ATHINE -  "Vajtëm të vulosim pasaportat na thanë nuk lejohet. Vajzën ma hoqën zvarrë më tërhoqën dhe mua"- tregon Eglantina Xhaferri, njëra prej nënave të kthyera sot nga Athina pasi në pasaportën e vajzës së saj vendlindja nuk ishte shkruar në gjuhën angleze por në shqip.

Sot në mëngjes rreth 14 nëna, gra me fëmijët e tyre sa zbritën në aeroportin e Athinës janë urdhëruar të kthehen mbrapsht për shkak se toponimi, emri i vendlindjes së fëmijëve ishte në gjuhën shqipe.

Shqiptarët janë hipur në avion dhe janë kthyer drejt Tiranës. Rreth orës 11:10 minuta 14 gratë dhe fëmijët zbritën në aeroportin Nënë Tereza në Tiranë.

Ndërkohë që ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti priti mesditën e sotme përfaqësues të shtetasve shqiptarë të ndaluar mëngjesin e sotëm në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës “Elefterios Venizelos”.

“Ministri Panariti dëgjoi me vëmendje shqetësimet e ngritura nga qytetarët shqiptarë të kthyer nga autoritetet greke dhe garantoi se Ministria e Jashtme po ndjek me shumë prioritet situatën e krijuar. Ministria e Jashtme sqaron se ka paraqitur propozimet përkatëse te pala greke për zgjidhjen e problemit të toponimive, bazuar në praktikat e njohura ndërkombëtare për këtë çështje”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

RREFIMI I EMIGRANTES: ME TERHOQEN ZVARRE VAJZEN TIME

Eglantina Xhaferri, nëna e një vajze Esmeralda tregoi për Tv A1 Report momentet e qëndrimit në aeroportin e Athinës. “Zbritëm në Athinë. Vajtëm të vulosim pasaportat na thanë nuk lejohet. Ishim shumë familje. I thamë se nuk kthehemi dot prapa se kushton shumë lekë. Nuk lejohet na thanë. Vajzën ma hoqën zvarrë, më tërhoqën dhe mua”- tregon Eglantina duke sqaruar se policia kërkonte që në pasaportë të shkruhej Greece dhe jo Greqi. Nga ana e ministrit Panariti, ata kishin marrë premtimin për zgjidhje brenda 3- 4 ditësh.

Autoritetet greke kërkojnë që në pasaportat biometrike kryesisht të fëmijëve, vendlindja e tyre në qytetet e Greqisë të shkruhet jo në shqip por në anglisht, duke pretenduar se e kërkojnë rregullat ndërkombëtare. Skena të tilla janë përsëritur disa herë në ditët e kaluara edhe në pikën doganore të Kakavijës dhe Kapshticës.

Redaksia online
(sg/eç/shqiptarja.com)