Aulon Naçi: Si u bëra kompozitor
në konservatorin e Udines

Aulon Naçi: Si u bëra kompozitor<br />në konservatorin e Udines
TIRANE- Festivali Ndërkombëtar “Ditët e Muzikës së Re Shqiptare” u çel mbrëmë në Universitetin e Arteve Tiranë. Koncertin e parë e ka mbajtur ansambli i Muzikës Bashkëkohore të Konservatorit të Udines, (Itali), në  programin e të cilit kishte vepra të kompozitorëve bashkëkohorë italianë dhe tri vepra të kompozitorit shqiptar, rezident në Itali, Aulon Naçit. Shkolla e kompozicionit në sistemin akademik italian për Aulan Naçin ishte një shkollë shumë e gjatë gati 10-vjeçare, por ai mori parasysh gjithçka, provime që zgjasnin edhe 12 orë, audicione, disiplinë dhe përkushtim konstant! Ai thotë në këtë intervistë, se falë punës dhe profesionalizmit të përbashkët arrihet gjithçka.

Sot zotëron dy tituj me rezultate maksimale, por mbi të gjitha një formim profesional cilësor, i cili e bëri të shkonte edhe më tej si: pranimi për një vit studimi në një nga konservatorët më me emër në botë siç është “Mozarteum” në Salzburg dhe pranimi si asistent profesor për një periudhë 6-mujore në “Royal Conservatory” në Bruksel në vitin 2013. Sot krijimet e tij, janë interpretuar në festivale dhe përmbledhje muzikore të rëndësishme në Itali dhe jo vetëm. Disa nga ato janë: “Contemporanea 2007”, “Contemporanea 2011” (Udine), “Paesaggi Sonori” (projekt i FVG), sezoni koncertor “Amici della Musica” në Udine; “Portrait Konzert 2008”, recital i mbajtur në Ëiener Saal të “Universität MozarteuSalzburg”, në “Dudley Recital Hall”, University of Houston, Moores School of Music, 2011. Gjithsesi Aulon Naçi edhe pse është rezident në Itali, ka qenë dhe është shumë i lidhur me qytetin e tij  të lindjes, Vlorën.
 
Jeni larguar nga Shqipëria drejt Italisë për studime dhe sot jeni një emër i njohur jo vetëm në botën muzikore italiane. Ishte fati i djalit nga Vlora, apo kurorëzimi i përpjekjeve të jashtëzakonshme?
-Largimi nga Shqipëria ishte një mundësi e denjë në atë kohë për një rrugëtim të dëshiruar drejt botës së tingujve që nuk njeh kufij. Ishte ky një fat si rrjedhojë e përpjekjeve të jashtëzakonshme të nisura në fëmijëri, në të cilat kanë kontribuar faktorë të rëndësishëm si: përkushtimi, pasioni dhe vullneti, të ndërthurura mbi një bazë të fortë e të domosdoshme siç është talenti, duke bërë që ky rrugëtim të shkonte edhe më tej.
 
Jeni ish-nxënës i shkollës së muzikës në Vlorë…
-Ai që nuk kujton, nuk jeton! Kujtimet i japin kuptim jetës dhe jetë veprave të mia. Një ndër krijimet e mia të para, sonata për piano në tre kohë, titullohet “MALL”, fjalë që në gjuhën shqipe ka një forcë emocionale të madhe, ashtu si dhe vetë kujtimet të cilat ngacmojnë fantazinë edhe bëjnë që natyrshëm lapsi të shtrojë mbi pentagram tingujt e së tashmes, duke mbajtur gjallë të kaluarën. Aty gjendet edhe fëmijëria ime, e përmbledhur: nga zilja e parë te pianot e vjetra, nga zhurmat e korridoreve te portretet e profesorëve, duke veçuar midis tyre, profesorin tim të parë, Vasil Çunin.
 
Muzika që në fëmijëri, nga piano apo flauti ishin prirja juaj apo orientimi i prindërve?
-Që në moshë shumë të vogël vihej re dëshira dhe interesimi im për të ndjekur rrugën e muzikës, duke qenë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet kulturore – artistike që zhvilloheshin në qytetin tim të lindjes... Formimi im profesional si instrumentist dhe si kompozitor do të përforcohej në Lice. Rol kryesor ka pasur edhe familja, e cila më ka përkrahur në të gjitha aspektet, duke evidentuar faktin se ata do të ishin një hallkë e munguar e zinxhirit të traditës muzikore familjare, për shkak të sistemit të asaj kohe, por duke u ndalur tek e kaluara dhe pikërisht një brez më herët, një përfaqësues i traditës muzikore do të ishte gjyshi, i cili në moshë tepër të re vazhdoi studimet për violinë në Vjenë, duke reflektuar edhe në prestarët e tjerë në familje ku muzika do të ishte prezent edhe nëpërmjet instrumenteve reale si fizarmonika, violina, gramafoni edhe disqet që në atë kohë ishin një luks i ndaluar!
 
Le të qëndrojmë pak te kronologjia e jetës suaj studentore nga Tirana në Itali…
-Vitet e fundit të liceut kanë qenë shumë intensive. Si të gjithë bashkëmoshatarët e mi, ideja e një të ardhmeje më të sigurt apo dëshira për të ecur në botën e artit në një vend ku mundësitë ishin tepër të vogla, bëri që fillimisht të frekuentoja kurse perfeksionimi në Tiranë. Në këtë mënyrë përballja në konkursin e pranimit në një konservator të një prej shteteve simbol të traditës muzikore ndërkombëtare do të ishte më e lehtë. Kështu ndodhi! Arrita të bëhesha pjesë e klasës së kompozicionit në konservatorin e Udines nën guidën e prof. Renato Miani-t. Por papritur gjendesh në një botë tjetër, me instrumente shprehës krejt të rinj edhe faktorë të jashtëm të cilët do të ndikonin pozitivisht në formimin personal edhe profesional, edhe pse, fillimisht i rrethuar nga një “kaos” i nisur nga hiçi që të ngacmonte edhe të ftonte të bëheshe pjesë e tij duke përdorur pikat e tua më të forta.
 
Kurorëzimi; një diplomë Bachelor dhe një diplomë Master, të dyja me nderimet më të larta. Ç’do të thotë kjo për një shqiptar që ndihet i vlerësuar, edhe pse jo në vendin e tij?
-...Është normale që në një ambient të huaj ku studentët edhe profesorët bashkëjetojnë për një periudhë shumë të gjatë, e ke të vështirë që të tregosh brenda pak kohëve ato çfarë ti je në gjendje të bësh. Falë punës dhe profesionalizmit të përbashkët arrihet gjithçka. Sot zotëroj dy tituj me rezultate maksimale, por mbi të gjitha një formim profesional cilësor i cili më bëri të shkoja edhe më tej si: pranimi për një vit studimi në një nga konservatorët më me emër në botë siç është “Mozarteum” në Salzburg, dhe pranimi si asistent profesor për një periudhë 6-mujore në “Royal Conservatory” në Bruksel në vitin 2013.
 
Cili është çelësi i suksesit dhe dinjitetit tuaj profesional, edhe pse në një vend të huaj?
-Për një kompozitor thuhet se suksesi vjen pak më vonë, historia e muzikës botërore ka dëshmuar fakte mbi këtë realitet, por një pikë e rëndësishme është origjinaliteti. Të jesh origjinal është një faktor që bën diferencën, së bashku me faktorë te tjerë siç janë: kërkimi i vazhdueshëm i elementëve të rinj pa rënë pre e ndikimit dhe e mos shkëputjes nga standardet dhe klishetë e së kaluarës, por duke i studiuar si potencial i vetëm i të pasuruarit, pa humbur identitetin. Ndoshta suksesi për mua ekziston te fakti që unë e konsideroj të përfunduar krijimin atëherë kur lind mendimi. Në mendim përmblidhen të gjithë faktorët e lartpërmendur!
 
Janë disa tituj interesantë si ”Vaj dhe det” apo dhe krijime të tjera. Është frymëzimi juaj tërësisht shqiptar ?
-Titujt për mua janë elemente që nuk duhen nënvlerësuar, janë kornizë që iu japin identitet veprave muzikore sikur të ishin piktura. Disa tituj janë në shqip, sepse që në bulëzën fillestare krijimi ka mbartur një element, motiv, kujtim apo imazh tërësisht shqiptar, siç është edhe kuinteti për flaut, klarinetë, violinë, violinçel dhe piano, të cilin ju e përmendët; “Vaj dhe det” – një antitezë muzikore edhe emocionale, deti vaj dhe vaj deti; dy stade emotive krejt ndryshe nga njëri-tjetri, madje po të analizojmë të dyja fjalët në një kontekst më letrar ato marrin ngjyra të tjera. Në këtë mënyrë personifikohen edhe në partiturë.

“Udhëkryq” (Për Arditën) – titullohet kështu vepra për piano e kompozuar për pianisten shqiptare nga Kosova, Ardita Statovci, ku përshkruhet situata historiko – politike në të cilën gjendej shteti aktual i Kosovës, që më 17 shkurt 2008 vendosi të shpallte pavarësinë. “Poseidon” – Perëndia e ujit e derdhur në partiturë; një vepër për violinë solo, ku në disa etapa teknike perceptohen dhe përshkruhen ujërat natyrale që i japin ekzistencë jetës, të cilat janë deti, shiu, loti.
 
Jetoni në Udine të Italisë, sa afër dhe larg Vlorës dhe Shqipërisë jeni? 
-Ideali i statusit të artistit është të jetë “Qytetar i Botës” pikërisht sepse muzika ka aftësinë të transportojë në kohë edhe në distancë, por gjithsesi kam qenë dhe jam shumë i lidhur me qytetin tim të lindjes.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit