Vrasja e avokatit grek rikthehet sërish në qendër të vëmendjes së medieve, jo vetëm shqiptare, por edhe atyre greke. Shkak është bërë atentati i djeshëm të një prej autorëve kryesor të dyshuar, Eno Mata në qytetin e Vlorës, i cili shpëtoi duke mbetur i plagosur ndërsa shoku i tij që udhëtonte me të në motor mbeti i vdekur edhe pse nuk ishte objektiv i atentatorëve. Motra e 32-vjeçarit, Eno Mata, Iliana ka dhënë një intervistë për mediet e shtetit helen në të cilën ka zbardhur telefonatën e fundit me vëllanë, e ndërsa thekson se familja e ka mohuar atë si djalin e tyre. "Për ne zëre se ka vdekur, po vuajmë vdekje të dytë në shtëpi", u shpreh ajo.
Familja e Matës aktualisht ndodhet në Greqi, e ndërsa ai qëndronte i vetëm në Shqipëri. Për shkak se nëna e tyre kishte kombësi greke, e gjithë familja, përveç Aleksandros, siç ato e thërrasin, nuk mundi t'i merrte dokumentet, për shkak se ishte i arrestuar në lidhje për një sërë grabitjesh.
“Për përfshirjen e tij në vrasjen e avokatit e kam marrë vesh dje nga mediet. Para dy javësh, konkretisht e shtunë, më ka marrë në telefon. Më tha që jam djalë i mirë, mos u shqetësoni. Jam në fshat, rri e qetë. Bëhet fjalë për fshatin Poro, ku kemi shtëpinë. Gjithnjë kemi pasur frikë për të, pasi është atje pa lekë, pa përkrahje. Nëna jonë ka kombësi greke dhe ne kemi të gjithë dokumentet greke përveç Aleksandros. Ai nuk i mori dot se ishte arrestuar për grabitje. Ai nuk arriti të betohej kështu që ngeli shtetas shqiptar dhe menjëherë pas përfundimit të dënimit e shoqëroi policia në kufi dhe e lanë aty pa lekë", u shpreh Iliana.
Duke u ndalur tek vrasja e avokatit grek Mihalesi Zafeiropoulos, për të cilën Mata është një ndër të dyshuarit, ajo rrëfen se e ka mësuar vetëm nga mediat. Ajo gjithashtu ka rrëfyer edhe peripecitë që ka kaluar vëllai i saj në burg, që nga shtrimi në psikiatri e deri tek tentativa për ta vrasë, sipas së cilës familja nuk ka mundur që t'i jepte asnjë ndihmë.
"Eno ka qenë i shtruar dhe në psikiatrinë e Burgut Koridhalos. Nuk na kanë dhënë shumë shpjegime në Koridhalo por dhe kur e çuan në burg tjetër ne nuk kishim mundësi ekonomike t’i shkonim dhe flisnim vetëm në telefon. Herë na thoshte më helmuan në kafe, herë kërkonte të ndërhynim ta çonin në spital, herë na kërkonte para për të ndihmuar një shok. Pastaj pas dy ditësh thoshte që ai vari veten dhe vdiq tek shkalla. Kishte gjithnjë nevojë të ndihmonte dikë. Në një grabitje që bëri në Korintho, siç thanë dëshmitarët, vraponte dhe hidhte paratë në oborret e shtëpive. Në 8 vitet që ka qenë brenda, ne nuk kishim mundësi ta ndihmonim, nga ana mjekësore e kam fjalën", përfundoi ajo.
Por kush është Eno Mata?
Eno Mata rezulton të jetë me precedentë penale, i akuzuar për grabitje me dhunë. Ai është një nga të dyshuarit kryesor për vrasjen e avokatit grek Mihalesi Zafeiropoulos në vjeshtë të 2017 si dhe për grabitje me dhunë. Dyshohet se vrasja e mbetur në tentativë e Matës është porositur në shtetin fqinj, Greqi që ka të bëjë pikërisht me avokatin, krim të cilin Mata e ka mohuar.
"Unë nuk kam bërë asnjë vrasje, vetëm kam bërë vjedhje në bankë. Jam dënuar për këtë punë. Atje më kanë ngatërruar me një anëtar të një bande. Prandaj më kanë qëlluar", tha dje Eno Mata. Ai dyshohet se ka qenë pjesë e bandës së burgut Kordhalos, me në krye "bosin" Klodian Lekocaj. Vetëm një ditë më parë u arratis nga burgu, një tjetër anëtar i kësaj bande Albiano Xhezairi, por që u arrestua disa orë më vonë.