj Korab Peposhit, ku 3 plumba e kapën në trup. Plumbat kanë rrezikuar të prekin edhe qytetarët e shumtë që lëviznin në zonë. Ndërkohë mjekët e Spitalit të Traumës shprehen se Korab Peposhi është në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në reanimacion. Policia ngriti postblloqe të shuma në zonë, por nuk mund te arrestojë autorin e këtij krimi të rëndë.
Dënimi për grabitjen e 5.8 milion lekëve
Shqiptarja.com mëson se në vitin 1999 Alfred Rrushi është dënuar me 10 vite burgim, dënim ky që është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Lartë.Bashkë me Rrushin i pandehur në këtë dosje ka qënë dhe shtetasi Fatmir Grifshi. Pas një shqyrtimi gjyqësor në këtë periudhë është arritur në përfundimin se dy të gjykuarit pasi janë marrë vesh më parë më 24 shtator 1998 kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë në bashkëpunim.
Ata duke qenë në dijeni se në fshatin Kallmet do të ndaheshin për fshatarët një sasi lekësh dhënë nga Fondi i Zhvillimit Rural, rreth orës 04.00 të mëngjesit, pasi kanë marrë me vete armë kanë qëndruar në pritë në vendin e quajtur “Brinja e Linjës”. Rreth orës 12.00 në vendin ku të gjykuarit ndodheshin në pritë ka mbërritur makina me targë “TR 0028 A”. Ku ndodheshin arkëtarja e Bankës së Kursimeve Ferzilet Muça me shumën 580.000 lekë.
Të pandehurit,janë maskuar dhe kanë dalë në rrugë kanë qëlluar me armë në drejtim të makinës për rrjedhojë personeli që ndodhej në të është larguar atëherë të pandehurit kanë marrë çantën ku ndodheshin lekët dhe dokumentat që lidheshin me këtë sasi lekësh. Pas veprimeve të mëpasme të policisë janë zbuluar gjurmë e sende me vlera provuese në lidhje me veprimet kriminale të kryera nga të gjykuarit Alfred Rrushi dhe Fatmir Grifshi.
d.b/shqiptarja.com







