“Calhanoglu, na sill Championsin!”. Tifozët e Inter Club Perth e këndojnë këtë me shpresë, të mbledhur me një banderolë për të ndjekur stërvitjen dhe për të siguruar fotot e shumëpritura si kujtim.
Dikush ka ardhur edhe nga më larg, në një copë kartoni kërkon një fanellë dhuratë, sepse “kam bërë 720 kilometra me makinë për të qenë këtu”.
Calha, ashtu si shumë prej shokëve të skuadrës, firmos me durim në sendet që i zgjasin tifozët dhe më pas nxiton drejt dushit për të mos u ftohur, në prag të ndeshjes së tij të parë të vërtetë, sonte pritet të jetë titullar kundër Juventusit (13:00).
Në një intervistë të gjatë dhe plot pasion për 'Gazzetta Dello Sport', Hakan Calhanoglu premton dashuri të pakushtëzuar për Interin dhe përjashton çdo mundësi largimi. Kombëtaren e Turqisë nuk e konsideron një tundim për t’u rikthyer në vendlindje. Ai mendon vetëm të meritojë rinovimin e kontratës, e cila skadon në vitin 2027 dhe për të cilën ende nuk kanë nisur diskutimet.
Megjithatë, fjalët e tij nuk duhen interpretuar si kërkesë apo si një apel polemik. Ato janë thjesht një fotografi e paqartë e një momenti ngecjeje, mjafton të tundësh pak “Polaroidin” për të zbuluar shpejt se çfarë do të sjellë e ardhmja.
-Calhanoglu, në çfarë gjendjeje fizike jeni?
Jam mirë. Falenderoj Chivun që më dha disa ditë më shumë pushim pas Botërorit. Mendërisht isha pak i lodhur dhe pata mundësi të rikuperohesha. Tani puna është e rëndë, po vrapojmë shumë, por po përmirësohem.
-Çfarë ndodhi me Turqinë në Botëror?
Mendonim se mund të bënim diçka të rëndësishme. Pas 24 vitesh po jetonim një ëndërr të madhe, por nuk shkoi ashtu siç shpresonim. Fatkeqësisht, në futboll mund të ndodhë. Jam shumë i zhgënjyer si kapiten, sepse vendi ynë është shumë pasionant. Por duhet të shohim përpara. Unë nuk dorëzohem dhe jam gati ta provoj përsëri në vitin 2030.
-Në rini donit të bësheshit polic?
Po, më tërhiqte kjo lloj pune. Kujdesi ndaj njerëzve, uniforma… nuk e di. Por shpesh, jo gjithmonë, është më mirë të jesh futbollist…
-E tashmja quhet Inter. Apo jo?
Jam i lumtur që jam këtu. Në Milano, ku unë dhe gruaja ime jemi integruar shumë mirë, dhe te Interi. Kemi shumë miq, fëmijët shkojnë në shkollë. E ardhmja, ndërkohë, nuk varet nga unë, por nga klubi.
-Varet edhe nga ju...
Jo, sepse nuk ka pasur asnjë kontakt për rinovimin. Unë jam futbollist dhe mendoj të luaj. Por në pesë vite mendoj se kemi bërë shumë gjëra të mira: 8 trofe dhe 2 finale të Champions League. Tifozët më duan dhe unë i dua ata. Do të shohim se çfarë do të ndodhë.
-Pse atëherë çdo vit nga Stambolli dëgjojmë një trajner apo president që thotë se Calhanoglu dëshiron të luajë në Turqi?
Sinqerisht, nuk e kuptoj pse përmendet emri im. Unë jam kapiteni i kombëtares dhe mund të ndodhë që të flas me presidentë klubesh që më kërkojnë informacione ose këshilla për lojtarë të tjerë. Por për merkaton merret menaxheri im. Nëse keni ndonjë dyshim, mund ta pyesni atë.
-Ndërsa rebelimi juaj quhet Harley Davidson...
E vërtetë. Por u detyrova ta shisja sepse drejtori Ausilio më kërcënonte (qesh). Kjo do të thotë se di të dëgjoj. Por kur të tërhiqem nga futbolli, do ta blej përsëri motorin.
-Çfarë do të bëni pas përfundimit të karrierës?
Nuk kam vendosur ende. Me siguri nuk do të bëhem trajner. Ndoshta agjent ose drejtor sportiv. Por e shoh veten edhe si president të Federatës Turke të Futbollit.
-Një kuriozitet i fundit, pse ky ndryshim në pamje?
Kam bërë transplant flokësh. Shokët e skuadrës, madje edhe Modric një ditë më parë në derbi, më ngacmojnë për këtë. Por mua më pëlqen kështu, tani ndihem më mirë.












Komente
Komento