Ish-drejtori i komanduar i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Artion Saliasi dhe drejtori i Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse Gëzim Sala, janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Tiranës lidhur me rekrutimin në kundërshtim me ligjin brenda AMP-së të Muçi Shaljani (Sheqerit), i vrarë në një makinë me Gilmando Danin më 11 nëntor pasi dolën nga aeroporti i Rinasit.

Gëzim Sala është aktualisht në detyrë me vendim të Gjykatës së Apelit pavarësisht se është marrë i pandehur. Ai u pezullua me vendim në të Gjykatës së Tiranës më 16 shkurt 2026. Artion Saliasi dhe Gëzim Sala akuzohen për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Sipas Prokurorisë, Sala ka urdhëruar punësimin pranë AMP-së të Shaljanit me urgjencë me motivacionin “pranohet me kontratë të përkohshme dhe për nevoja emergjente”. Shaljani është paguar deri ditën e atentatit nga AMP, nga 16 shtatori deri më 11 nëntor 2025, pa u paraqitur asnjë ditë të vetme në punë.

Dyshimet e prokurorisë se punësimi i Shaljanit në AMP është i sponsorizuar nga krimi i organizuar shtohen edhe nga fakti se agjentit të ri që prej fillimit të punës është vendosur detyra e vëzhgimit.

Atentati mafioz i Rinasit që i mori jetën punonjësit të AMP-së dhe Gilmando Danit, po hetohet nga SPAK, pasi Prokuroria e Tiranës, shpalli moskompetencë. Gimando Dani dhe Muçi Shaljani (Sheqeri) u vranë me breshëri plumbash kallashnikovi nga një grup vrasësish prej 3 personash, sapo dolën nga aeroporti i Rinasit.

Të dy sapo ishin kthyer nga Barcelona, ndërsa një makinë i priste te rrethi i Rinasit. Pas vrasjes së dhunshme, makinat tip “Toyota”, u largua me shpejtësi dhe u dogj në fshatin Halil. Prej ditës së ngjarjes, asgjë nuk u zbardh për autorët apo porositësit, ndërsa hetimet u përqendruan te larja e hesapeve mes grupeve kriminale.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë