Agjencia për Trajtimin e Pronave ka filluar tashmë pranimin e kërkesave të pronarëve që pritet të marrin kompensim. Të gjithë qytetarë mund të aplikojnë për kompensim fizik ose monetar pranë ATP-së. Por çfarë përfitojnë qytetarët dhe si bëhet aplikimi?

“Subjektet qe disponojnë një vendim përfundimtar te vlerësuar financiarisht kane te drejte te aplikojnë për kompensim.( për momentin ato qe kane një vendim te vitit 93-94). Subjektet qe kane nevoje te plotësojnë dokumentacionin kane 6 muaj kohe për ta bere atë.

Çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet kundër vlerësimit financiar të kryer nga ATP-ja për përcaktimin e vlerës së pronës në Gjykatën Administrative të Apelit brenda 30 ditëve nga dita e publikimit, vetëm për vlerën e kompensimit”, -
thotë Agjencia e Pronave.

Informacioni për dosjen
Në çdo rast pasi plotësojnë kërkesën aplikuesit mund të marrin informacion për dosjet. “Dokumentat që duhen për të marrë informacion për dosjen janë: Formulari tip, Fotokopje e kartës së identitetit, Kopje vendimi nga ish KKP/AKKP(nëse ka). Subjekti plotëson kërkesën me shkrim për informim në lidhje me ecurinë e dosjes pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, në ATP ose e dërgon me postë duke bërë kujdes në të dhënat që vendos dhe paraqitjen e dokumenteve te kërkuar”, - thekson ATP.

Kriteret e reja
Aplikimi për pranimin e kërkesave të reja për kompensim nga ish-pronarët ka nisur që prej datës 18 janar dhe nuk është I kufizuar në kohë. Subjekti kërkues në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim, duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm:

-Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP;

-Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil;

-Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme);

-Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;

-Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;

-Mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 lekë.

Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

d.c./shqiptarja.com