Atje në Greçë, ku u shpall memorandumi për autonomi brenda Perandorisë Osmane

Atje në Greçë, ku u shpall memorandumi për autonomi brenda Perandorisë Osmane

2018-ta shënoi një vit të jashtëzakonshëm për grupin tonë ulqinak të quajtur ”Ilirët”. Ne përveç që vizituam, pushtuam dhe hulumtuam disa nga vendet kyçe për historinë tonë kombëtare e që ndodhen në Mal të Zi, në fund të gjitha këto përjetime i kurorëzuam me botimin e një libri superluksoz të tipit katalog-monografi me dëshmi dhe fotografi ekskluzive të quajtur ”Udhëtim nëpër kështjellat ilire në Mal të Zi”.

Kësaj radhe, konkretisht më 22 qershor 2019, iu bashkuam grupit të bjeshkatarëve Labeatët nga Tuzi me qëllim që së bashku me ta të përshkojmë rrugën malore Koritë (MNE) – Greçë (AL) e që ata e organizojnë për çdo vit në shenjë të përkujtimit të Kuvendit të Greçës mbajtur më 1911.

Po çka është Kuvendi i Greçës?

Memorandumi i Greçës ose ”Libri i kuq” ka qenë një memorandum prej 12 kërkesash për vendosjen e një vilajeti shqiptar autonom përbrenda Perandorisë Osmane. Memorandumi u shkrua bashkërisht nga Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi. Prijësit e kryengritjes së 1911 në Malësi të Madhe u tubuan në pllajën e Greçës për një kuvend, i cili u mbajt nga 11 deri më 23 qershor 1911. Me këtë akt kryengritja e armatosur e shqiptarëve të veriut kishte tani një program kombëtar në të cilin aderuan tashmë të gjithë shqiptarët. Është e shkruar shqip dhe frëngjisht dhe nënshkruar nga të gjithë krerët verior.

Pasi pimë kafetë e mëngjesit të cilat na i përgatiti nënë Naxhia, në ora 5:15 lamë Ulqinin dhe morëm rrugën për në Tuz. Edhe pse herët, rrugës kuvendonim për rëndësinë e ngjarjes e cila kishte ndodhur 108 vite më parë. Kur arritëm në Tuz, temperatura tregonte 27C. Parkuam në oborrin e shkollës së mesme dhe për çudi ishim të parët që kishim mbërritë edhe pse ora tregonte 6:35 dhe koha e nisjes për shtegtim ishte parashiku në ora 7. Pas 5 minutash erdhi arkeologu ynë ulqinak, Anton Lulgjuraj, e pas tij edhe dy zonja të reja të cilat njëra jetonte në Suedi e tjetra në SHBA. Organizatorët si duket vononin! Këtë kohë e shfrytëzuam që të njoftohemi dhe ngadalë filluan edhe të tjetrët të tubohen dhe më në fund u nisëm për në pikën e nisjes së shtegtimit. Filluam të gjarpërojmë rrugëve të Tuzit, dolëm jashtë dhe pas nja 30min arritëm në vendin e quajtur Luqt e Koritës (1833 m) ku edhe ishte vendi prej nga do të niseshim këmbë.

Shpejt u tubuam të gjithë dhe grupi prej 40 vetësh u nis për në Greçë. Mosha ishte nga më të ndryshmet prej 18-70, ngadalë por me hapa të sigurt dolëm nga rruga malore dhe filluam të ecim shtigjeve që vetëm vendasit dhe bjeshkatarët i dinin. Organizatorët mundoheshin që sa më shumë të rrëfejnë për vendin, ngjarjen apo për atë çka shihnim por nxehti veç kishte filluar dhe temperatura tanimë kishte kaluar 30C e me këtë edhe koncentrimi i shtegtarëve nuk ishte në nivelin e duhur. Pas një ecje bukur të mirë arritëm në një vend që vendasit e quanin Gropa e Arushes, aty edhe bëmë pushimin e parë si dhe u njoftuam me hyjneshën e hënës, gjuetisë dhe kafshëve të egra Dianën por që unë pëlqeja ta quaja “Hajdi” i Alpeve shqiptare. Mblodhëm forcat dhe u nisëm sërisht. Tani na priste shtegu zbritës nëpër pyllin me ahishte shumëshekullore. Sapo u futëm brenda pyllit ndjenja ishte shumë e veçantë. Drunjtë e ahut të bardhë ishin aqë të lartë sa që nuk shihej qielli. Filluam të zbresim teposhtë dhe gjethet nën këmbët tona bënin që ”të fitonim skija” ku edhe disa nga ne edhe u rrëzuan. Por, rënia ishte shumë e butë sepse kishte mbi 20cm gjethe. Grupi gjarpëronte nëpër ahishten shekullore dhe gjëja e parë që të shkonte ndërmend ishin skenat e filmit ”Games of Throne”. Lodhja bënte të veten, bukuria joshëse e pyllit ku siç thonin vendasit jetojnë Zanat nuk të lente të qetë, aparatet fotografike punonin pandërprerë. Arritëm në një vend që quhej ”Dbani i Ujkajve” aty dalloheshin gërmadhat e dbanit dhe në një distancë prej 20m një rrugicë e ngushtë nja 1m në të dy anët me gurë. Ishte kjo shenja e kufirit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë. Një një rrip i hollë toke prej 1m dhe i gjatë disa dhjetëra metra simbolizonte kufirin mes këtyre dy shteteve. Ne e kaluam dhe u nisëm drejt cakut pra, për në Pllajën e Greçës. Kur dolëm nga pylli para nesh u shfaq një livadh i gjerë ku bari ishte përmbi brez. Shtegtarëve vetëm koka u shihej dhe ndjenja të kaloje nëpër një vend të tillë të zgjonte kureshtje se çka fshihej aty por dëshira që të arrijmë sa më parë në cak ishte më e madhe. Tani veç kishte filluar ngjitja graduale. E para ishte një kodër e cila duhej pushtuar dhe pas saj edhe një tjetër prej nga shihej pllaja dhe ahu shekullor. Temperatura kishte mbërrit në 35C, por duke ditë se caku ishte shumë afër na bënte që t’u japim këmbëve edhe më shumë. Shtegtarëve tanimë u printe Hajdi e cila edhe më parë kishte përshkuar rrugën e njëjtë.

Më në fund arritëm dhe u futëm nën hijen e kurorës së ahut shekullor. Ahut që dinte të gjithë atë që ishte biseduar e çka kishte ngjarë në këtë vend në vitin 1911. Ahu dinte argumentet që kishin shpalosur Luigj Gurakuqi para krerëve malësorë. Ai dinte atë çka kishin thënë burrat e dheut si Dedë Gjon Luli, Sokol Baci, Mehmet Shpendi, Dodë Preçi etj., dhe besën që ia kishin dhënë njëri tjetrit me aktin e firmosjes së Memorandumit. I shtrirë nën kurorën e ahut dhe duke kujtuar trimat e këtij kuvendi, arkeologu ynë Antoni, si i palodhur që është, ftoi shtegtarët që të ngjiten edhe 50m më lartë sepse atje gjendej Kroi i Krerëve e që ishte një burim uji shumë i ftohtë që me plotë të drejtë e meritonte thënien ”me t’i mpi dhëmbët”. Lart u ngjitëm unë, Samiu dhe Gëzimi por edhe të tjerë nga grupi. Pamja mahnitëse që shtrihej përgjatë Kanjonit të Lumit Cem nuk mundet të përshkruhet. Kjo bukuri natyrore duhej përjetuar dhe kur u ngjitëm majë një shkëmbi prej të cilit nuk shihej fundi i greminës nëpër mendje më kaloi fati i Memlit nga ”Gremina e dashurisë”. Filluam të bëjmë fotografi, përqafonim kurorat e Alpeve shqiptare, preknim majat e maleve tona kreshnike, na freskonte aroma e Bjeshkëve të Nemuna. Unë fillova të mbledh disa lloje të luleve që t’i kem në herbariumin tim dhe njëherit mu kujtua edhe Antonio Baldaci dhe libri I tij “Itinerari Albanesi” në të cilën përshkruan me shumë hollësi shumëllojshmërinë e bimëve që gjeti këtu.

Shënuam përvjetorin e Kuvendit të Greçës, bëmë fotografitë e përbashkëta dhe të relaksuar por plot përshtypje të mira u nisëm mbrapsht prej nga kishim ardhur. U ulëm pllajës teposhtë dhe ndaluam të mahnitemi nga ballkonet natyrore të Kanjonit të Cemit. Pamja më mahnitëse ishte nga ballkoni kug gjendej Pisha flamur,një lloj pishe që çuditërisht ishte ngjitur për shkëmbi,kurse trungu dhe kurora i rrinin pezull për mbi kanion.I shte i madh diku mbi 30m dhe një trung të gjerë afro 2m. Pamja nga ai vend ishte sa mahnitëse, aq edhe e frikshme. Ata më guximtarët uleshin pak më poshtë dhe bënin fotografi mahnitëse kurse të tjerët vështronin nga një largësi e sigurt. Në gjysmën e rrugës së kthimit organizuam gara, u ngjitëm kodrës dhe tani më çdo njeri kishte vetëm një qëllim: Të mbërrij në vendin ku kishim makinat.

Kur mbërritëm pushuam pak dhe u përshëndetëm njëri me tjetrin, secili u nisë në shtëpi me përshtypjet më poszitive nga një ditë me shumë adrenaline dhe kujtime të bukura.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore

Aktivitetet kulturore/ ‘Arrëthyesi’, baleti emblematik i Krishtlindjes te Opera, dy shfaqje teatrore