Bayerni i Mynihut dhe Atletiko e Madridit kalojnë në gjysmëfinale duke plotësuar katërshen më të mirë të Evropës, ndërsa Barcelona dhe Manchester United i kanë dhënë lamtumirën kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Evropë. Pas ndeshjes së parë 1-1, Atletiko fitoi 1-0 ndeshjen e kthimit, ndërsa Bayern pas barazimit po 1-1 në ndeshjen e parë fitoi të dytën bindshëm 3-1. Atletiko e Madridit e ka nisur mjaft mirë ndeshjen përballë Barcelonës, e motivuar edhe nga mbështetja spektakolare e tifozëve që kishin mbushur stadiumin “Vincente Calderon” si asnjëherë tjetër këtë edicion.

Vendasit surprizojnë vetëm pas 5 minutash lojë, pasi shënojnë me Koke duke ngritur stadiumin në peshë dhe detyruar Barcelonën që të sulmonte me mjaft kujdes për të mos lënë shumë hapësira pas. Megjithatë Barcelona nuk pajtohet me rezultatin dhe tenton disa herë për të barazuar me Mesin, Neymar, Xavi e Iniesta, por Courtua dhe mbrojtja vendasve e rreshtuar mjaft mirë sipas stilit të Simeones nuk lejuan prekjen e rrjetës në pjesën e parë.

Pjesa e dytë nis e aty ku përfundoi e para për të dy ekipet, me një ritëm të lartë që i ngjate një finaleje. Barcelona ka sërish raste të mira për të shënuar, por nuk arrin të finalizojë me sukses, teksa rrezikon shumë në mbrojtje, pasi mund të kishte pësuar në dy momente, teksa Diego dhe Koke kishin raste të arta për të dyfishuar, por në fund përfundoi 1-0. Super ndeshje u zhvillua edhe në Gjermani, por në fund fati u buzëqeshi kampionëve të Evropës që arrijnë mes 4 ekipeve më të mira. Mancehster United largohet me dinjitet nga Champions League, pasi zhvilloi një ndeshje të madhe në Gjermani.

Pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura, teksa golat dhe emocionet ishin rezervuar për pjesën e dytë, të cilën e nis mirë United që shënon me Evra në të 57, por nuk kalojnë as dy minuta dhe Manzukic vendos barazpeshën. Barazimi 1-1 të dërgonte në shtesë dhe këtë e dinte mirë Bayern që nuk ndalon së sulmuari duke shënuar edhe golin e dytë me Muller pas një pasimi të Roben në zonë. Nuk kalojnë shumë minuta dhe holandezi këtë herë shënon vetë duke çuar rezultatin në 3-1.